` . Thaçi i ndau Metës çmimin “Urdhri i Pavarësisë” – TV-SHENJA

Thaçi i ndau Metës çmimin “Urdhri i Pavarësisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot priti në takim zyrtar homologun e tij nga Shqipëria, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ftuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot filloi vizitën e tij zyrtare në Kosovë. Me këtë rast në sheshin “Ibrahim Rugova” ai u prit me një pritje ceremoniale nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Presidenti Thaçi gjatë konferencës së përbashkët për media i ndau çmimin “Urdhri i Pavarësisë” Presidentit Meta për kontributin ndërkombëtar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Meta në fjalimin e tij tha se është i emocionuar që vjen në Kosovë si President i Shqipërisë duke theksuar se Shqipëria është e gatshme ta ndihmojë Kosovën për angazhimin e mëtejshëm të njohjes së saj ndërkombëtare dhe në aspiratën për perspektivën evropiane.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave presidenti Meta tha se ka presion dhe kërkesa pa fund nga qytetarë të Kosovës për të marrë nënshtetsinë e shqipërisë për t’i shpëtuar bllokadës së BE-së. Ai më tutje shtoi se Kosova është i vetmi vend që ka kusht demarkacionin me Malin e Zi për liberalizim të vizave me BE-në duke theksuar se duhet të nxitet një konsensus sa më i gjerë pa dallime politike apo partiake që të tejkalohet kjo fazë.

“Unë shpresoj që edhe politikat në Kosovë pas zgjedhjeve të afërta vendore në një dialog edhe më aktiv me BE-në dhe Malin e Zi që ta zhbllokojë këtë çështje sepse nuk bëhet fjala vetëm për çështjen e vizave është një çështje mjaft e rëndësishme dhe mjaft frustruese për qytetarët e Kosovës për zhbllokimin e gjithë perpektivës evropiane të Kosovës që është jetike jo vetëm për Kosovën por për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për vetë BE-në”, tha presidenti Meta.

Meta potencoi se të gjithë së bashku “duhet të kemi një angazhim për të bërë më të qartë se kur do të ketë mundësi Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota”.

Presidenti Meta në fund shtoi se zgjidhja nuk është të merret nënshtetësia shqiptare për qytetarët e Kosovës por tejkalimi i këtij problemi pas zgjedhjeve lokale me një dialogë më aktiv me BE-në dhe Malin e Zi.

Ndërsa, Presidenti Thaçi tha se Shqipëria ka ndihmuar dhe po ndihmon maksimalisht Kosovën qoftë në rrafshin diplomatik qoftë në atë ekonomik. Për të ardhmen euroatlantike Thaçi tha se Kosova e ka të qartë vizionin e saj që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Ai tha se pas izolimit që ka sjellë BE-ja për Kosovën tek lëvizja e lirë e njerëzve e vetmja shpresë është që qytetarëve të Kosovës t’u jepet nënshtetësia e Republikës së Shqipërisë.

“Nga ana tjetër edhe qasja bllokuese e BE-së që është argument shtesë në raport me Kosovën më shtyn që sot ti lutem Presidentit të Shqipërisë dhe autoriteteve të tjera të Shqipërisë që duke i respektuar kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe kushtetutën dhe ligjet e Kosovës me të drejtën e dy shtetësisë t’u lejohet qytetarëve të Kosovës që të aplikojnë për nënshtetsi, ta fitojnë këtë të drejtë dhe të lëvizin lirshëm në Evropë”, tha presidenti Thaçi.

Ai potencoi se studentët, biznesmenët dhe të gjithë ata që kanë nevojë të lëvizin lirshëm nuk duhet të bllokohen nga kjo e drejtë që ju takon dhe duhet t’u jepet kjo mundësi sepse bartësit e Republikës së Kosovës vetëm se janë pajisur me pasaporta që kanë të drejtën të lëvizin lirshëm nëpër shtetet e BE-së.

Kurse sa i përket pyetjes së gazetarëve për deklaratat e tij rreth themelimit të Gjykatës Speciale, Presidenti Thaçi tha se vendimi për themelimin e kësaj gjykate ka qenë i përgjegjshëm “me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të afrimit të Kosovës me SHBA-të, BE dhe NATO”.

Duke potencuar se kanë qenë dy mundësi para lidershipit dhe institucioneve të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale Thaçi tha se që të dyja kanë qenë të vështira dhe të këqija.

Thaçi tha se opsioni i parë është konsideruar që do të sjellë më pak pasoja për qytetarët e Kosovës.

“Opsioni i parë ka qenë që bashkësia ndërkombëtare ka imponuar dhe ne kemi pranuar themelimin e Gjykatës Speciale e cila do të funksionojë me ligjet e Kosovës. Opsioni i dytë ka qenë në rast të themelimit të Gjykatës Speciale të Republikës së Kosovës kjo çështje do të bartet në OKB. Kështu që kemi shkuar me opsionin e parë”, tha presidenti Thaçi.