` . Thaçi dhe Haradinaj përshëndesin miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni - TV-SHENJA

Thaçi dhe Haradinaj përshëndesin miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në rrjetet sociale shkruan se Parlamenti i Republikës së Maqedonisë dëshmoi guxim, vizion dhe vetëdije të lartë, duke votuar për ndryshimet kushtetuese të parapara me Marrëveshjen e Prespës, që shënojnë, sipas tij, hapin final drejt ndryshimit të emrit të vendit.

“Vendimi i tyre nuk ka qenë fare i lehtë, as popullor, por ishte vendim i duhur, i cili tejkalon interesat partiake për shtetin dhe qytetarët. Republika e Maqedonisë apo Maqedonia Veriore, siç do të quhet tani, bëri një hap të madh përpara, duke i hapur perspektivë stabilitetit politik, vazhdimit të reformave dhe integrimit të vendit në institucionet veriatlantike, për t’iu garantuar jetë më të mirë qytetarëve dhe brezave të rinj”, thuhet në reagimin e Thaçit.

Thaçi shkruan se viti 2019 duhet të jetë vit i vendimeve të mëdha edhe për Kosovën, sipas tij, vit kur duhet të përmbyllet edhe konflikti shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në rrjetet sociale shkruan se përshëndet votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, duke e konsideruar këtë votim, si hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj.

“Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqes së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”, shkruan Haradinaj.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili edhe ai në rrjetet sociale shkruan se ky vendim zhbllokon njëherë e mirë rrugën e integrimeve dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm të Maqedonisë por të mbarë rajonit.