` . Thaçi dekoron ish-presidentin Bill Clinton me medaljen “Urdhri i Lirisë” - TV-SHENJA

Thaçi dekoron ish-presidentin Bill Clinton me medaljen “Urdhri i Lirisë”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka ndarë medaljen “Urdhri i Lirisë” për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bill Clinton, transmeton AA.

Thaçi i tha ish-presidentit amerikan se nuk ka çmim që mund ta shpërblejë kontributin e tij për Kosovën, duke theksuar se pas 20 viteve, Kosova është e pavarur dhe për këtë i është mirënjohëse SHBA-së.

“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së ka qenë jetike për lirinë dhe pavarësinë dhe tash në rrugëtimin e saj. Storia e Kosovës është storie e suksesit, ju jeni hero i Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërkaq, Clinton, pas pranimit të kësaj medaljeje tha se Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO si vend i pavarur. Sipas tij, Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët.

“Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët që është diçka që të gjitha shtetet e mëdha dhe të vogla duhet ta bëjnë. Kosova meriton të jetë në BE dhe NATO si vend i pavarur”, tha ai.

Ish-presidenti amerikan pas këtij takimi është takuar edhe me kreun e qeverisë, Ramush Haradinaj.

Clinton bashkë me ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright po qëndrojnë në Kosovë me rastin e shënimit të 20-vjetorit të çlirimit. Të mërkurën, ai do të marrë pjesë në ceremoninë qendrore që mbahet për të shënuar këtë ditë.