` . Thaçi: BE-ja do t’i bëjë detyrat e saj pa humbur kohë – TV-SHENJA

Thaçi: BE-ja do t’i bëjë detyrat e saj pa humbur kohë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me miratimin e marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, deklaroi se, “ratifikimi i sotëm i marrëveshjes ndërshtetërore ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi përmes llogarisë së tij në rrjetet sociale ka shkruar se, “Kuvendi i Kosovës i dha fund paqartësisë së panevojshme politike rreth vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i sotëm i marrëveshjes ndërshtetërore, që mbajti peng përplot tre vjet liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare. Ishte një veprim që garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike, duke i hapur rrugë shumë proceseve të rëndësishme për shtetin tonë”.

Ai është shprehur se Kosova ka humbur mjaft kohë me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila sipas tij padrejtësisht ngadalësoi hapin shtetëror për të ecur para, duke krijuar ndarje politike e shoqërore, që siç thotë ai, është vështirë të kompensohen për një kohë të shkurtër.

“Megjithatë, votat e sotme të deputetëve në Kuvendin e Kosovës janë shpresë dhënëse se ata më nuk do të ndikohen nga interesat ditore politike, por nga interesi strategjik i Kosovës”, thekson Thaçit.

Sa i përket konsensusit të arritur sot në Kuvend, Thaçi ka nënvizuar se ky konsensus i gjerë duhet të shërbejë si platformë afatgjate e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike, sidomos kur në pyetje është interesi shtetëror.

“Pikërisht dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e tillë e interesit shtetëror, në të cilën ne duhet të jemi të bashkuar”, ka shkruar presidenti kosovar.

Thaçi ka thënë se Kosova i ka përmbushur detyrimet e saj, prandaj shumë shpejt edhe qytetarët do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

“Jam i sigurt se edhe BE-ja do t’i bëjë detyrat e saj pa humbur kohë.Tani duhet që me hapa të përshpejtuar, duke zbatuar pakon e reformave, të krijojmë një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE dhe NATO”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kosova tani pret që BE-ja të bëjë pjesën e vet, ashtu siç u premtua

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet rrjeteve sociale ka shprehur mirënjohje për të gjithë deputetët që votuan pro marrëveshjes për Kufirin Shtetëror midis Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për durimin dhe mirëkuptimin e popullit të Kosovës.

“E përkushtuar në krijimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në rend e ligj, Kosova tani pret që BE të bëj pjesën e vet, ashtu siç u premtua, që më në fund qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë”, thotë Haradinaj.

Kujtojmë se sot Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme me 80 vota “pro” dhe 11 “kundër” ka ratifikuar Projekt-ligjit për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo marrëveshje u ratifikua pas katër tentimeve të pasuksesshme nga gazi lotsjellës, që u hodh nga deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje.