` . TEZJA SALIE – TV-SHENJA

TEZJA SALIE

(njeriu duhet të mbetet në rrugën e Zotit dhe të punojë në mënyrë të pëlqyer prej tij, thoshte)

Shkruan: Lindita Kadriu

Tezja ime e madhe ishte kryekëput e dedikuar obligimeve të shenjta. Më kujtohet kur motrat në ndejet e tyre disi në të njëjtën kohë rreshtoheshin në kohën e namazit, ajo falej më gjatë, më shtruar. Derisa tezet tjera, llafazane dhe secila më e re se mosha, i palonin sexhadet dhe dhoma mbushej me të qeshura, tezja e madhe vazhdonte lëvizjet e ngadalshme ritmike, symbyllur para pëllëmbëve të ngritura…Lutja në parim është meditim për ata që arrijnë të eliminojnë shumicën e mendimeve anësore në momentet e përuljes dhe falënderimit.

Për tezen Salie rruga drejt Zotit ishte në fakt rrugë drejt njerëzve…!

Si besimtare ishte e bindur se Perëndia më së miri i ujdis raportet dhe drejtësinë. Ajo nuk i hynte zametit t’u hakmerret njerëzve kur e lëndonin, ngaherë thjesht nga qejfi, ca tipa që kënaqen kur bëjnë dëme duke ia çrregulluar dikujt ditën apo disponimin. Në të gjitha tronditjet jetësore, përfshirë dhe ato tektoniket, Salka mbetej e bindur se Zoti më së miri sheh dhe gjykon dhe një ditë, si e si, të nxjerr në selamet, thoshte. Ky postulat bazik jetësor e kishte bërë tezen të paaftë për urrejtje apo hakmarrje, ajo nuk kishte në reportoar as mendim e lëre më veprim kundër kujdoqoftë. As të lëndojë, as t’u revanshohet Gargamelave.

Nirvana. Plot dinjitet dhe sabër. Dhe mirënjohje në sasi enorme. Gjatë kohë mbante mend çfarëdo gjesti pozitiv ndaj saj, bekimet i kishte të gjata, skajshmërisht efektive. Kur më shikonte me sytë të kthjelltë prej sorkadheje dhe rradhiste fjali plot aprovim e ngrohtësi, e dija se së shpejti diçka e bukur do të më ndodhte. Gjithmonë ndodhte.

Nuk kishin fëmijë prandaj nipërit dhe mbesat, nga ana e saj dhe e të shoqit, na trajtonte me sentiment të veçantë. Shpesh shkoja mysafir bujshëm në shtëpinë e tyre të madhe pa zhurmë, nuk kishin televizor se nuk donin të fusnin shejtanin në shtëpi vetëm një radio mbi tryezën e vogël të ushqimit. Posa hapej porta e madhe pas orës 14 kur enishtja kthehej nga puna, futesha me shpejtësi nën tavolinën e shtruar për drekë, me mbulesë të gjatë dhe e prisja dialogun e mirënjohur…Tezja i thoshte që kam shkuar në shtëpi, enishteja e qortonte, unë i dëgjoja e mbedhur galuç, mandej e kap enishten për këmbe, ai kërcen nga karrikja, demek i habitur. Çdoherë i njëjti ritual. Dhe ashtu të disponuar vazhdonim me drekën, gjellëra të shijshme që ziheshin ngadalë gjithë paraditen, duke përhapur aromën e mëlmesave prej bahçes…

Tezja tërë ditën diçka qepte, qëndiste, thurrte, përgatiste pajën e vajzave të kunatave. Shpesh kur e kujtoj më del parasysh e ulur para maqinës për qepje ose mbi shilte nën ndonjë pemë në bahçe, me gjilpërat e thurrjes…Punonte me merak, me kujdes të madh për çdo detaj të vogël. Shpesh qepte falas për sadakanë e duarve, thoshte. Natën e Arifes rrinte zgjuar deri në agim, duke i kompletuar teshat festive për fëmijët e familjes dhe mëhallës.

Ajo jetonte për të dhënë, për t’i lumturuar të tjerët, sidomos fëmijët, sidomos pleqët.

Zoti e do më shumë dorën që jep se sa dorën që merr, thoshte.

p.s në mevludin më 15 janar 2015, derisa rrija e heshtur mes grave që flisnin për gjithçka përveç për ty, u zotova në vete që do ta çoja në vend dëshirën tënde të madhe, tetush. Dhe çdo ditë e ndjej se prej para portave të Xhennetit ku na e merr mendja se je, ti më vështron me aprovim në sytë e mirë prej sorkadheje…