` . Tërmeti si shënjues mes njeriut dhe njerëzores - TV-SHENJA
Tërmeti si shënjues mes njeriut dhe njerëzores

Tërmeti si shënjues mes njeriut dhe njerëzores

Pse tërmeti është shënjues mes njeriut dhe njerëzores? Ngjarjet, qofshin këto brenda fuqisë njerëzore apo jashtë fuqisë njerëzore, nxjerrin në pah atë që rri strukur tek njeriu dhe i japin lëndën e parë që të zhvillohet e të japë fryte. Frytet mund të jenë të hidhura, mund të jenë dhe të ëmbla.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Tërmeti është ngjarje krejt e zakonshme për lëmshin e dheut. Kështu ka qenë ngaherë, qyshse toka fitoi qëndrueshmëri dhe u bë gati të priste ardhjen e një krijese të padytshme sui generis. Një përzierje e të gjitha krijesave, duke formuar qenien brenda së cilës gjenden të gjitha ngjyrat e tokës, farat e të gjitha luleve, instinktet e të gjitha kafshëve, cilësitë engjëllore, veset djallëzore.

Ngjarjet që ndodhin në sipërfaqen e lëmshit të dheut janë jashtë kompetencës njerëzore, po aq sa është edhe ardhja e vet njeriut. I gjendur përballë pafuqishmërisë për ta kontrolluar rrjedhën e ngjarjeve të historisë së tij mbi lëmshin e dheut, njeriu ka për detyrë të menaxhojë mundësitë që i janë dhënë për të minimizuar dëmet që mund të pësojë prej ngjarjeve natyrore.

Si e qysh ndodhin tërmetet, kjo nuk është aspak pjesë e asaj që duam ta themi. Në këtë sferë shpjegimet përkatëse u takojnë profesionistëve të fushës. Studimi i ngjarjeve të natyrës i shërbejnë shoqërisë njerëzore për ta njohur më mirë botën në të cilën jeton. Por, duke i dhënë peshë shumë më tepër nga sa duhet arsyes së kufizuar, nxjerr krye mendimi për të kontrolluar përmes ndërhyrjeve artificiale ngjarjet natyrore. A qëndron një realitet i tillë? Dëshira për këtë është, por mundësia për ta kthyer në realitet jo. Mjafton t’i kujtojmë përpjekjet e njeriut për kontrollin e genomeve që ashtu të shmangen sëmundjet e trashëguara. Ndërhyrja në genome sjell vetëm gjymtim, pasi që njeriu është perfeksion fizik. E njëjtë është edhe situata me tokën. Është perfeksion fizik dhe duke qenë krijesë më madhështore se njeriu në pikëpamjen fizike, është e pamundur që ajo që është shumë më pak e dobët ta kontrollojë fuqinë e asaj që është superiore.

Pse tërmeti është shënjues mes njeriut dhe njerëzores? Ngjarjet, qofshin këto brenda fuqisë njerëzore apo jashtë fuqisë njerëzore, nxjerrin në pah atë që rri strukur tek njeriu dhe i japin lëndën e parë që të zhvillohet e të japë fryte. Frytet mund të jenë të hidhura, mund të jenë dhe të ëmbla. Ditët e bukura dhe pa halle e shqetësime kanë vetëm njerëz të mirë e të begenisur. Por, kur ndodhin ngjarje, në rastin tonë tërmet, atëherë shoqëria fillon e ngjyroset përmes trajtave të ndryshme që merr njeriu, në varësi të asaj se çfarë gjeneron ky njeri përballë vështirësive. Dridhjet sizmike, që çlirojnë energjinë e tokës, sjellin dridhje sizmike që çlirojnë energjinë reaguese të njeriut. Menaxhimi i situatave pastërmetëshe është shumë i rëndësishëm.

Tërmeti natyror nuk mund të jetë as i pabesë, as besnik. As i mirë, as i keq. As i moralshëm, as i pamoralshëm. As i bukur, as i shëmtuar. Është një gur prove që shkërmoq fasadën hipokrite të njeriut. Është një shenjë që ia kujton njeriut dobësinë si qenie. Është një shenjë që i tregon njeriut që duhet të kujdeset për shumëçka përpara se tërmeti të ndodhë. Tërmeti në aspektin e ndodhisë ngjan katërçipërisht me vdekjen. Ne e dimë që do të vijë, por nuk e dimë kur. Nëse vjen atëherë kur nuk e presim, a mund t’i themi “i pabesë”?

Ne duhet të jemi gati për ta pritur çdo moment. Po kështu dhe me ngjarje si tërmeti. Duhet të jemi gati para se të vijë, në mënyrë që t’i minimizojmë në maksimum pasojat në jetët njerëzore dhe pasojat materiale. Të qenit gati nuk do të thotë që njeriu të jetë roje i tërmetit, por roje i një tërmeti edhe më të egër se ai natyror, kjo për ta ruajtur vetveten nga pasojat fatale që mund të shkaktojë tërmeti natyror kur e gjen rrugën të shtruar nga tërmeti përbrendësor, që e shkërmoq njerëzoren tek njeriu.

Tërmetet, të çfarëdolloj fuqie qofshin, as nuk mund të shmangen, as të kontrollohen ose të devijohet energjia e tyre. Ky është realiteti i pazhbëshëm. Aty ku njeriu i ka shkaktuar vetes tërmet përbrendësor, para se të ndodhë tërmeti natyror, pasojat mund të jenë tepër të rënda në sferën shpirtërore e materiale. Po çfarë mund të bëjë njeriu për t’i minimizuar pasojat e tërmeteve natyrore, kur ai është krejt i pafuqishëm përballë dridhjes së tokës?

Njeriu duhet të hedhë një hap gjigand para se tërmeti natyror të trohasë punët e tij. Ta kthejë njerëzoren tek vetja. Ky është conditiosine qua non për të përballuar ngjarjet natyrore. Nga tërmeti nuk të mbron asgjë tjetër, përveç drejtësisë, përgjegjshmërisë e profesionalizmit, që nuk zhbëhet nga babëzia dhe makutëria gllabëruese, ndërtimet e themeleve, kolonat e të cilave kanë si lëndë të parë moralin dhe jo hilen e mashtrimin që mbulohet me suva, fino, me bojë e dekorime që kërkojnë të ta mbushin mendjen se sa ia vlen të shpenzosh kursimet e një jete.

E nëse ndodh që tërmeti natyror të lërë pas pasoja të rënda shpirtërore e materiale, nuk duhet të nxitojmë ta ekspozojmë brilantizmin shkencor të njërit ose tjetrit, por së pari ta ngremë pyetjen e madhe: “Ku ishte njerëzorja para kësaj ngjarje?”.

Nëse fuqia materiale e jeta pa kufij moralë na dehu me “liri” dhe i pamë drejtpërdrejt pasojat, atëherë dridhja e tokës duhet të na zgjojë për ta hedhur hapin gjigand. Nëse nuk e hedhim këtë hap, do të vazhdojmë t’i vajtojmë çdoherë pasojat e tërmetit natyror dhe do të sillemi si kali në lëmë për të gjetur fajtorë që të shlyejmë ndjenjën e fajit dhe të shkelmojmë përgjegjësinë nga vetja si ponc Pilati.