` . Teoria e injorancës: Shkarjet e shoqërisë së dijes – TV-SHENJA

Teoria e injorancës: Shkarjet e shoqërisë së dijes

Shkuan: Ali PAJAZITI, Shkup

Sipas Konrad Paul Liessman, profesor nga Instituti i Filozofisë të Universitetit të Vjenës, eseist, kritik letrar dhe gazetar i kulturës, menaxhimi i ndryshimit (changemanagement), institutet e teknologjisë (institutesoftechnology), “Shkenca XXI” (Lehre XXI) dhe hartat e klikueshme të dijes (clickableknowledgemaps) janë konceptet e sforcuara, që i glorifikojnë qëllimet reformuese në sferën e arsimit të degraduar të shekullit tonë. “Shkarjet e shoqërisë së dijes”, nëntitull i veprës kryesore të tij Theorie der Unbildung (Teoria e injorancës, 2006) – që është objekt i këtij shkrimi dhe që është përkthyer në disa gjuhë botërore – i kthjellon koordinatat e këtij punimi, që e analizon gjendjen tonë në një shoqëri, që sipërfaqësisht po e shijon fazën e shoqërisë së dijes (madje, edhe përtej, të shoqërisë digjitale, të inteligjencës artificiale). Kjo është epoka kur dija është në modë, kur në mënyrë marramendëse shtohen produktet science, kur fryma e shoqërisë së informacionit është më tepër retorike dhe ka të bëjë me interesat e fuqishme politike dhe ekonomike sesa me idenë autentike të arsimit. Sipas Liessman-it, sot dijes i mungon forca e sintetizimit, ajo është fragmentare, prodhohet fët-e-fët (express), shpejt adaptohet dhe në çast harrohet. Fjala kyçe e Liessman-it është katastrofa arsimore ose gjysmë-arsimimi (Halbbildung), për të cilin ka folur Adorno në vitin 1959. Pra, gjendja aktuale është edhe më keq se gjysmë-arsimimi. Arsimi si program i vetëformësimit human, lançuar nga neohumanizmi, na ka prurë te stadi i mosarsimimit, që krijon kapital njerëzor me të cilin mund të disponohet në aspekt të kontabilitetit (f. 11), te gjendja kur mbizotëron arsimimi i stilit të emisionit të popullarizuar “Kush dëshiron të bëhet milioner”, vlerësimi përmes testeve me multiplechoice (me më tepër zgjedhje) pyetje, ku nuk dihet se ku janë kufijtë mes saktësisë, pandehmës, dijes dhe arsimimit. Në të vërtetë, dija e shekullit XXI më tepër ka të bëjë me shou të dijes sesa me dijen e vërtetë.

Kapitulli i dytë i librit merret me pyetjen se “çfarë di shoqëria e dijes”, që është e drejtuar kah “mësimi i përjetshëm”, por pa dituri dhe pa urtësi, pa njohje dhe kuptim, si indikatorë që e mbajnë shoqërinë tok. Dituria, si informacion i furnizuar me kuptim, sot është banalizuar nga shoqëria e dezinformacionit ose e simulimit. Në fakt, dija është më tepër se informacion, është formë e depërtimit në botë: njohje, kuptim, konceptim. Dehierarkizimi i dijes, gjegjësisht aksesi i lehtë te të dhënat, gjetjet dhe informacionet përmes teknologjive informative, e saboton dijen dhe të gjithë neve na bën të paditur (f. 36). Studentëve u mundëson ta ngatërrojnë kopjimin mekanik me shkrimin autonom, të blejnë detyra kursi, punime e teza të niveleve të ndryshme. Rasti i fundit i gazetarisë hulumtuese në Prishtinë e kthjellon edhe më tepër këtë çështje: përgatitës të gjithëdijshëm të temave të diplomës e masterit dhe klientë që zgjedhin vetëm titujt dhe paguajnë 200-250 euro (KFOS, KITU, 2017). Kultura jonë teknoide, testet PISA, mësimi i përjetshëm, na pajisin me diploma e certifikata që kanë si objektiv të na bëjnë të përshtatshëm për të gjetur punë (fit for the job), për teleworking e jo qenie autonome. Thjesht, jemi në kohën e scientifikimit të prodhimit dhe të industrializimit të dijes. Riprodhimi i përgjithshëm i dijes në fabrikat e dijes (universitetet) mezi që e pranon individualitetin dhe krijon një standardizim absurd. Sot profesori ose punëtori i ,dijes si fenotip i ndryshimit, nuk i nënshtrohet parimit të dijes, por parimit të punës industriale. Sot punëtori nuk shndërrohet në të ditur, por i dituri shndërrohet në punëtor. Sikur të ishte ndryshe, ndërmarrjet do të shndërroheshin në universitete, e jo universitetet në ndërmarrje (f. 52), të udhëhequra nga menaxherët e dijes që bëjnë bilance, matin rentabilitetin e mësimdhënësve në bazë të inputeve dhe outputeve, ndjekin veprimtarinë hulumtuese tërbuese të kandidatëve në kërkim të thirrjeve e titujve akademikë.

Në kohën kur flitet për shpërthim të dijes, njerëzit nuk e zotërojnë as gjuhën amtare, si lëndë nga e cila fillon arsimimi i vërtetë (Neitzsche), janë pjesë e sistemit të prishjes së arsimit përmes aktualizimit dhe mediatizimit të tij. Devijimi nga ideja për arsim më së qarti vërehet te riorientimi kah të ashtuquajturat qëllime të mësimit (learningoutcomes), kah shkathtësitë dhe kompetencat, kah puna ekipore, fleksibiliteti dhe gatishmëria për komunikim, që faktikisht flasin për suspendimin e individualitetit, që dikur ka qenë adresat dhe aktor i arsimit. Sipas Liessman-it, programi i fshehtë i arsimit sot është: mendo gjithsesi, por jo me kokën tënde! Një deformim tjetër i sistemit arsimor të shekullit tonë është edhe mania pas rangimeve, çështja “në cilin vend jemi?”, PISA, Shanghai Rang List, Webometrics. Këtë gjendje psikologjike të institucioneve arsimore autori e përshkruan me një mahnitje si e besimtarit, me të cilën i lutemi rangimit: mantra e religjionit të ri është gjendja diku në majën ndërkombëtare, që është produkt i dorës së padukshme të tregut, që i rregullon rezultatet në kontekstin e shoqërisë garuese. Fetishizimi i ranglistave është rezultat i mosarsimimit: mungesë e fuqisë për arsyetim. (f. 103) Indikatorët e evaluimeve dhe kualitetit, si veprimtaria shkencore-botuese, vlerësimi nga ana e kolegëve, veprimtaria sociale, simpatia tek studentët, të gjitha të kuantifikuara, janë huazuar nga ekonomia administrative dhe këshillimet ndërmarrëse. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe sistemin e pikëve, faktorët e ndikimit, shkallët e rritjes, llogaritë e kostos dhe benefitit, bilancet e dijes, të ngjashme si në punën financiare, diagramët hyrës-dalës, organizativë, anketimet e bashkëpunëtorëve, analizat e sistemit. Arsimimi sot është përballë fetishit të kuantifikimit, shpesh të realizuar edhe nga agjenci private, përballë vlerësimit në një rreth të mbyllur, në vorbullën e ekspertëve, që vlerësojnë ekspertë dhe sërish vlerësohen nga ekspertë të tjerë. Nga Deklarata e Sorbonës e deri te Procesi i Bolonjës është shpërfillur divergjenca e kulturave akademike (pluralizmi kulturor), është shpikur sistemi kredit-transfer (ECTS) me frymë marksiste, janë afirmuar kategori si modularizmi, mobiliteti, internacionalizimi, ku përfitojnë kulturat dhe shtetet e forta, kur kultura anglosaksone është ngritur në nivel të idolit, që nënkupton një idiotizëm gjuhësor. Me studimet trevjeçare, faktikisht, universiteteve iu është dhënë detyra që të japin “arsimim profesional protoshkencor”, kurse është demoluar ligjërimi përmes prezantimeve Power Point, që janë të përshtatshme me trurin kur është zhbërë uniteti mes punës kërkimore dhe arsimit, që tani parashihen vetëm pas kryerjes së studimeve universitare.

Garën e institucioneve të arsimit të lartë Liessman-i e ndërlidh me raportet e Big Science, kurse transfertat e kuadrove ekselentë, blerjen e “trurëve më të mirë” dhe reputacionizmin, që nxiten me diktatin e rang-listave, i krahason me ato të Ligës së Kampionëve në futboll, me pop-kulturën. Kriza arsimore avancon gjuhë (anglishten) e lëmë të caktuara shkencore, shkencat natyrore të orientuara nga teknika, kurse rrezikon institucione historike, si fakultetet filozofike, shkencat humanitare dhe kulturologjike. Sot njeriun e arsimuar, urtarin dhe tipin klasik të shkencëtarit e ka zëvendësuar brain-i (truri), që i njeh mundësitë industriale për zbatim të hulumtimeve të komplikuara më shpejt se sa konkurrenca e Shanghait. Sipas Liessman-it, projekti i arsimimit të kohës është kundëriluminist dhe shpërfaq ekonomizimin e sistemit arsimor, që implikon hallakatjen e tij (f. 188). Sot fryma e reformave dhe arkitektura e studimeve nënkuptojnë ndryshime pa kurrfarë kuptimi estetik. Conditiohumana e mendjelehtësisë faktike në vend që të na çojë drejt shoqërisë së dijes, po na shpie me shpejtësi të madhe kah shoqëria e kontrollit dhe injorancës.