` . Tenxherja po vlon prej mendimeve - TV-SHENJA

Tenxherja po vlon prej mendimeve

Mundësitë e mëdha për t’u shprehur, hodhën shumëçka në pah, shumë fytyra të shfytyruara dhe përgjithësisht rravguan ngjyrat e diturisë me zhurmat shurdhuese të paditurisë. Ende nuk janë mësuar mirë të lexojnë, por nuk i bëhet fare vonë të shkruajnë statuse nga më të llojllojta në facebook, duke ia mbuluar vlerën pak atyre njerëzve të cilët mirëfilli shkruajnë

Shkruan: Iljasa Salihu, Kumanovë

Sot kemi shumë mendime të shfaqura, por pak mendimtarë, qoftë edhe të fshehur. Kemi tepër mediume, por pak gazetari. Është e dhimbshme kur dëgjon se pasi kishte kërkuar punë poshtë e lartë, për të mos mbetur i papunë më në fund ishte bërë gazetar! Soji i tyre i kritikon politikanët për t’u afruar sa më shumë me politikanët. Për të përfituar shfletime sa më shumë, filluan të lozin ndjeshëm me tituj. Fjala vjen, pasi përfunduan përleshjet e armatosura në Kumanovë, lexojmë se vriten dy policë. Me shqetësim shtypim titullin, kur më poshtë lexojmë se ngjarja kishte ndodhur në Meksikë. Del njeriu normalisht me vajzën e tij në fotografi. Sakaq, gurrojnë titujt se ende nuk e paskemi parë vajzën superseksi të akëcil njeriut, thuajse vajzës nuk kishin mundur t’i gjejnë ndonjë cilësi tjetër. Me rastin e Bajramit të Fitrit, shkruajnë se besimtarët po i falen Skënderbeut për të vluar pastaj tenxherja me larmi mendimesh e sharjesh të shfaqura haptas. Po këta vrasës të publicistikës dhe gazetarisë sonë, me rastin e Bajramit të Kurbanit shpërndanë një lajm të rrejshëm për mbulimin e Skënderbeut prej besimtarëve. Ç’të shohësh, fyerje, shpifje dhe davaritje të urrejtjes fetare gjithandej. Tenxherja edhe njëherë gurgulli furishëm, mirëpo gjellën brenda saj askush nuk mundi ta hante, ngaqë ishte djegur dhe në vend të njerëzve atë e hëngrën krimbat.

Gjithsesi, mundësitë e mëdha për t’u shprehur, hodhën shumëçka në pah, shumë fytyra të shfytyruara dhe përgjithësisht rravguan ngjyrat e diturisë me zhurmat shurdhuese të paditurisë. Ende nuk janë mësuar mirë të lexojnë, por nuk i bëhet fare vonë të shkruajnë statuse nga më të llojllojta në facebook, duke ia mbuluar vlerën pak atyre njerëzve të cilët mirëfilli shkruajnë. Për shkak se shoqërisë sonë dukshëm i mungojnë gazetarët me fakultet të gazetarisë dhe për shkak të papunësisë së lartë, shumëkush mori detyrën e gazetarit, paçka se fakulteti i kryer as për së afërmi nuk përkon me profesionin dhe misionin e gazetarit. Fjala vjen, gazetari me fakultet të bujqësisë merret me bërjen e lajmeve të politikave ndërkombëtare. Për më keq, të merr në intervistë gazetari me fakultet të veterinarisë. Vështirë është të mos duket vetja kafshë, ngaqë gjendesh pranë mjekut të kafshëve. Pikërisht kjo shpurë gazetarësh, analistë i quajti edhe ata që në jetën e tyre kishin shkruar vetëm dy shkrime; njërin në përkrahje të partisë që ia kishte dhuruar pak misër pulave të tij dhe shkrimi tjetër lidhej me shprehjen e dashurisë ndaj figurave historike, që sa herë kishte ndërruar regjimi, ato figura pandeheshin si kolosë të tharmit të tyre ideologjik.

Mjaftojnë dy fjalë të mësuara përmendsh sa për ta hedhur incizimin në youtube. Dy fjalët e bukura sakaq mbaruan, mirëpo jo edhe injoranca e tyre se pas atyre dy fjalëve radhën e kishin broçkullat, përçudnimet dhe dërdëllitjet e tyre. Aq shumë njeriu has në ligjërata dhe këshilla në youtube, saqë vështirë është bërë ta gjesh ndonjë të duhur që përkon me rregullat pedagogjike dhe gjuhësore të ligjërimit. Kryesorja të thonë diçka, kurse se si thuhet ajo dhe çka synohet me atë, besoj se as vetë ata nuk e dinë një gjë të tillë. Nuk arrijnë ta kuptojnë se tregu i medies është i gjerë sa një botë, kurse ata përgatiten vetëm për një shtresë a grupim të ngushtë, mirëpo harrojnë se publikimi i atyre ligjërata në youtube, apo në ndonjë program televiziv, ndërfutë shtresa të ndryshme, ndërsa edhe vetë ata e pranojnë se metodologjia dhe përgatitja e tyre nuk mund t’i përballojë shtresat e ndryshme të shoqërisë dhe shoqëritë e ndryshme në botë. Megjithatë, nuk këndellën. Shumë më mirë do të ishte që fillimisht ta lartësojnë shkallën e njohurive dhe të diturive të veta, po ashtu edhe të pranishmëve që gjenden para tij, të cilët posaçërisht kanë ardhur t’i dëgjojnë ata, njëherësh duke mos i përdorur fare kamerat.

Rrjedhimisht, iu shmangën blerjes dhe furnizimit, duke u dhënë tërësisht pas shitjes dhe pritjes së lavdërimeve. Me rëndësi të shes apo të shpërndaj dituri, pak punë nëse në depon time edhe grimcat e diturisë kanë filluar të mos shihen. Nuk lexojnë, tërë ditën qëndrojnë rrugëve dhe nëpër kafene, duke dëgjuar gjithfarë bisedash dhe pastaj të njëjtat biseda pa asnjë skuqje të fytyrës i shesin si analiza burimore dhe të duhura për ta kuptuar gjendjen në të cilën gjendet vendi ynë.

Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jemi në bashkëbisedim të drejtpërdrejtë edhe me shoqërinë e shtresave të ndryshme, por jo ky qëndrim të jetë burim i vetëm i informacioneve, aq më tepër të jetë mbështetje e vetme për gjërat që kërkojnë mendime dhe analiza të thella. Kësisoj, doli puna që të gjithë u bëmë analistë, gazetarë, por jo edhe lexues të dinjitetshëm dhe të vendosur, jo edhe publicistë të cilët para se të sheshojnë diçka, lexojnë dhe analizojnë shumëçka. Për pasojë, nuk arritëm ta njoftojmë lexuesin e paktë si duhet, kurse vetëdijen e shoqërisë në vend se ta lartësojmë në gurin më të lartë, trishtueshëm atë e gurëzuam me gurët më të rëndë. Tenxherja po vlon prej mendimeve, por mendimet nuk është punë të bëhen gati për ushqim të atyre që po presin të uritur në sofrën shqiptare.

Postime të Ngjajshme