` . Të pafajshmit e Kumanovës kërkojnë dëmshpërblim (Video) – TV-SHENJA

Të pafajshmit e Kumanovës kërkojnë dëmshpërblim (Video)

Një mijë denarë është vlera monetare për dëmshpërblim material që parashihet për të liruarit nga “Lagjen e Trimave”.  Jo vetëm kaq, avokati mbrojtës Asmir Alispahiç sqaron se ata kanë të drejtë të kërkojnë edhe dëmshpërblim jomaterial për vetë ata dhe anëtarët tjerë të familjes.

ASMIR ALISPAHIÇ, AVOKAT

“Ligji për marrëdhënie detyruese është i qartë. Të akuzuarit, ose tashmë të liruarit kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim material dhe jo material. Në pjesën e dëmshpërblimit, sipas avokatëve dhe sipas vendimeve të legjislacionit tonë, për një ditë burg parashihet dëmshpërblim me nga 1000 denarë, vlerë monetare. Ndërsa në pjesën e dëmshpërblimit jomaterial mund të kërkohet dëmshpërblim për pasojat nga stresi të vetë të akuzurëve ose tashmë të liruarëve dhe pjestarëve të tjerë të familjes”.

Alispahiç më tej shpjegon se për të ardhur deri tek kjo fazë është e nevojshme një procedurë. Fillimisht ai tha se duhet pritur që vendimi i gjykatës të bëhet i plotëfuqishëm, pastaj kur të bëhet i plotëfuqishëm, ata kanë të drejtë që në afat kohor prej 3 vitesh të kërkojnë dëmshpërblim.

Asmir Alispahiç, avokat

“Në bazë të ligjit për procedurë penale, prokuroria ka të drejtë ankese pas marrjes së vendimit në formë të shkruar kundër këtij vendimi. Ne do ta presim vendimin e shkruar dhe të shohim nëse proluroria do të parashtroj ankesë, në qoftë se nuk parashtrohet ankesë në afat prej 15 ditësh, vendimi bëhet i plotëfuqishëm, pastaj në bazë të ligjit për marrëdhënie detyruese kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim material dhe jo materia”.

Ky detyrim pastaj, siç tha avokati bie në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, ose më konkretisht Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve. Ndërkaq, familjarët shprehen se asgjë nuk mund të këmbejë stresin dhe frikën që u është shkaktuar atyre jo vetëm gjatë procesit të gjykimit, por edhe në momentin që ata janë arrestuar në sy të fëmijëve. Megjithatë, meqë një dëmshpërblim material ua  mundëson ligji, ata tashmë kanë biseduar me avokatët e tyre për ta kërkuar dhe shfrytëzuar këtë të drejtë. Emine Ismaili /SHENJA/