` . Të mbetesh në trenin e fundit…! – TV-SHENJA

Të mbetesh në trenin e fundit…!

Rruga e Maqedonisë ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, e përshkuar me turbulenca të brendshme dhe obstruksione të jashtme. Vendet e Ballkanit, të cilat kanë mbetur në “vagonin e fundit” të “trenit për Evropë”, mbeten të zhgënjyera me kriteret e pafund të BE-së, dhe sidomos me dinamikën e pranimit, që shuan çdo optimizëm

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Janë bërë më shumë se 15 vjet qëkur Maqedonia e ka nënshkruar Marrëveshjen për Asocim Stabilzim, si një hap të parë inkurajues drejt Bashkimit Evropian dhe sot, në vitin 2018, paralajmërimi më inkurajues për vendet e Ballkanit dhe për Maqedoninë, është viti 2025! T’u kishte thënë në vitin 2001 kryeministri atëhershëm Lubço Georgievski qytetarëve të vet se kjo marrëveshje është hap drejt integrimit që do të ndodhë pas 25 vjetësh, shumëkush do ta kishte shpallur sharlatan, sepse të nisish një rrugëtim optimist dhe ta dish se ai do të zgjasë me dekada, cila udhëheqje normale do ta kishte nisur!?
Por, a thua e gjithë kjo nuk i ngjan asaj përrallës popullore, kur njëri i kishte hipur në shpinë shokut (me të cilin ndërroheshin gjersa të përfundonte kënga) për ta mbajtur gjersa ta mbaronte këngën dhe ia kishte krisur “tralalalasë”, e cila s’kishte pasur të sosur! Me gjasë, kjo stërzgjatje patjetër t’i ngjasojë asaj kënge pa mbarim, sepse vendet, qeveritë e, sidomos, popujt janë gjithnjë e më të frustruar për këtë prolongim “të pamerituar”, për këtë ndëshkim nga ata (vendet anëtare të BE-së) që me dërhem shikojnë çdo plotësim të kushteve për hyrje në BE.

Kriteret e BE-së si llastik!

Është për t’iu kthyer frustracionit që e përmenda, sepse qytetarët e këtyre vendeve janë vërtet të frustruar, siç janë edhe qeveritë e tyre pas çdo raporti për përparim, kur madje mungon edhe intenca për t’i notuar gjërat e mira dhe ato negative për çdo vend dhe shpesh duket se i ngjajnë veja vesë. Vendet e Ballkanit, të cilat kanë mbetur në “vagonin e fundit” të “trenit për Evropë”, mbeten të zhgënjyera me kriteret e pafund të BE-së dhe, sidomos, me dinamikën e pranimit, që shuan çdo optimizëm.
Konsolidimi i shtetit juridik, sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit, rregullimi i marrëdhënieve me fqinjët…, disa nga kushtet që u janë vënë si pranga vendeve ballkanike, janë parakushte për një shoqëri të mirëfilltë demokratike dhe për rajon pa konteste. Por, shpesh kur në mënyrë decidive përmenden nga zyrtarët e lartë evropianë, shumëkush do të kishte thënë se pikërisht në këto çështje shumë nga vendet anëtare qëndrojnë larg vendeve të Ballkanit. Për marrëdhëniet me fqinjët, bie fjala a thua Shqipëria e Maqedonia janë më pak fajtore se Greqia për marrëdhëniet me të, ose Kosova më pak se Serbia, ose Bullgaria më pak se Maqedonia?! Por, edhe te standardet e tjera demokratike, me çka është më e avancuar, bie fjala, Greqia, në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave kundrejt Shqipërisë ose Maqedonisë.
BE-ja me të drejtë kërkon që në shtetet aspirate së pari të funksionojë shteti juridik, e pastaj ato të pranohen në BE. Ajo është për të mirën e tyre edhe sikur të mos donin të bëhen pjesë e familjes evropiane. Por, si funksionon shteti juridik në BE, bie fjala, në kontekst të kontestit greko-maqedonas për emrin? Me marrëveshjen e përkohshme të vitit 1995, një nga pikat kyçe të saj është që Greqia detyrohet që të mos e pengojë inkuadrimin e Maqedonisë në organizmat ndërkombëtare, por kjo anëtare e BE-së vazhdon ta bëjë në mënyrë të paturpshme gjatë dy dekada e gjysmë. Madje, edhe pas padisë së Maqedonisë dhe vendimit të Gjykatës së të Drejtës në Hagë ku Greqia shpallet fajtore për pengimin e Maqedonisë (në NATO dhe BE), Bashkimi Evropian që do të duhej ta respektonte një vendim të tillë, nuk lëvizi as me gishtin e vogël që ta disiplinojë anëtaren e vet. Kjo, para së gjithash, në emër të respektimit të së drejtës, pasi një gjykatë ndërkombëtare ka sjellë një vendim, i cili edhe nëse nuk është detyrues, ai ia jep të drejtën morale njërës palë si e dëmtuar. Imponimi i kushtit të zgjidhjes së kontesteve ndërfqinjësore, në këtë rast, praktikisht është një përkrahje për më të fortit. Edhe marrëveshja për fqinjësi midis Bullgarisë (anëtare e BE-së) po ashtu është një lëshim ose sakrificë nga pala më e dobët, duke u detyruar të bëjë korrigjime në trajtesën e temave historike.
Mund të thuhet se Bashkimi Evropian nuk ka mekanizëm se si t’u ndihmojë shteteve si Maqedonia, kur një anëtare e tyre konteston diçka, sepse vendimet në organet e saj merren me konsensus dhe kjo është e vërtetë. Por, pikërisht ky mekanizëm i vendosjes i frustron aspirantët, kur për hiret e ndonjë anëtareje bëhet peng gjithë Bashkimi Evropian. Problemi i trashëguar nga e kaluara historike, që vendet evropiane që nuk ishin pjesë e bllokut komunist patën përparësi në themelimin e BE-së, në anën tjetër, nuk i bën ato domosdosshmërisht në çdo pikëpamje më të avancuara në fushën e të drejtave të njeriut, madje edhe në atë të shtetit ligjor. Një nga ato shtete që është larg standardeve të disa shteteve aspirante, është Greqia, ku diskriminimi i trashëguar nga e kaluara, është pjesë konstitucionale, kundrejt Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, ku nga e keqja ideologjike, megjithatë trashëguan standarde më të larta të të drejtave të bashkësive etnike (e drejta e shkollimit në gjuhë amtare, përdorimi i gjuhës…), që jo vetëm Greqia, por dhe shumë vende të Bashkimit Evropian, mund ta mësojnë.

Zig-zaket e Maqedonisë

Rruga e Maqedonisë ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, e përshkuar me turbulenca të brendshme dhe obstruksione të jashtme. Fill pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Asocim dhe Stabilizim, ndodhi konflikti, i cili për disa vite ia ngadalësoi Maqedonisë ecjen drejt BE-së dhe NATO-s, sepse u humb mjaft kohë në rikthimin e besimit dhe harmonizimin e raporteve ndëretnike dhe implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo marrëveshja ishte një nga kryefjalët e evropianëve edhe në kontekst të integrimeve. Por, përveç ngecjeve në implementimin e saj, ajo ndikoi edhe në shpërqendrimin e institucioneve për t’iu përgjigjur kërkesave në fushat e tjera. Mirëpo, Bashkimi Evropian, sikundër edhe NATO, kishte periudha kur ishte në anën e Maqedonisë për ta inkurajuar dhe, mund të thuhet, se qeverisja e LSDM-së me BDI-në në periudhën 2002-2006, sidomos në kohën kur kryeministër u bë Vllado Buçkovskit arriti përparim në fitimin e simpative ndërkombëtare, për çka tre vjet më vonë, edhe mori nota pozitive. Gjërat morën teposhtëzën pasi në vitin 2006 erdhi në pushtet VMRO-DPMNE-ja me liderin e ri Nikolla Gruevski, kur do të bëhen shumë lëvizje politike të dëmshme që do ta largojnë Maqedoninë nga kursi euroatlantik.
Handikapi kryesor i Maqedonisë gjithsesi ka qenë dhe ka mbetur kontesti me Greqinë dhe, pikërisht, këtij kontesti VMRO-ja do t’i japë një “shtysë” prapa, duke filluar të ashtuquajturin “antikuzim” të identitetit, duke mos u kënaqur vetëm me “çetën e profetëve” që do ta fillonin rishkrimin e të kaluarës, duke ikur nga origjina sllave për te maqedonasit e vjetër, por do të kujdesen që shenjat antike t’i vendosin gjithkund ku është e mundur, që nga emrat e stadiumeve e rrugëve, e gjer te sheshi i Shkupit, ku “hingëllojnë” kuajt e Filipit e Lekës bashkë me to në bronz në përmasa gjigante. Me këtë iu dha mjaft argumente Greqisë që t’i bindë edhe ato vende që kishin simpati për hallin e Maqedonisë që të zmbrapsen ose heshtazi ta përkrahin Greqinë, sepse vërtet problemi i kontestit të emrit qenka në Shkup e jo në Athinë!
Kjo është një nga ato kthesat prapa në kontestin e emrit, që domosdo do ta pengonin ecjen e Maqedonisë, por paradoksi është se me këtë projekt, një kohë të gjatë, VMRO-ja sikur fitoi “kredi” te populli i vet si “mbrojtëse e denjë” e identitetit dhe interesave kombëtare! Ky forcim karshi “kapitulantëve” dhe “shitësve të interesave kombëtare” bëri që për më shumë se një dekadë VMRO-ja e fortë e Gruevskit të mos ketë opozitë të mirëfilltë, me çka e forcoi pushtetin absolut, por kështu edhe do të devijojnë punët në kuadër të kritereve që duhej t’i plotësojë Maqedonia. Në këtë periudhë, jo vetëm që nuk u përmirësua gjendja me sundimin e ligjit, por edhe më keq: gjithë pushteti gjyqësor ishte i kontrolluar nga ekzekutivi. Gjatë kësaj kohe janë shënuar edhe shumë raste eklatante të gjyqësisë së varur. Po në këtë qeverisje do të përkeqësohet situata edhe në media, kur me motive revanshiste do të mbyllet kanali më i fortë televiziv, A1, ndërkaq me para të buxhetit, në emër të aksioneve promovuese, do të forcohen mediat që do ta përkrahin qeverinë (Kanal 5, Sitel, Alfa, Nova…). Në këtë pushtet absolut, natyrisht, nuk do të mbeten pa u vërejtur edhe keqpërdorimet e tjera të pushtetit, siç është korrupsioni ose dyshimi që hodhi opozita e mëparshme për keqpërdorim të mjeteve teknike të shërbimeve të sigurisë për përgjime masovike.

Qeveria e re me impulse të reja

Të gjitha këto nuk kishte se si të mos e largojnë Maqedoninë nga BE-ja dhe NATO-ja dhe, me këtë trashëgimi, në vitin 2017 dhe tash më 2018 duhet të merret qeveria e re, e cila në këtë plan ka dhënë shenja krejtësisht të tjera, sidomos në kontekst të zgjidhjes së problemit të emrit. Nëse ky kontekst tejkalohet, siç dhe janë shenjat, atëherë do të vijmë në situatë që të shihet a do të kryhen edhe detyrat e tjera të shtëpisë, ato të reformave të domosdoshme për t’u plotësuar kriteret. Në këtë pikë çështjet janë më të komplikuara seç janë dukur në fillim. Një grup punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë pothuajse u shpërbë nga dorëheqjet e njëpasnjëshme të ekspertëve, për të ndërhyrë pastaj kryeministri Zoran Zaev, duke bërë një tjetër grup të ri pune dhe duke e marrë atë nën ombrellën e tij. Vetë përbërja e tij, ku janë futur edhe ekspertë që kanë qenë fajtorë për mosfunksionimin e drejtësisë në të kaluarën, nuk jep shumë shpresë, por kjo mbetet ta shohim.
Komisioni Evropian, pak kohë më parë, solli edhe strategjinë për perspektivën e zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, me të cilën “dëshmohet ardhmëria evropiane e regjionit si investim gjeostrategjik për Evropë stabile dhe të bashkuar, që bazohet në vlerat e përbashkëta”. Por, se si do të ecë secili vend, kjo do të varet nga meritat e tyre veç e veç. Kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker (Jean-Claude Juncker) do të thotë se “investimi në stabilitet dhe prosperitet të Ballkanit, në të vërtetë është investim në sigurinë dhe ardhmërinë e Unionit tonë… Suksesi do të varet nga meritat e tyre objektive. Komisioni Evropian do të jetë rigoroz, por i ndershëm”. Sipas eurokomisarit për Zgjerim, Johanes Han, dyert e Unionit i mbeten të hapura Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë “është i rrethuar nga BE-ja, dhe se qëllimi është i sinqertë, madje se me ‘qasjen e re’ dhe me masat konkrete përforcohet procesi i zgjerimit, i cili kërkon edhe përpjekje të besueshme dhe reforma, sidomos me qëllim të forcimit të sundimit të së drejtës.”
Në shikim të parë duket se Maqedonisë nuk i ka mbetur shumë rrugë për të ecur drejt BE-së (nëse harrojmë se edhe nëse gjithçka bëhet, para vitit 2025 s’ka as erë as shi nga BE-ja!). Maqedonia e ka tejkaluar shumicën e fazave të anëtarësimit. Asaj i ka mbetur edhe këto faza: marrja e datës për fillimin e negociatave, fillimi i negociatave, mbarimi i negociatave, nënshkrimi i Traktatit për Anëtarësim dhe, në fund, anëtarësimi. Momentalisht, Maqedonia është në fazën e rekomandimit nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave, që së pari e ka marrë në vitin 2009, dhe ka ngecur aty për shkak të bllokadës nga Greqia. Nëse e tejkalon problemin e emrit dhe i fillon negociatat për anëtarësim, atëherë do të kalojnë disa vite deri në anëtarësim. Sa për krahasim (me vite të rrumbullakuara), Finlandës kjo i ka zgjatur 2 vjet, Çekisë 6 vjet, Bullgarisë 7 vjet, ndërsa Kroacisë 8 vjet. Duke pasur parasysh se këto shtete janë anëtarësuar më herët, kur ka pasur më pak gjëra për t’i përshtatur me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe, në përgjithësi, kanë qenë më mirë të përgatitura, pritet që Maqedonisë negociatat t’i zgjasin më shumë edhe se varianti më pesimist i përmendur këtu, ai i Kroacisë. Do të ishte mrekulli nëse Maqedonia arrin të anëtarësohet në vitin 2025 së bashku me Malin e Zi dhe Serbinë. Tash për tash, Maqedonisë i mbetet projekti më ambicioz i qeverisë aktuale, edhe për nga shtrirja edhe për nga koha – 3-6-9 (muaj), që më shumë mund të jetë vullnet sesa mundësi reale për t’iu përmbajtur. Por, si për vendet e tjera, ashtu edhe për Maqedoninë, mbetet të bëhen reforma në gjyqësi, të luftohet korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar, ndërsa reformat në sektorin publik të shoqërohen me rezultate konkrete, por edhe të përmirësohet funksionimi i institucioneve demokratike. Por, të patjetërsueshme janë edhe reformat në ekonomi, për t’i tejkaluar kështu mangësitë strukturore, nivelin e ulët të konkurrencës dhe papunësinë e madhe.
Për t’i bërë të gjitha këto, Maqedonisë i duhet më shumë se vullnet dhe deklarata, sepse nevojitet invencë, profesionalizëm, energji, dije… Është për t’u habitur që qytetarët e Maqedonisë ende e ruajnë adhurimin ndaj BE-së, përkundër periudhave kur, për shkak të obstruksioneve, skepticizmi ka mundur të shtohet, sidomos edhe për shkak të disa rishikimeve dhe përpjekjeve për riorientime strategjike viteve të fundit, të cilat nuk janë pjesë e programit politik të qeverisë aktuale.