` . Të mbështesim Misionin e Agron Tufës - TV-SHENJA

Të mbështesim Misionin e Agron Tufës

Fjala e Mithat Gashit
1 shkurt 2020

“When they all die, who will tell the story?”
(Kur të gjithë të vdesin, kush ka me e tregue historinë e tyne?)
Tue hy në ketë takim, të organizuem prej Shoqatës së Shkrimtarëve në mbështetje të Z. Agron Tufa, i cili u detyrue me kërkue azil politik në Zvicër, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme e të lloj-llojshme, prej ish-komunistëve në pushtet në Shqipni, m’u kujtue çka pata lexue gjatë nji vizite në hymje të nji muzeu të hebrejve para dhjetë vjetëve: “When they all die, who will tell the story?” (Kur të gjithë të vdesin, kush ka me e tregue historinë e tyne?). E prej asaj kohe me ka mbetë në vëmendje kujdesi për njerezit që kane perjetue krimet e komunizmit e të cilet po vdesin dita-dites, pa e tregue historinë e tyne. Gjatë këtyne 30 vjetëve, vetëm në familjen time, kenë vdekë mbi 20 dëshmitarë, pësues të krimeve të komunistëve, qysh prej kur komunistët e morën pushtetin në 1944.

Me këto mendime në krye, në hymjen e ndërtesës ku mbahej takimi, u gjeta përballë disa miqve të vjetër, si dhuratë e përmbushjes së ndjesive obliguese për temen për të cilen edhe organizohej ky takim. Z. Shaban Lajçi, baba i Valonit, njij studenti aktiv që para 10-12 vjetësh ka studjue në Lehman College, ku unë isha dhe jam mësimdhanës. Valoni drejtonte shoqatën e studentëve për të cilën shërbeja si pedagog këshillues. Nji ish-student i vitit 2004, Z. Halim Gjoleka, me të cilin nuk jam pa për ma se 15 vjet, si dhe me disa ish kolegë me të cilët kam bashkëpunue në Vatër.

Meqenëse unë jam pjesë e Vatrës tradicionale, e cila do ta mbajë Kuvendin në New York me 25 prill, due të theksoj që Komisioni Vatra, që po merret me organizimin e Kuvendit, ka lëshue nji deklaratë në mbështetje të Z. Agron Tufa, ku dhe ka pasë dy takime në Washington DC, njenin me “Victims of Communism Memorial” dhe tjetrin me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.
Mbas përshendetjes me Z. Shaban Lajçi, i drejtova edhe nji pyetje: “Cila asht arsyeje që të solli me marrë pjesë në këtë takim? Ai ma spjegoi arsyen e vet, por të njajtes pyetje të tij, nuk munda me iu pergjigje por shkak te fillimit të takimit. E meqenëse i mbeta borxh Z. Lajçi në këtë përgjigje, mendova me e dhanë publikisht, mbassi kisha dashtë me e shprehë mendimin tim edhe për të gjithë ju, të nderuem pjesmarrës.

Agron Tufa, nji prej shkrimtareve ma te njoftun si dhe drejtor i Institutit per Studimin e Krimeve te Komunizmit u largue prej atdheut, si pasoje e kërcënimeve për shkak të detyrës që e bante me përpikëni. Në nji pronancim Tufa shprehet: “Kjo është bërë për shkak të detyrës dhe dëshirës së një segmenti të trashëgimisë Enveristë, të cilët kërkojnë rikthimin e diktaturës më të pistë të shekullit. Përmes padisë unë kërkoj që drejtësia e shtetit tonë ti vendose përpara provave të pakundërshtueshme dhe tu gjej vendin shpifjeve dhe kërcënimeve dhe frymës përçarëse rracore mes shoqërisë tonë për rikthimin edhe më të egër të luftës së klasave…”
E pra, arsyeja pse une jam ketu, perveç solidarizimit me Z. Tufa, ne aspektin njerëzor, asht sepse mbështes misionin e Z. Agron Tufa, misionin për të vërteten. Mbledhja e dëshmive dhe verifikimi e krimeve të komunizmit, ishte misioni i tij, punë të cilën Z. Tufa po e bante me seriozitet dhe përgjegjësi të naltë njerëzore e morale. Nuk asht e rastit që mue me len mbresa të veçanta veprimtaria e tij. Për mue asht diçka edhe personale. Dy gjyshnit e mi ishin anti-komunistë. Njeni u detyrue me u arratise prej vendit në nandor te 1944-ës, ndërsa tjetri u vra në luftë në nji përleshje me brigadat komuniste jugosllave gjatë rrugëtimit për në Greqi, në shtator te 1946-ës. Kur brigada e pestë hyni në Lumë në 1944, shtëpijat e gjyshit tim u dogjën dhe pak muej ma vonë familja u internue në Berat. Kështu filloi kalvari i përsekutimit komunist në familjen time. E ilustrova me kete rast, ate qe ka ndodhe me qinda-mija shqiptare me ardhjen e regjimit komunist ne Shqipni.
Ju që keni lindë dhe jeni rritë në diktaturën komuniste, i dini shum mirë krimet që ka krye ai sistem.
Problemi asht që në Shqipni ka mungue vullneti politik me u marrë seriozisht me krimet e komunizmit. Si në të gjitha vendet komuniste, edhe në Shqipni u transferue pushteti politik (e madje edhe ekonomik), në mënyrë të kalkulueme. Ish-komunistët dhe njerëzit e tyne e planifikuen në mënyrë sistematike ruejtjen e fuqisë. Ne nuk mund të presim nga dikush, që e ka pasë babën kriminel, të lejojë që krimet e tij të verifikohen. Prandej, nuk duhet me u habitë me kërcenimet që i janë ba Z. Agron Tufa. Po e citoj nji fjali, të cilën e përmend po Agron Tufa, të poetit të denuem prej komunisëve, Visar Zhiti: “Demokracinë” u thirren ta bëjnë po ata njerëz që kishin bërë Diktaturën”!
Po ne si komunitet në SHBA, a kemi ba mjaftueshëm në mbështetje të këtij misioni? Sigurisht që jo. Duhet të kishim ba ma shum në mbështetje të misionit të Agron Tufës. E sidomos, mbassi jeta e tij u kërcenue haptas edhe prej njerëzve të lidhun me pushtetin e vjetër e që paradoksalisht, janë në detyra e pozita të nalta edhe sot, Ata u paraqiten agresivisht e me shumicë. Vlerësoj se asht e pafalëshme heshtja jonë edhe këtu në vendin model të lirisë e demokracisë.
Z. Tufa botoi nji dokument, ku dëshmohet se baba i ish-kryetarit të Vatrës, që shërbente si prokuror në Shkodër, kërkonte dënimin me vdekje të dikuj, i cili ishte kapë për tentativë arratisjeje. Për këtë arsye, Vatra heshti. Nuk lëshoi deklaratë në mbështetje të Z. Tufa. Si e thash ma nalt, nuk mund të presim nga dikush, që e ka pasë babën kriminel, të lejojë që krimet e tij të verifikohen. Prandaj, ne si shqiptarë nuk do të kemi progres, nëse nuk përballemi me të vërteten. Duhet ta shohim vetveten në pasqyrë. Të shohim mirë se kush jemi. Të pranojmë dhe të ballafaqohemi me të mirat dhe me të metat që kemi. Vetëm atëherë do të ecim përpara.

Nuk mundemi me i ikë obligimit moral nëse jemi të përgjegjshëm e të vetëdijshëm për t’i paraqitë të vertetat e vuejtjeve të padrejta nga komunizmi. Ai mision për të cilin u përball nji Agron, duhet të inspirojë shum të tjerë “Agrona” që e kanë integritetin njerëzor e moralin e mjaftueshem për të mos lejue që dëshmitë e të mbijetuemve të komunizmit, të mos varrosen së bashku me ta. Ju jeni artistë e shkrimtarë, merreni me letërsi e shkrime. E keni detyrë që të paktën të përshkrueni kujtimet tueja në lidhje me jetën në diktaturën komuniste si në Shqipi ashtu edhe në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni, atë çka keni pa me sy dhe keni ndigjue me veshë.

Faleminderës.
Mithat Gashi