` . A do të identifikohen shqiptarët etnikë me Maqedoninë? – TV-SHENJA

A do të identifikohen shqiptarët etnikë me Maqedoninë?

Në vend të varfërisë, dëshiron një standard jetësor që do t’i mundësojë pushime verore, dimërore e pse jo edhe shopping-vizita në qendrat e ndryshme të Evropës. Një shtet ku funksionon rendi ligjor, ku ligjet janë në funksion të qytetarit dhe ku gjyqësia gjykon në bazë të po atyre ligjeve. Një vend ku ligji do të vlejë njëjtë për të gjithë, ku nuk do të ketë “më të barabartë se të barabartit”.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Që në fillim do të marr të drejtën të përmbledh dëshirat që qytetarët e Maqedonisë i kanë lidhur me atë se si do të duhej të duket shteti ku jetojnë, pa dallim përkatësie etnike, religjioze, partiake apo gjinore. Duke u nisur nga rezultatet e hulumtimeve të opinionit publik, por edhe nga kontaktet e drejtpërdrejta, mund të them se qytetari dëshiron një Maqedoni të zhvilluar ekonomikisht, për të pasur të hyra të mjaftueshme për një jetë të mirë. Ai dëshiron një Maqedoni sociale, e cila do t’i dalë në mbështetje sa herë që do të gjendet në nevojë. Një atdhe me sistem funksional shëndetësor, ku nuk do të jetë viktimë, por pacient që meriton një përkujdesje maksimale mjekësore. Në vend të partizimit shkatërrues të sistemit arsimor, ai dëshiron një arsim cilësor parashkollor, fillor, të mesëm dhe të lartë. Në vend të varfërisë, dëshiron një standard jetësor, që do t’i mundësojë pushime verore, dimërore e pse jo edhe shopping-vizita në qendrat e ndryshme të Evropës. Një shtet ku funksionon rendi ligjor, ku ligjet janë në funksion të qytetarit dhe ku gjyqësia gjykon në bazë të po atyre ligjeve. Një vend ku ligji do të vlejë njëjtë për të gjithë, ku nuk do të ketë “më të barabartë se të barabartit”. Ai dëshiron një atdhe që nuk do të jetë strofull i kriminelëve dhe të kamufluar me vellon e patriotizmit, por i qytetarëve të vetëdijshëm dhe aktivë për shtetin e përbashkët. Një atdhe që do ta dojë, e jo që do ta urrejë dhe të ikë sa më larg prej tij. Një shtet që do t’i unifikojë dallimet e jo t’i thellojë ndarjet. Një Maqedoni që do të jetë njëlloj e të gjithë qytetarëve, e të gjitha etnive, e religjioneve dhe grupeve të tjera, por që mbi të gjitha në fokus ta ketë njeriun, pra vetë qytetarin si sovran i shtetit. Një shtet që do të mbajë llogari për të gjitha dallimet kulturore të qytetarëve të saj, duke u mundësuar një ambient komod të jetojnë në një kohezion të plotë të gjitha identitetet e ndryshme kulturore, që i bashkon shteti i përbashkët.

Njeriu në fokus

Kjo përmbledhje e elementeve që do ta kishin përbërë Maqedoninë ideale nuk do të thotë se është i pranueshëm për të gjithë. Ka një grup të konsiderueshëm të qytetarëve që, megjithatë, promovojnë prioritete tjeratë , që janë rezultat i propagandimit të ideologjive për qëllime lukrative. Dëshira e tyre janë shtetet e mëdha, etnikisht të pastra, ku do të flitej një gjuhë, ku do të ketë vetëm një kulturë e religjion. Ëndrra e tyre, në fakt, është rruga që sjell konflikte, luftëra e gjakderdhje. Shkatërrimi i Jugosllavisë erdhi pikërisht si rezultat i tentimit për të vënë në zbatim ëndrrat e imponuara nga propagandat manipulative etnocentriste. Rezultatet e këtij shkatërrimi, ku humbën jetën mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, duhej të ishin mësim për kokat emocionale se gjithmonë duhet bërë kompromis midis dëshirës dhe mundësisë.

Një kompromis të tillë duhet bërë edhe kokat racionale në raport me Maqedoninë ideale. Por, dallimi midis ëndrrave të kokave emocionale dhe atyre racionale është se të parat sjellin shkatërrim, kurse të dytat zhvillim. Ne që dëshirojmë që Maqedonia të jetë e të gjithë shtetasve, natyrisht se duhet të mëtojmë idealen, pra përtej të mundshmes. Arritja e kësaj bëhet vetëm me sistem të drejtë shoqëror, politik e juridik dhe vënie e fokusit te njeriu, në vend se te grupimi ideologjik. Maqedonia duhet të jetë një shtet i qytetarit të lirë, të vetëdijshëm dhe aktiv. Patjetër të jetë shteti i qytetarëve të barabartë, ku pjesëtarët e etnive maqedonase, shqiptare, turke, vllahe, serbe, boshnjake, rome ose egjiptiane do të kenë mundësi të njëjta të vetërealizimit, zhvillimit dhe të ruajtjes së veçorive kulturore të tyre.

Koha e globalizimit, kur kemi një revolucion komunikimi dhe lëvizje të dendur të njerëzve të etnive të ndryshme në çdo cep të globit, i bën të pakuptimta idetë e shteteve etnikisht të pastra. Mundësia e shkollimit, bërjes së biznesit, jetesës ose edhe krijimit të familjes në shtetet tjera, është më e madhe se kurdoherë më parë, gjë që imponon një kuptim tjetër mbi shtetin, kombin dhe sovranitetin. Krijimi i unioneve ndërshtetërore, si ai evropian, i ka bërë të padukshëm kufijtë e shteteve, të cilat deri para dhjetë dekadave ishin në kulmin e luftërave dhe armiqësive të përgjakshme. Zhvillimi tekniko-teknologjik ndikon që shtetet ose kombet e ndryshme të jenë më të hapura ndaj dallimeve, t’i njohin drejt “të tjerët” dhe t’i zhdukin paragjykimet që kanë qenë pengesë për ndërtimin e kanaleve komunikuese dhe bashkëpunuese.

Koncepti i shtetit (kombit) modern

Koncepti i shtetit ose kombit modern është i ngritur mbi premisa politike, duke përzgjedhur me kujdes të madh elementet që i bashkojnë qytetarët e përkatësive të ndryshme. Një realitet shumetnik i Maqedonisë duhet të jetë bazë për rikrijimin e shtetit, i cili do të ngjallte ndjenja identifikimi te çdo qytetar i saj. Krijimi i një ndjenje dashurie për Maqedoninë duhet nxitur nëpërmjet promovimit të një patriotizmi kushtetues, si një akt që bashkon të gjithë qytetarët me të gjitha dallimet që përfaqësojnë.

Maqedonia pa korrupsion do të ishte hapi më i rëndësishëm drejt krijimit të Maqedonisë ideale. Një shtet pa korrupsion është si një organizëm pa kancer. Nëse lajmërohet në pushtetin ekzekutiv, ai metastazon në të gjitha organet tjera, si ligjvënësi, gjyqësori, mediat, votuesi etj. Korrupsioni, njëjtë si kanceri, e paralizon shtetin. E shkatërron nga brenda, e bën të vdesë.

Për ta parandaluar shkatërrimin e një organizmi, duhet ta duash atë. Nëse dëshiron të shërohesh nga një sëmundje, duhet ta duash trupin tënd. Edhe me shtetin është e njëjta gjë – nëse e do, nuk e le të vidhet. Je alergjik ndaj çdo “virusi” apo “baktere” korruptive. Reagon menjëherë duke bërë çdo gjë që këto viruse e baktere të eliminohen. Në të gjitha vendet ku është kultivuar një dashuri e sinqertë ndaj shtetit, korrupsioni është në nivelin më të ulët. Gardianë të Danimarkës dhe shteteve skandinave janë qytetarët e saj, që reagojnë edhe në format më banale të korrupsionit. Një ministër danez vite më parë dha dorëheqje pasi e kishte përdorur apartamentin zyrtar për nevoja private. Opinioni e kishte dënuar këtë akt të keqpërdorimit të pronës dhe mjeteve publike, kurse ministri kishte dhënë dorëheqje. Zvicra shumetnike ka arritur të ndërtojë një patriotizëm kushtetues te qytetari i saj dhe një konkurrencë zhvillimore ndërmjet rajoneve të ndryshme të saj. Dashuria ndaj Zvicrës është diga që i mbron institucionet e këtij vendi nga korrupsioni rrënues, duke e bërë këtë vend një ndër më të zhvilluarit në botë.

Nëse institucionet në Maqedoni janë korruptuar deri në palcë, atëherë rrjedhimisht lind pyetja se çfarë prodhon patriotizmi në këtë shtet? Nëse u dëshmua një korrupsion masiv si në asnjë vend tjetër, por edhe një mungesë reagimi, atëherë a do të thotë kjo se qytetari i Maqedonisë nuk ka dashuri të sinqertë ndaj shtetit? Këto situata tregojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve kanë dashuri të rreme ndaj shtetit, kurse një pjesë e konsiderueshme e duan vetëm pushtetin, por jo edhe shtetin.

Identifikimi dhe identiteti

Në këtë drejtim, Maqedonia ideale do të ishte shteti të cilin shumica do ta dojë dhe do të identifikohej me mburrje. Identifikimi është më i rëndësishëm se identiteti. Duhet një elitë racionale dhe e matur politike, e cila do të ketë guxim ta bëjë këtë kapërcim të madh nga ngatërresat historike e ideologjike, në një zgjidhje funksionale e praktike. Të gjithë qytetarët e Maqedonisë i bashkon një liste e madhe e problemeve praktike. I bashkon kushtetuta, ligjet dhe institucionet që duhet të jenë në funksion të nevojave të qytetarit, e jo të ideologjive dhe grupeve të ndryshme të interesit. Të gjithë shtetasit e Maqedonisë i bashkon vizioni për një të ardhme më të mirë, për krijimin e një shteti të sigurt për fëmijët tanë, për arsim kualitativ, shëndetësi efikase dhe drejtësi funksionale. Përdorimi i gjuhëve është një çështje arkaike, që mbahet gjallë si problem shkaku i manipulimeve të politikës ditore dhe përfitimeve zgjedhore. Gjuha sot kuptohet vetëm si formë komunikimi dhe është shkarkuar nga mitet e ideologjitë që rëndonin pa nevojë mbi të. Më e rëndësishme se maqedonishtja ose shqipja, si forma komunikimi, është përmbajtja që përcillet nëpërmjet tyre.

Maqedonia ideale është shteti që di ta kapërcejë paqësisht çdo mosmarrëveshje ndëretnike, ndërreligjioze apo ndërpartiake. Është shteti i politikanëve vizionarë, që nuk do të luajnë me ndjenjat etnike dhe fetare të qytetarëve me qëllim të mbledhjes së votave. Është vendi i mediave që rregullohen nga etika e gazetarëve, e jo nga ligjet e shumta e gjobat marramendëse. Është shteti, institucionet e të cilëve paguhen, por edhe mbrohen nga ana e qytetarëve, kur bëhet fjalë për keqqeverisje. Një vend ideal nënkupton integrim, e jo izolim, nga strukturat euro-atlantike. Ideal është ai shtet që arrin ta ketë një dashuri të ndërsjellë me qytetarin. T’i dojë dhe ta duan. Kjo do të ishte Maqedonia ideale.