` . Të famshmit që i lindë partia, e të cilët më pas e “vrasin” nënën e vet! – TV-SHENJA

Të famshmit që i lindë partia, e të cilët më pas e “vrasin” nënën e vet!

Shkruan: Xhevdet POZHARI

‘Tallava’ muzika dhe politika, me gjasë janë dy veprimtaritë më të parapëlqyera në shoqërinë shqiptare. Kjo, mbase, pse tek ne qëmoti nuk dëgjohet zëri i këngëtares, por shikohet trupi i saj, njëjtë sikurse në politikë, ku nuk vlerësohet mençuria e politikanit, por libreza partiake që ai ka në xhep, e cila librezë ta mundëson të mos jetë e rëndësishme çka ke në kokë, por cilën çadër dhe emblemë partiake e ke si shenjë njohëse! Pra, kjo ndodh mbase pse muzika tallava, njëjtë si edhe politika, edhe të pavlerin, nga ‘askushi’ e bënë të jetë ‘dikushi’ dhe nga anonimi, të ngre në rrafshin e të famshmit të mëhallës.

Sigurisht, që të dy këto veprimtari kanë edhe një të mire shumë të rëndësishme: nga njeri batakxhi e barkthatë, ngutshëm të shndërron në më të pasurin e fisit. Pra, atyre të cilëve dikur iu lëshonin tinguj zorrët e uritura, nuk e kanë më problem si të ngopen me një byrek, por preokupim të vetëm ta kenë si t’u takojë një copë sa më e madhe e kulaçit të pushtetit.

Andaj, duke jetuar në një shoqëri kur ‘zejet’ më të preferuara e më fitimprurëse mbeten ato që të sigurojnë famë dhe pasurim të ngutshëm, nuk është e rastit që të preferuarit e muzikës tallava janë këngëtaret me gjoks dhe prapanicë të zhvilluar, ndërsa të parapëlqyerit e partive shqiptare janë “trutrashët”, të cilët posa bëhen të fortë e të famshëm, gjënë e parë që duan ta bëjnë, është t’i “vrasin” baballarët që i kanë ndihmuar të bëhen politikanë si dhe, ta marrin në duar, e të mos ndajnë me askënd, partinë e cila i ka lindur.

Pyetja logjike që shtrohet është se nga buron kjo prirje e politikanëve shqiptarë, të cilët posa e ndjejnë veten sadopak të fortë, t’i vërsulen partisë që i ka prodhuar, me qëllim që atë ta shndërrojnë në kompani private, ku secili do t’i ketë aksionet e tij, me të cilat do bëjnë kompromise në emër të “demokracisë së brendshme”. Por, në çastin që dështojnë ta përvetësojnë atë që mendojnë se u takon vetëm atyre, atëherë vërsulen ta copëtojnë partinë, që nga pjesët e saja të zënë fill themelimet e partive të reja.

Megjithatë, edhe shpjegimi i këtij fenomeni nuk është gjithaq i komplikuar, sidomos kur dihet fakti se partitë shqiptare kryesisht janë shndërruar në strehimore të individëve shumë ambicioz, por të cilët kryesisht janë njerëz të parealizuar në profesionet e tyre. Dhe thuajse partitë shqiptare morën trajtën e strehimores së njerëzve që ngutazi i kompensojnë të gjitha humbjet jetësore dhe ku nga ‘askushi’ mund të bëhen ‘dikushi’.

Andaj, jo rastësisht partitë shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni janë shndërruar në “nëna” që pjellin heronj të rrejshëm dhe, posa këta “heronj” bëhen të famshëm, ata shfaqin tendenca për ta vrarë ‘nënën’ parti që i lindi. Dhe kjo mbase e shpjegon edhe shpejtësinë me të cilën ngriten dhe zhbëhen partitë shqiptare.

Shembull konkret për këtë janë parti të panumërta të ndara në pjesën “me vulë” dhe atë “pa vulë”. Gjë që popullit ia pasqyron të vërtetën se drejtuesit e tyre partiak, së bashku me vulën e partisë në xhep, në ballë e kanë të vulosur edhe njollën e paturpësisë, që u takon atyre që harrojnë se pa votën e mbështetësve partiak, vështirë se dikush do e dinte se edhe ata jetojnë në mjediset tona.

Sidoqoftë, lehtësia me të cilën themelohen partitë, si dhe lehtësia me të cilën lindin dhe zhbëhen “heronjtë” tanë politikë dhe liderët partiak, shpalos të vërtetën se politikën e konsiderojmë si veprimtari më të lehtë, me të cilin mund të merret cilido individ i parealizuar. Në të njëjtën kohë, kjo shpjegon edhe faktin se edhe ne votuesit jemi të papërgjegjshëm ndaj vetvetes dhe i mbështesim edhe ata politikanë të cilët mendojnë se nuk ka gjë më të lehtë sesa të merresh me fatin e popullit tënd. Politikanë të cilët na sollën në situatën në të cilën ndodhemi: që shumë nga partitë tona të përfundojnë si lehona që i lindin “kopilët” e vet, ata të cilët ditën kur partia nuk do ua përmbush ambiciet e tyre individuale, e shkatërrojnë atë! Manifestimi i kësaj mendësie veçanërisht është i dhimbshëm kur shpërfaqet tek partitë shqiptare në Maqedoni, ngaqë përfituesit më të mëdhenj të grindjeve brendapartiake shqiptare, janë partitë maqedonase.

Po pra, politika dhe ‘tallava’ muzika janë veprimtari që ngutazi të bëjnë të pasur e të famshëm. Dhe përderisa tallava këngëtarët nuk dëmtojnë askënd, por ua shtojnë disponimin dëgjuesve të vet, ‘tallava’ politikanët e marrin në qafë popullin dhe votuesit. Ata madje i shkatërrojnë edhe partitë që i kanë themeluar, vetëm pse ato më nuk mund t’ua realizojnë ambiciet karrieriste dhe interesat personale. Me çka shihet qartë pse partitë shqiptare themelohen lehtë, por edhe me lehtë copëtohen e shkatërrohen: sepse themeluesit e tyre nuk kanë për qëllim realizimin e asaj që ua premtojnë votuesve, por atë që ua thotë xhepi dhe atë që ua kanë premtuar grave dhe dashnoreve të veta!