` . Të burgosurit politikë shqiptarë sipas një dokumenti sekret maqedonas - TV-SHENJA

Të burgosurit politikë shqiptarë sipas një dokumenti sekret maqedonas

Numri i kundërvajtjeve nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, krahasuar me veprat penale, është dukshëm më i madh, kështu që në periudhën nga data 1.01.1968 deri më 1.01.1987 për kundërvajtje me ngjyrë politike nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar në RS të Maqedonisë janë dënuar 607 persona

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Siç dihet botërisht, në pjesën e dytë të viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, pozita e shqiptarëve në ish federatën jugosllave, në përgjithësi, e në RS të Maqedonisë, në veçanti, sa vinte e përkeqësohej. Me urdhër të udhëheqjes komuniste maqedonase, institucionet partiake e shtetërore hartuan plane, programe dhe analiza të shumta, përmes të cilave përshkruhej lufta e ashpër e tyre kundër shqiptarëve, e cila asaj kohe emërtohej si “luftë për eliminimin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. Një analizë e tillë, në mars të vitit 1988 u hartua edhe nga Sekretariati Republikan për Jurisprudencë dhe Administratë (që ishte në rangun e Ministrisë së Drejtësisë), e cila i kushtohej problemit të punësimit të ish të burgosurve politikë shqiptarë në harkun kohor 1 janar 1968 – 31 gusht 1987. Brenda periudhës kohore që është objekt trajtimi i dokumentit, në RS të Maqedonisë për çështje politike gjithsej ishin dënuar 796 shqiptarë, prej tyre 189 për vepër penale dhe 607 për kundërvajtje me ngjyrë politike. Pa dashur të futemi në detaje të përmbajtjes së tij, deshëm të vëmë në dukje faktin se thuajse çdo fjali e këtij dokumenti fillon e mbaron me fjalët “nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, që dëshmon se në cilat përmasa kishte arritur politika antishqiptare e udhëheqjes së atëhershme komuniste e shoviniste maqedonase. Dokumenti i cili mban titullin “Analizë për gjendjen e punësimit të personave të dënuar nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, gjendet në Arkivin e Maqedonisë, fondi Ministria e Drejtësisë, të cilin e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës mbarëkombëtare SHENJA ta botojmë të plotë:

*          *          *

 Besueshmëri e rreptë

Shkup, mars, viti 1988

 HYRJ E

 Komiteti Qendror i LKM-së, në mbledhjen e vet të mbajtur më 29 shtator 1987, duke debatuar për aktivitetin ideopolitik të Lidhjes së Komunistëve e të forcave të tjera të organizuara socialiste në realizimin e përcaktimit të LKJ-së e LKM-së për përforcimin e marrëdhënieve ndërnacionale dhe në luftën kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar e të nacionalizmave të tjerë, solli Programin për detyrat e drejtpërdrejta të anëtarësisë, organizatave dhe organeve të LKM-së për realizimin e konkluzioneve nga mbledhja IX e KQ të LKJ-së. Me Programin, komunistët e Sekretariatit Republikan për Jurisprudencë e Administratë janë të obliguar të përgatisin Analizë për situatat e punësimit të personave të cilët janë dënuar nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, ndërsa kjo me qëllim që të arrihet marrëveshje politike midis RS të Maqedonisë dhe KSA të Kosovës për hartimin e programit të përbashkët, në të cilin do të përcaktohen kriteret në lidhje me punësimin e këtyre personave.

Gjatë përgatitjes së analizës janë shfrytëzuar të dhëna nga gjyqet qarkore nga RS e Maqedonisë, Shtëpisë Ndëshkuese Korrektuese Idrizovë, Bashkësisë Vetëqeverisëse Republikane për Punësim – Shkup dhe organeve tjera, ndërsa është realizuar bashkëpunim me Sekretariatin Republikan për Punë të Brendshme – Shkup. Për shqyrtimin sa më të plotë të situatave të punësimit dhe punësimin e këtyre personave gjatë përgatitjes së analizës janë marrë të dhëna në periudhën nga data 1.01.1968 deri më 31. 08. 1987.

Të dhënat në analizë vënë në pah se veprat penale kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisës socialist e të sigurisë së RSFJ-së, nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, janë në rritje të vazhdueshme nga viti në vit.

Veprimtaria armiqësore kundërrevolucionare e nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë manifestohet përmes dukurive dhe formave më të ndryshme.

I rëndësishëm është manifestimi i nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë përmes kryerjes së veprave më të rënda penale nga kjo fushë, kështu që një e treta nga numri i përgjithshëm i personave të dënuar janë kryerës të veprave më të rënda penale, siç janë bashkim për shkak veprimtarisë armiqësore, spiunim, sabotim dhe vepra të tjera më të rënda penale.

Thuajse gjysma e kryerësve të veprave penale janë të moshës 20-30-vjeçare dhe kryesisht rreth 80% janë nga pjesa perëndimore e RS të Maqedonisë, ndërsa rreth 5% nga KSA e Kosovës.

Të dhënat e analizës hedhin dritë se thuajse gjysma e kryerësve të veprave penale, për nga profesioni/punësimit, gjatë kryerjes së veprës penale kanë qenë studentë, nxënës, arsimtarë dhe profesorë. Kjo e vërteton faktin se institucionet edukative e arsimore kanë qenë vatrat e nacionalizmit e separatizmit shqiptar. Nacionalistët dhe separatistët shqiptarë duke punuar më shumë ose më pak fshehtazi dhe me vite të tëra i kanë propaganduar idetë e tyre nacionaliste te gjeneratat e reja. E një rëndësie të veçantë është ajo se disa nacionalistë e separatistë shqiptarë, të cilët gjatë kohës së kryerjes së veprave penale kanë qenë nxënës e studentë sikurse edhe ata të cilët kanë punuar në këto institucione (arsimtarë, profesorë, mjekë e ngjashëm) dhe në organe të tjera, pas vuajtjes së dënimit, janë kthyer në vendet e njëjta e të ngjashme të punës, ndërsa një numër i caktuar i personave pas vuajtjes së dënimit janë shpërngulur në KSA të Kosovës, ku janë punësuar nëpër institucione, organe, bashkësi e organizata punuese të rëndësishme shoqërore. Këtyre personave të dënuar për vepra penale, nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, sikurse edhe personave të cilët në mënyrë të hapur janë shfaqur në këto pozita, detyrimisht duhet t’u pamundësohet që të ngelin edhe më tej në punë nëpër institucione edukativ-arsimore dhe në organe e organizata të ndryshme, ku në vendin e tyre të punës do të mund të ndikojnë negativisht mbi edukimin e gjeneratave të reja dhe mbi realizimin e funksioneve e detyrave mbi organet përkatëse. Mirëpo, është fakt se pas vuajtjes së dënimit një numër i personave të dënuar nuk janë të punësuar, për çka nevojitet që të ndërmerren masa për punësimin e tyre, por të shihen përcaktimet e qarta të LK-së për eliminimin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, si dhe dispozitat e normave kushtetuese për të drejtën e punësimit.

Edhe pse lëndë shqyrtimi i kësaj analize janë personat e dënuar për vepra penale kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisës socialist e të sigurisë së vendit nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe gjendja e punësimit të këtyre personave para dhe pas vuajtjes së dënimit, nuk duhet anashkaluar edhe problemi në qasjen e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, që është kualifikuar si kundërvajtje nga Ligji për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike.

Numri i kundërvajtjeve nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, krahasuar me veprat penale, është dukshëm më i madh, kështu që në periudhën nga data 1.01.1968 deri më 1.01.1987 për kundërvajtje me ngjyrë politike nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar në RS të Maqedonisë janë dënuar 607 persona. Më shumë se gjysma (451 persona) janë dënuar gjatë periudhës 1981/82 që lidhet me ndjenjat jashtëzakonisht nacionaliste të shprehura gjatë kohës dhe menjëherë pas ngjarjeve kundërrevolucionare në KSA të Kosovës. Kundërvajtjet me ngjyrë politike më së shpeshti janë kryer me fjalë, përmes shkrimit të parullave, mbajtjes së simboleve e ngjashëm.

Kryerësve të këtyre kundërvajtjeve në 90% të rasteve u është shqiptuar dënim me 60 ditë burg dhe të njëjtit pas vuajtjes së dënimit menjëherë kanë qenë liruar nga vuajtja e dënimit.

Është e njohur se një numër i caktuar të personave të dënuar për kundërvajtje pas vuajtjes së dënimit shpërngulen në KSA të Kosovës, ku punësohen nëpër institucione të rëndësishme ose vendosen në vende përgjegjëse e ngjashëm. Për shkak këtyre situatave, nevojitet të ndërmerren qëndrime të caktuara edhe për punësimin e këtyre personave dhe kundër asaj që këta persona të punësohen në vende të tilla të punës, ku do u pamundësohet të vazhdojnë t’i përcjellin idetë e tyre nacionaliste.

Persona të dënuar për vepra penale kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisës socialist e të sigurisë së RSFJ-së nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar

Duke e analizuar numrin e veprave penale sipas personave të dënuar në periudhën e analizuar, vërehet se veprat penale kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisës socialist e të sigurisë së RSFJ-së, nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, janë dënuar 189 persona.

Sipas numrit të personave të dënuar, shikuar sipas viteve, në kryerjen e veprës penale me rëndësi janë dy periudha: 1968/69, kur janë dënuar 59 persona dhe 1981/82, kur janë dënuar gjithashtu 59 persona. Numri kaq i madh i personave të dënuar në këtë periudhë është rrjedhojë e veprimtarisë së organizuar shumëvjeçare të kryerësve të këtyre veprave penale, që e kanë manifestuar edhe përmes paraqitjeve publike dhe demonstratave të organizuara. Numri i madh i personave të dënuar në këto dy periudha është për shkak të veprimtarisë së shprehur nga ndjenjat nacionaliste-separatiste të nxitura nga ngjarjet kundërrevolucionare në KSA të Kosovës në vitet 1968 dhe 1981 e më vonë, të cilat kanë gjetur në mbështetje edhe në territorin e RS të Maqedonisë. Kështu, një numër i madh i veprave penale janë kryer gjatë kohës dhe menjëherë pas ngjarjeve kundërrevolucionare në KSA të Kosovës.

Në vitet e tjera, nga periudha e analizuar, del se edhe pse numri i kryerësve të veprave të vogla është më i vogël, megjithatë në veprimtarinë e tyre vërehet një kontinuitet. Kështu, nga viti 1970 deri më 1980 janë dënuar 28 persona, ndërsa nga viti 1983 e deri më 1987 janë dënuar 43 persona.

Të dhënat për lëvizjen e numrit të kryerësve të veprave penale dhe rritja e tyre permanente nga viti në vit imponon ndërmarrjen e masave të faktorëve të mbrojtjes shoqërore, në radhë të parë në planin preventiv, si dhe në kundërshtimin energjik të të gjitha subjekteve të thirrura, duke filluar nga zbulimi, përndjekja e kryerësve të këtyre veprave penale, e deri te gjykimi dhe vuajtja e dënimit.

 Vepra penale dhe mënyra e kryerjes

 Sa i përket formës së veprave të kryera dhe mënyrës së kryerjes, nga inspektimi i kryer në aktvendim, të dhënat tregojnë se janë përfshirë thuajse të gjitha trajtat/format e veprave penale nga Kreu XV i LP të RSFJ-së, ndërsa në numër të konsiderueshëm janë përfshirë edhe kryerësit e trajtës më të rëndë të këtyre veprave penale.

Në këtë periudhë 60 persona ose rreth 31% nga kryerësit janë dënuar për vepër më të rëndë penale për shkak veprimtarisë armiqësore (neni 136 nga LP i RSFJ-së).

Kryerësit e këtyre veprave penale, në të shumtën e rasteve, janë bashkuar duke krijuar shoqata, grupe, organizata e ngjashëm, kjo për shkak të kryerjes së veprave penale kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisës socialist e të sigurisë në RSFJ.

Organizata të tilla e të ngjashme janë formuar kryesisht në pjesën perëndimore të RS të Maqedonisë nën emra të ndryshëm, të cilat si qëllim primar kanë pasur përvetësimin e anëtarëve të ri, grumbullimin e anëtarësisë, donacioneve vullnetare, furnizimin e përgatitjen e materialit propagandues, e më pas i kanë shpërndarë ato përmes anëtarëve të këtyre organizatave. Në kuadër të këtyre organizatave armiqësore janë përgatitur dhe shpërndarë afishe të ndryshme, pamflete dhe buletine me përmbajtje armiqësore ndaj vendit tonë.

Për vepër penale spiunim (neni 128 nga LP i RSFJ-së) gjatë kësaj periudhe janë dënuar 8 persona. Kryerësit e këtyre veprave penale kanë shpërndarë dhe kanë mundësuar të jenë kapshme për shtetet e huaja të dhëna të besueshme, ekonomike e zyrtare.

Përkundër numrit të konsiderueshëm të veprave penale më të rënda të kryera, numri më i madh i tyre, rreth 45% ose 86 persona, janë kryerës të veprës penale propagandë armiqësore (neni 133 nga LP i RSFJ-së). Kryerësit e kësaj vepre penale në numër më të madh në mënyra të ndryshme të mbishkrimeve, afisheve, parullave, vizatimeve e ngjashëm, kanë kryer propagandë armiqësore kundër rregullimit shtetëror të Jugosllavisë, cenimin e vëllazërimit, bashkimit dhe barazisë së kombeve e kombësive.

Numri më i madh i kryerësve të kësaj vepre penale janë dënuar në vitin 1968 dhe 1982 pas demonstratave në Tetovë dhe ngjarjeve kundërrevolucionare në Prishtinë, gjatë të cilave demonstruesit kanë brohoritur “Kosova Republikë”, “i duam kushtet tona” e ngjashëm, ndërsa ndaj pjesëtarëve të milicisë popullore kanë gjuajtur me gurë.

Në numër i konsiderueshëm, përkatësisht 27 persona ose 13% nga numri i përgjithshëm të kryerësve të veprave penale, janë kryerës të veprës penale nxitje të urrejtjes nacionale, racore e fetare, ndarjes ose jotolerancës (neni 134 nga LP i RSFJ-së).

Kryerësit e kanë bërë këtë vepër penale më së shpeshti duke nxitur dhe shpërndarë urrejtje nacionale, racore e fetare ose ndarje midis kombeve e kombësive që jetojnë në RSFJ, me atë që në vende publike – para numrit më të madh të njerëzve të tubuar, fshatarë e qytetarë, në autobus, në rrugë, hapësirat punuese dhe hapësirave tjera gjatë bisedave me këta njerëz, i kanë arsyetuar ngjarjet kundërrevolucionare në KSA të Kosovës, e kanë arsyetuar kërkesën “Kosova Republikë”, kanë folur se pjesë nga territori i RS të Maqedonisë, RS të Malit të Zi dhe RS të Serbisë duhet të bashkohen me KSA të Kosovës, e kanë sqaruar prejardhjen e shqiptarëve, se të njëjtit janë banorë të lashtë dhe se kanë prejardhje nga ilirët e vjetër.

 Vendbanimi i kryerësve në kohën e kryerjes së veprës penale

 Sipas vendbanimit të kryerësve të veprave penale, të dhënat vënë në dukje se 80% nga kryerësit kanë jetuar dhe me aktivitetin e tyre armiqësor e kundërrevolucionar kanë vepruar në pjesën perëndimore të RS të Maqedonisë. Kështu, në këtë periudhë 157 kryerës të veprave penale janë nga pjesa perëndimore e RS të Maqedonisë (Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë e Ohër).

Aktivitet armiqësor e kundërrevolucionar, sipas inspektimit të aktvendimeve, është vërejtur edhe te kryerës që kanë jetuar në qytetet tjera të RS të Maqedonisë (Shkup, Kumanovë, Resnje), nga ku janë dënuar me vendim të plotfuqishëm 12 persona. 12 persona të tjerë të dënuar janë persona që kanë jetuar në territorin e KSA të Kosovës, ndërsa veprat penale i kanë kryer në territorin e RS të Maqedonisë.

 Struktura arsimore dhe mosha e personave të dënuar

 Lidhur me shkallën arsimore të personave të dënuar, në periudhën e analizuar, më së shumti përfshihen personat e dënuar me arsimim të mesëm të kryer edhe atë gjithsej 93 persona të dënuar. Me arsimim fillor janë dënuar 52 persona, me arsimim të paformuar 21 persona, me arsimim të lartë 12 persona dhe 12 persona janë me arsimim superior.

Për nga mosha, në mesin e të dënuarve më së shumti janë të dënuarit midis 20 e 30 vjeç. Në këtë moshë janë dënuar 71 persona, pastaj vijojnë 66 persona midis viteve 30 e 40, 27 persona midis 40 e 50 vjeç, 14 persona janë mbi 50 vjeç dhe 12 persona midis moshës 18-20 vjeçe.

Fakti se numri i madh i personave të dënuar janë të rinj në moshë, deri më 30 vjeç, dhe me arsimim të mesëm të kryer, si dhe fakti se shumica e tyre janë nxënës, studentë, arsimtarë, flet për dobësi dhe lëshime të caktuara në institucionet përkatëse edukative-arsimore, ku për shkak jovegjilencës së subjekteve të thirrura ka ardhur deri te indoktrinimi i këtyre personave të rinj nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar.

 Lartësia e dënimeve të shqiptuara të kryerësve të veprave penale

 Ndaj të gjithë personave të dënuar në këtë periudhë për kryerjen e veprave penale u janë shqiptuar dënim me burg, ndërsa tre personave dënimi me burg u është kushtëzuar.

Dënimi me burg është shqiptuar në lartësi të ndryshëm, varësisht nga rreziku shoqëror i veprës penale të kryer, personaliteti i kryerësit, si dhe nga shkalla e përgjegjësisë penale të saj.

Nga të dhënat vërehet se dënimet në fillim të periudhës së analizuar janë më të buta, mirëpo siç eskalon nacionalizmi e separatizmi shqiptar, ashtu edhe politika ndëshkuese është ashpërsuar dhe është baraspeshuar me rrezikun shoqëror dhe me shpeshtimin e kësaj forme të veprave penale. Për ashpërsimin e politikës ndëshkuese në kohë të fundit (veçmas pas vitit 1981) ndikim të veçantë ka pasur zhvillimi i rrjetit organizativ të aktivitetit armiqësor të këtyre personave, si dhe fakti se bëhet fjalë për kryerës të cilët nuk i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre ndaj veprës penale të kryer, nuk e pranojnë fajin dhe dënimin për veprën për çka janë dënuar, e as që pendohen për veprat penale të kryera, ndërsa kryesisht janë kryerës të veprave të rënda penale kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisës socialiste e të sigurisë së RSFJ-së. Kështu, në këtë periudhë kohore, nga gjyqet qarkore 19 personave u është shqiptuar dënim me burg prej 10 deri më 15 vjet, 20 personave u është shqiptuar dënim me burg nga 5 deri më 10 vjet, 50 personave u është shqiptuar dënim me burg nga 3 deri më 5 vjet etj.

 Puna/ profesioni dhe punësimi i personave të dënuar

 Të dhënat për punën/ profesionin e personave të dënuar gjatë kohës së kryerjes së veprave penale tregon se numri më i madh i tyre, përkatësisht 88 persona, janë kryerës të cilët në atë kohë me profesion/punë kanë qenë studentë, arsimtarë, nxënës dhe profesorë. Kjo e dhënë flet se institucionet edukativ-arsimore kanë qenë vatrat kryesore të nacionalizmit e separatizmit shqiptar. Punëtorët e arsimit, duke punuar më shumë ose më pak fshehurazi, me vite kanë kryer indoktrinim mbi gjeneratat e reja. Nga ana tjetër kjo nënkupton se kanë ekzistuar lëshime e dobësi te subjektet e thirrura, të cilët kanë lejuar që punëtorët e arsimit idetë e tyre nacionaliste t’i zgjerojnë në mesin e rinisë. Kështu, nga numri i përgjithshëm i arsimtarëve, profesorëve, nxënësve dhe studentëve të dënuar, 57 persona janë studentë dhe nxënës. Këta persona të indoktrinuar armiqësisht më vonë bëhen edhe bartës të nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe kryerës të veprave të rënda penale kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisës socialiste e të sigurisë së RSFJ-së.

Format/mënyrat me të cilat kanë vepruar në organizatat punuese këta nacionalistë e separatistë shqiptarë janë të tilla, saqë numri më i madh i këtyre personave në organizatat punuese ku kanë qenë të punësuar para më shumë punëtorëve kanë deklaruar se si shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve të vjetër, i kanë arsyetuar ngjarjet kundërrevolucionare në Kosovë, se Kosova vërtet duhet të bëhet Republikë, se shqiptarët në RSFJ nuk i gëzojnë të drejtat e tyre etj.

 Situata me profesionet/ punësimin e personave të dënuar pas vuajtjes së dënimit

 Nga të dhënat e marra nga Shtëpia Ndëshkuese Korrektese Idrizovë për periudhën 1.01.1968 e deri më 31.08.1987, në këtë shtëpi janë dërguar për vuajtje të dënimit 168 persona të dënuar. Nga ata ende në vuajtje të dënimit gjenden 43 persona, ndërsa 125 persona e kanë vuajtur dënimin. Kur këtij numri t’i shtohen edhe personat të cilët dënimin e kanë vuajtur në institucionet të tjera ndëshkuese korrektuese në Republikë dhe jashtë saj, si dhe personat e dënuar me kusht, del se në këtë periudhë dënimin e kanë vuajtur gjithsej 146 persona të dënuar. 

Nga numri i përgjithshëm i personave të evidentuar, të cilët e kanë vuajtur dënimin, të dhënat vënë në dukje se 32 persona para bashkësive për punësim janë të evidentuar si të papunë, 6 persona kanë vdekur, 7 persona janë pensionuar, 10 persona e kanë ndërruar vendbanimin dhe janë shpërngulur në KSA të Kosovës, ku shumica e tyre janë të punësuar, 23 persona kanë emigruar në botën e jashtme, 15 personave u është dhënë leje për kryerjen e veprimtarisë private – shërbyese (zanatçi e veprimtari të tjera), 9 persona janë punësuar si punëtorë të përgjithshëm, 9 persona merren me bujqësi. Mirëpo, një numër i caktuar i personave kanë arritur të punësohen kryesisht sipas profesionit të tyre ose në vende të tjera pune me përgjegjësi.

 Situata e personave të cilët janë punësuar në RS të Maqedonisë pas vuajtjes së dënimit

 Situata me personat e punësuar të cilët pas vuajtjes së dënimit janë punësuar në RS të Maqedonisë, nga numri i përgjithshëm i 37 personave të punësuar, del se është se 14 personave u është mundësuar kryerja e veprimtarisë private shërbyese mjeshtërore e e veprimtarive të tjera, 9 persona janë punësuar si punëtor të përgjithshëm, ndërsa personat e tjerë kryejnë funksione të rëndësishme shoqërore-punuese e të tjera.

Duke e pasur parasysh aktivitetin armiqësor të këtyre personave dhe faktin se janë dënuar për vepra të rënda penale nga Kreu XV nga LP të RSFJ-së, parashtrohet pyetja se a thua është e arsyeshme dhe në përputhje me politikën e LK-së për eliminimin energjik të nacionalizmit e separatizmit shqiptar, që personat të cilëve u është caktuar të ushtrojnë veprimtari të caktuar shërbyese mjeshtërore, si p.sh. ëmbëlsirashitësve, t’u jepet leje për veprimtari të këtillë, me çka u mundësohet zhvillimi i aktivitetit armiqësor përmes formave tjera të veprimtarisë armiqësore.

Sa u përket personave të cilët pas vuajtjes së dënimit janë punësuar nëpër institucione të rëndësishme shoqërore (mjekësore, arsimore etj.), edhe pse sipas evidencës janë të paktë në numër, megjithatë duhet të rishqyrtohen këto punësime në kuptimin se a thua këta persona, të cilat gjatë kohës së kryerjes së veprës penale e kanë kryer funksionin/punën e njëjtë e cila ka qenë qendër për veprimtarinë armiqësore, duhet edhe më tej të ngelin në këto vende të punës nga ku munden në mënyrë dhe formë tjetër ta vazhdojnë aktivitetin e tyre armiqësor dhe të ndikojnë negativisht në mjedisin ku punojnë.

Kështu, për shembull: Halil Ramadan Jakupi, i dënuar për vepër penale propagandë armiqësore në kohën e kryerjes së veprës penale student në Fakultetin e Mjekësisë, tash është punësuar si mjek në Qendrën Mjekësore – Tetovë; Refik Halil Dauti, i dënuar për vepër penale propagandë armiqësore, në kohën e kryerjes së veprës penale student, tash i punësuar si profesor në SHM “Zllate Mallakovski” – Gostivar; Sejdi Zylfi Kryeziu, i dënuar për vepër propagandë armiqësore, gjatë kohës së kryerjes së veprës penale arsimtar, punon si arsimtar, ndërsa prej para një viti në pension; Abdulla Jakup Hyseni (Kalishta – Q.L.), i dënuar për vepër penale propagandë armiqësore, arsimtar, gjatë kohës së kryerjes së veprës penale, tash i punësuar sekretar në shkollën “Zef Lush Marku” – Shkup; Mersim Ahmet Çupi, i dënuar për vepër penale nxitje të urrejtjes nacionale, racore e fetare, ndarje dhe jotolerancë, gjatë kohës së kryerjes së veprës penale i punësuar në botën e jashtme, tash punon si nikoqir në SHF në Cërvicë – Kërçovë; Xhavit Avdi Muhameti, i dënuar për vepër penale propagandë armiqësore, gjatë kohës së kryerjes së veprës penale i papunësuar, tash punon si teknik i dhëmbëve në Qendrën Mjekësore – Tetovë.

Situatat e këtilla pa dyshim se e imponojnë ndërmarrjen e masave për rishqyrtimin e punësimit të këtyre personave, si dhe ndërmarrjen e masave që personat e këtillë në të ardhmen, pas vuajtjes së dënimit, të mos punësohen në vende të caktuara të punës e të kryejnë funksione me përgjegjësi, nga ku do të mund shumë lehtë dhe në mënyrë e formë tjetër ta vazhdojnë aktivitetin e vet armiqësor.

Gjithashtu, nga evidenca e punësimit/profesionit, disa nga personat e dënuar pas vuajtjes së dënimit i kanë vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës, për çka nevojitet që gjatë përgatitjes së programit të merret parasysh edhe për politikën regjistruese të nxënësve dhe studentëve, aq më tepër se përgjithësisht është e njohur se ekziston vërshim i madh i studentëve e nxënësve nga kombësia shqiptare, të cilët nga RS e Maqedonisë shkollohen ose shkollimin e tyre e vazhdojnë në KSA të Kosovës.

 Situata me punësimin e personave të cilët pas vuajtjes së dënimit janë shpërngulur në KSA të Kosovës

 Nga të dhënat për personat të cilët janë shpërngulur dhe punësuar në KSA të Kosovës, është karakteristike se shumica e tyre janë punësuar sipas profesionit të tyre edhe atë në institucione shumë të rëndësishme, organizata punuese e organe e organizata tjera. Në këtë periudhë në KSA të Kosovës janë shpërngulur 9 persona, prej tyre 7 janë shpërngulur dhe jetojnë në Prishtinë, një person në Suharekë dhe një person në Mitrovicë. Duke i pasur parasysh vendet e punës dhe institucionet ku janë punësuar këta persona dhe punësimin e tyre para kryerjes së veprës penale, mund të konstatohet se këtyre personave, me faktin se në cilët institucione janë punësuar, u është mundësuar ta vazhdojnë aktivitetin e tyre. Kështu, për shembull: Faik Shefki Mustafa dhe Ramadan Sinan Sinani, që të dytë të dënuar për kryerje të veprës së rëndë penale bashkim për shkak veprimtarisë armiqësore, janë shpërngulur në Prishtinë, ku edhe janë punësuar si përkthyes në KK të Prishtinës; Sali Riza Saliu, i dënuar për vepër penale propagandë armiqësore, është shpërngulur dhe jeton në Prishtinë, ndërsa është punësuar si sekretar në Teatrin Krahinor të Prishtinës; Zudi Nexhbi Bilalli, i dënuar për vepër penale propagandë armiqësore është shpërngulur dhe jeton në Prishtinë, ndërsa punon si mjek në Prishtnë; Hamdi Riza Saliu, i dënuar për vepër penale propagandë armiqësore, është shpërngulur dhe jeton në Mitrovicë, ndërsa është i punësuar si jurist pranë KK të Mitrovicës; Imer Vesel Imeri, i dënuar për vepër penale propagandë armiqësore, është shpërngulur dhe jeton në Suharekë, ndërsa është i punësuar si mjek në Qendrën Mjekësore në Suharekë.

Duke u nisur nga situatat e këtilla me punësimet e personave të dënuar për vepra penale kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisës socialiste e të sigurisë në vend nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, në RS të Maqedonisë e në KSA të Kosovës nevojitet që pas vuajtjes së dënimit, në suazat e dispozitave kushtetuese, normave për të drejtën e punësimit dhe përcaktimeve të qarta të LKJ-së për eliminimin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, këta persona të punësohen në vendet e punës adekuate, por jo në detyra të ndjeshme dhe me përgjegjësi.

Situatat kur një numër i caktuar i personave nga RS e Maqedonisë shpërngulen dhe punësohen në KSA të Kosovës pa dyshim se vë në dukje faktin se midis RS të Maqedonisë dhe KSA të Kosovës duhet të ekzistojë bashkëpunim i ngushtë dhe programor për punësimin e këtyre personave, me qëllim që këtyre nacionalistëve e separatistëve shqiptarë t’u pamundësohet punësimi në institucione, organe e organizata nga ku do të mund ta vazhdojnë shumë lehtë aktivitetin e tyre armiqësor.

 Persona të dënuar të cilët pas vuajtjes së dënimit kanë emigruar

 Është mirë e njohur se nacionalistët dhe separatistët shqiptarë, për shkak shpërndarjes së ideve nacionaliste, çerdhe të tyre krijojnë edhe jashtë vendit, kryesisht në vendet perëndimore të Evropës dhe SHBA-ve, ku marrin pjesë në demonstrata të ndryshme të organizuara në më shumë qytete të Evropës Perëndimore dhe në SHBA, të cilat janë të orientuara kundër themeleve të rregullimit shoqëror e vetëqeverisës dhe integritetit territorial të vendit. Të pamundësuar për ta vazhduar aktivitetin e tyre armiqësor në vend, 23 persona të dënuar, pas vuajtjes së dënimit, në këtë periudhë kohore kanë emigruar në botën e jashtme. Nga numri i përgjithshëm, 15 persona kanë emigruar në vendet e Evropës Perëndimore, 7 persona në SHBA dhe një në Çekosllovaki.

Nga të dhënat që janë marrë nga organet kompetente, të gjithë këta persona janë të lidhur me organizatat e jashtme të emigracionit, të organizuara kundër sistemit shoqëror-ekonomik dhe të sigurisë së vendit tonë, ndërsa disa nga ata persona (Shaip Gani Bilalli, Kasam Rifat Veliu, Elmaz Ismal Ademi në Zvicër, Gajur Mesimi në Belgjikë, Surija Ilmi Qyra, Qenan Jahja Dauti dhe Olloman Feim Sela në SHBA, Qebir Teki Hajdari dhe Musli Beqir Sejdiu në Suedi) janë bartës dhe udhëheqës të këtyre organizatave e të ngjashme të jashtme të emigracionit.

Mënyra se si këta persona e kanë braktisur vendin nuk mund të përcaktohet me saktësi, por shumica e tyre vendin e kanë dalë me dokument udhëtimi të rregullt – pasaportë për qëndrim të përkohshëm, ndërsa disa me dokumente udhëtimi të falsifikuar. Këta persona, pas mbërritjes në vendin përkatës, menjëherë janë deklaruar si emigrantë politikë dhe e kanë kërkuar të drejtën për azil. Është e sigurt se numri i këtillë i personave të emigruar krijon situata të caktuara brengosëse dhe pa dyshim se imponon gjetjen e mënyrës dhe metodës për pamundësimin dhe pengimin e këtyre personave nacionalistë e separatistë të dalluar që në këtë mënyrë ta braktisin vendin dhe në botë e jashtme ta vazhdojnë aktivitetin e tyre armiqësor kundër RSFJ-së.

Së fundi, duhet përkujtuar se të gjitha subjektet e thirrura e përgjegjëse në shoqëri aktivitetin dhe luftën e tyre të mëtutjeshme kundër nacionalizmit e separatizmit shqiptar domosdoshmërisht duhet ta orientojnë në atë mënyrë që ajo të jetë konstante e efikase dhe të zhvillohet në më shumë drejtime. Beteja, detyrimisht, duhet të orientohet në radhë të parë kah përforcimi i besimit të ndërsjellë dhe afirmimi i bashkësisë sonë, vëllazërim-bashkimit, që bazohet në përfitimet nga lufta jonë nacionalçlirimtare, liria e përfituar bashkërisht dhe realizimi i idealeve të klasës punëtore.”.