` . “Tarifat e reja amerikane janë kundër rregullave të OBT-së” – TV-SHENJA

“Tarifat e reja amerikane janë kundër rregullave të OBT-së”

Tarifat e reja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbi Turqinë janë kundër rregullave të vendosura nga Organizata Botërore e Tregtisë (WTO), deklaroi Ministria turke e Tregtisë.

“Turqia, duke përcaktuar dhe zbatuar politikën e saj tregtare në përputhje me Organizatën Botërore të Tregtisë, pret që vendet e tjera anëtare të jenë në përputhje me rregullat ndërkombëtare”, thuhet nga ministria në një deklaratë për shtyp.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim eksportuesit tanë të hekurit, çelikut dhe aluminit duke mbrojtur interesat e tyre kundër praktikave të paligjshme të vendeve të tjera në çdo platformë ndërkombëtare, veçanërisht në OBT”, potencohet më tej në deklaratë.

Presidenti amerikan Donald Trump, në një postim më herët në Twitter kishte thënë se i ka dyfishuar tarifat doganore të çelikut dhe aluminit të Turqisë.

“Lira turke është duke rënë me shpejtësi në raport me dollarin amerikan”, kishte potencuar Trump duke shtuar se ai ka miratuar dyfishimin e tarifave doganore të çelikut dhe aluminit që vjen nga Turqia.

“Alumini tani do të jetë 20 për qind, kurse çeliku 50 për qind. Marrëdhëniet me Turqinë nuk janë të mira në këtë periudhë”, tha Trump, duke e vazhduar serinë e postimeve të tij skandaloze në lidhje me Turqinë.

Eksportet e hekurit, çelikut dhe aluminit të Turqisë në SHBA ishin 1,1 miliard dollar në vitin 2017, 0,7 për qind e totalit të eksporteve. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë partneri ynë i rëndësishëm tregtar”, shtoi ministria.

Importet e Turqisë nga SHBA ishin në vlerë prej 1,3 miliard dollar në vitin 2017. “Humbësit e vërtetë të vendimeve të marra nga administrata e SHBA janë prodhuesit, sektori privat dhe eksportuesit e të dy vendeve”, përfundoi deklarata. /AA/