` . Tarifa e re e SHBA-së për çelikun do të fillojë më 13 gusht – TV-SHENJA

Tarifa e re e SHBA-së për çelikun do të fillojë më 13 gusht

Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se tarifa e re doganore për çelikun që e importon nga Turqia prej 50 për qind më shumë do të fillojë të zbatohet më 13 gusht.

Në deklaratën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë me nënshkrimin e presidentit Donald Trump, është theksuar se “Për të zvogëluar importin e çelikut dhe rritjen e përdorimit të kapacitetit vendor, kam vendosur që mbi tarifën doganore të çelikut të importuar nga Turqia të aplikohet një rritje prej 50 për qind duke filluar nga 13 gushti”.

Ndërsa në deklaratën e Departamentit Amerikan të Tregtisë ku janë përcjell deklaratat e sekretarit Wilbur Ross, është ritheksuar se presidenti Trump ka rritur tarifën doganore prej 25 për qind në 50 për qind për çelikun e importuar nga Turqia.

Presidenti amerikan Donald Trump, në një postim të premten në Twitter kishte thënë se i ka dyfishuar tarifat doganore të çelikut dhe aluminit të Turqisë. “Alumini tani do të jetë 20 për qind, kurse çeliku 50 për qind”, kishte thënë Trump, duke e vazhduar serinë e postimeve të tij skandaloze në lidhje me Turqinë.

Ndërkohë, Ministria turke e Tregtisë kishte theksuar se tarifat e reja të SHBA-ve mbi Turqinë janë kundër rregullave të vendosura nga Organizata Botërore e Tregtisë (WTO).

“Turqia, duke përcaktuar dhe zbatuar politikën e saj tregtare në përputhje me Organizatën Botërore të Tregtisë, pret që vendet e tjera anëtare të jenë në përputhje me rregullat ndërkombëtare”, thuhet nga ministria në një deklaratë për shtyp. /AA/