` . Takimet e Rekës së Epërme “Saraj 2017” - TV-SHENJA

Takimet e Rekës së Epërme “Saraj 2017”

Sipas Elsit, Reka ose lugina e Rekës së Epërme, tani e zbrazur nga popullata, dikur ka qenë vatër e bashkësive të mëdha shqiptare që janë marrë me ruajtjen e dhenve, përbën një hapësirë gjeografike të mjerimit shqiptar, të një vatre të humbur të kombit, të zbrazur demografikisht, por edhe të dëmtuar në aspektin strukturor, në aspekt të humbjes së një numri të madh të brezave të shpërngulur gjithandej për shkak të problemeve ekzistenciale, luftërave dhe politikave gjenocidale ndër shekuj dhe diskriminimit e segregacionit nga establishmentet dhe pushtetet e ndryshme.

Sot mund të flitet për dy Reka, njëra e vdekur ose në komë, ajo e Epërme, dhe Reka e Dytë, e gjallë, e cila nuk është gjeografikisht aty ku ka qenë por në vise të tjera të Maqedonisë, duke filluar nga Gostivari e deri në Veles, ku bëjnë pjesë fshatra si Karita, Gurgurnica, Sedllareva, Saraji, Gërçeci, Krushopeku, Nerezi, Sveta Petka, Jabollca, Patishka Reka, Cërni Vëri, Jabollçishta, Kllukoveci dhe zona të tjera ku jetojnë mini-komunitete rekase. Reka e Dytë,  përbën një entitet të gjallë, dinamik e vital, me popullatë qytetare e fshatare që ruan tiparet e veta shqiptare gjuhësore dhe tradicionale, pa u shkrirë në ndonjë entitet tjetër.

Takimet e Rekës së Epërme, këtë vit për herë të parë, më 19 dhe 20 gusht u mbajtën në rrethinën e Shkupit, në Sarajin piktoresk, mes dy lumnjeve, pranë Vodnos dhe Matkës, me shpirt 100 % rekas, me dy shkronjat që s’ia as alfabet dhe të cilat janë të pashkrueshme, shj dhe zhj, të shprehura më së miri te fjalët zhjak (gjak) dhe shjepë (qepë).

Ditën e parë u organizua marshi i Vodnos, nga Shtëpia e Bjeshkatarëve deri te Kota, rreth 7 kilometra, ku njerëz të të gjitha moshave, shijuan bukuritë malore dhe panoramën e fshatrave me kulturë rekase nga të dyja anët e malit, u njoftuan mes vete qytetarë nga Gostivari, Tetova me rrethinë dhe Shkupi. Do shënuar se pati edhe njerëz me probleme si h. Bexheti i Gërçecit që me gishtin e operuar arriti ta përmbullë marshrutën prej 14 km, të rinj si Rozafa të cilës iu na mirënjohja si bjeshkatarja më e re. Në fund u shijuan produktet e sofrës rekase.

Të dielën pati program kulturor artistik, ekspozitë e fotografive të vjetra nga fshatrat e Rekës, nga impresioni i të cilave pati edhe njerëz që s’mund t‘i mbanin lotët, valle, dasëm rekase, ekspozim të produkteve vendore ujqësore, shijim të produkteve ushqimore nga gastronomët rekas, mes tjerash edhe hallvë dasmash dhe bakërdar, sporte tradicionale si kërcimi në tre hapa, hedhja e gurit, vrapi dhe pehlivanat apo mundja tradicionale. Në pjesën ceremoniale pati edhe fjalime të organizatorëve, ku mes tjerash prof.

Ali Pajaziti, kryetar i Këshillit organizativ tha: “Unë nuk turpërohem nga gjuha jeme, jam krenar që jam rekali. Edhe intelektual edhe rekali. Duhet ta kultivojmë këtë gjuhë, duhet ta dimë një gjë, se pa fenë s’ka as kulturë rekase. Ne nuk bëjmë fanatizëm, as lokal-patriotizëm, sepse ata nuk çon në mirësi, duam të njihemi më mirë mes veti, t’i ruajmë vlerat tona autentike”. Ndërkohë u shpërndanë edhe mirënjohje për veprimtarët që kanë dhënë kontribut të dalluar shoqëror nga humaniteti deri arsimi e sporti. Pjesëmarrësit në këtë takim u shprehën jashtëzakonisht të kënaqur, mes tjerash regjistruam edhe kto fjalë: “Kurrë ne rekasit s’kemi qenë kaq të organizuar”, “Kjo ngjarje do mbahet mend 100 vjetët e ardhshme”, “U kënaqëm, në veçanti fëmijët”, “Të mbetet tradicionale”…

Postime të Ngjajshme