` . “Ta shfrytëzojmë Turqinë për interesat tona” - TV-SHENJA

“Ta shfrytëzojmë Turqinë për interesat tona”

Ardhja e Turqisë në Ballkan përmes investimeve, kulturës dhe arsimit rrezikon turqizmin e shqiptarëve, aq sa shqiptarët rrezikojnë të gjermanizohen nëse e duan BE-në. Kështu tha profesori universitar Rizvan Sulejmani gjatë emisionin Arena që mbrëmë u transmetua në Televizionin SHENJA. Ai tha se shqiptarët duhet të shfrytëzojnë interesimin e Turqisë për Ballkanin dhe investimet turke për realizimin e interesave shqiptare.

“Fakt është se proceset globalizuese janë të pandalshme! Fakt është se Ballkani gjendet në vakum dhe ka nevojë për një ndikim të jashtëm për të stabilizuar Ballkanin. E dijë se ka një shqetësim tek shqiptarët për shkak historikut tonë që lidhet me disa paragjykime, që neve nëse vjen Turqia me shkolla, nëse vjen me filma, me ekonomi, a do të thotë se shqiptarët do të turqizohen. Të thuash se shqiptarët do të turqizohen, është po aq njësoj sikur të thuash se shqiptarët do të gjermanizohen nëse e duan Evropën”, tha profesori universitar, Rizvan Sulejmani.

Ndërsa profesori universitar, Ali Pajaziti, vlerëson se Turqia ka vizion pozitiv dhe zhvillimor për vendet e Ballkanit. Ai thotë se Turqia ka zgjeruar investimet ekonomike në vendet e Ballkanit, si dhe ndihmon në zhvillimin e tyre e veçanërisht të shteteve ku jetojnë shqiptarët.

“Investimet ekonomike që ka bërë Turqia në sektorin bankar, në sferën e kulturës, në aeroportet, aeroporti i Shkupit dhe Aeroporti Adem Jashari në Prishtinë, është një tregues se kjo Turqi ka një vizion pak më të gjerë, se nuk mjaftohet vetëm me hapësirën e vet gjeografike, duke pasur parasysh edhe lidhjet që i ka me popujt e Ballkanit, përfshirë edhe shqiptarët gjë që është më e rëndësishme për ne. Raportet politike të pushtetit aktual turk me Shqipërinë janë shumë të mira, me Kosovën gjithashtu dhe kjo flet se janë duke u zhvilluar politika racionale duke pasur parasysh edhe zhvillimet gjeostrategjike në këtë hapësirë”, tha profesori universitar, Ali Pajaziti.

Duke folur për veprimet e partive turke në Maqedoni, të cilat zakonisht koalicionojnë me parti maqedonase, Hysrev Emin nga lidhja e shoqatave joqeveritare turke, thotë se Ankaraja zyrtare nuk ndërhyn në punët e brendshme të Maqedonisë.

“Kjo më shumë ndërlidhet me politikën reale dhe nuk do të thotë se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Që prej themelimit të partive turke në Maqedoni, ato kanë vepruar kështu për shkak se elementi kuç kanë qenë përfitimet më të mëdha nga koalicionimi me partitë maqedonase. Nga Turqia nuk kemi ndonjë direktivë për të vepruar në një apo tjetër mënyrë”, tha Hysrev Emin nga MATUSITEB.

Të ftuarit në emision, rikujtuan se ndihma turke për shtetet shqiptare edhe në aspektin diplomatik në arenën ndërkombëtare.

Abdulla Berisha /SHENJA/

 


“Të shfrytëzojmë Turqinë për interesat tona” by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme