` . Synohet rritja e numrit të grave në bujqësi (Video) - TV-SHENJA

Synohet rritja e numrit të grave në bujqësi (Video)

Dhjetë përqind e bruto prodhimit vendor në shtet bën pjesë tek bujqësia, 17 përqind nga fuqia punëtore e përgjithshme në shtet e përfshin sektorin e bujqësisë, por në vetëm një të tretën janë të kyçura gratë. Kështu thonë rezultatet e projektit ”Përforcim i barazisë gjinore në sektorin e bujqësisë duke aplikuar një metodë ekonomike eksperimentale”. Ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski tha se treguesit tjerë thonë që vetëm 20 përqind nga kooperativat e regjistruara udhëhiqen nga gra sipërmarrëse në sektorin e përgjithshëm. Ai theksoi se pikërisht për këtë arsye, do të formohet  një grup i ri nënsektorial në korniza të Ministrisë, e cila do të merret me çështjet gjinore, veçanërisht në përfshirjen e grave në bujqësi.

LJUPÇO NIKOLLOVSKI, MINISTËR I BUJQËSISË, PYLLTARISË DHE UJËRAVE

“Ajo që do të vijojë në periudhën e ardhshme është sjellja e ndryshimeve të reja të ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, ku tashmë kemi paralajmëruar rritje të mbështetjes për bujqit e rinj nga 10 në 20 mijë euro, diçka që është futur në propozim ndryshimet që Ministria në periudhë të shkurtër tashmë do t’i dorëzojë tek Qeveria.. Në ndryshimet e ligjit për bujqësi por edhe në ndryshimet e gatshme të programit nacional 5 vjetor për bujqësi dhe zhvillim rural tashmë është shtuar një masë e re për angazhim të shtuar të grave në mjediset rurale ku do të kenë mundësi që në dispozicion të kenë 180 mijë denarë mjete të pakthyeshme për gratë që do të kenë veprimtari në mjediset rurale.”

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska tha se në sektorin e bujqësisë ka përqindje të madhe të grave që janë të kyçura në mënyrë joformale, ose nuk janë të regjistruara aktivitetet e tyre, pas çka sigurimi i tyre shëndetësor nuk paguhet dhe ajo ndikon në mënyrë direkte në kualitetin e jetesës së këtyre grave.

MILLA CAROVSKA, MINISTRE E PUNËS DHE POLITIKËS SOCIALE

“Duam ta ngrisim nivelin e vetëdijes se përse është e nevojshme që të kemi gra të kyçura edhe formalisht në bujqësi edhe si bartës të veprimtarive. Në mënyrë shtesë është shumë rëndësishme që si shtet mendojmë dhe flasim për pronat që ndahen mes fëmjëve meshkuj dhe femra në familje, si trashëgohet toka bujqësore që më tej të mund të jenë bartëse të aktiviteteve bujqësore që në të ardhmen mund ta zhvillojnë si gra lidere në këtë sektor”

Dekani i fakultetit për shkenca bujqësore dhe ushqim, Vjekosllav Tanskoviq tha se ky projekt është realizuar në periudhë prej një viti dhe është organizuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe institucione tjera relevante. Projekti ”Përforcim i barazisë gjinore në sektorin e bujqësisë duke aplikuar një metodë ekonomike eksperimentale”, projekt që është organizuar dhe mbështetur nga ‘UN Women’, trup i kombeve të bashkuara për barazi gjinore në Kombet e Bashkuara në Shkup. Ajnur Bafqari /SHENJA/