` . Supë ekonomike! - TV-SHENJA

Supë ekonomike!

Shkruan: Driton Demiri

Një supë të shijshme e gatuar vetëm me 5% më shumë qepë e 10% më shumë domate, le të themi, do të kënaqte të rinj e të vjetër? Nëse ne jemi të bindur, dhe përvojat e shumta e tregojnë një gjë të tillë, mbase do ishte një trajtim i mirë për të gjithë një familje. Me kalim të kohës, poqë se do mund të bëhet shumë në përmirësimin e ekonomisë dhe situatës sociale do bëhej mirë po i hodhëm dhe pak sa, disa, përqindje erëza e patate.

E gjithë kjo është e bukur, me një kusht që, shporta e konsumit të mos bjer ndesh me rritjen e çmimeve dhe se përllogaritë e vitit të ardhshëm të kenë të njëjtat vlera. Që do të thotë, të mos ketë rritje të çmimeve: të ngrohjes qendrore, derivateve, energjisë elektrike, ujit, taksave, taksës për rrugë, artikujve ushqimorë, shërbimeve të telekomunikacionit si dhe shërbimeve tjera publike etj.

Nëse çmimet rriten, së koti ia keni nisur gatimit të kësaj supe, ju, zotërinj nga qeveria.

Saktësisht, s’ka e nuk ekzistojnë taksa e tatime të mira e të pranueshme. Mbase derisa kemi status të vendit social, nga taksat e tatimet duhet mbijetuar. Këtu jemi më se dakord! Madje ekziston një e vërtetë se, taksat, tatimet si dhe pagat janë mekanizma bazë për një rikthim të klasës së mesme.

Siç, që, pretendoni, vetëm majtas nuk mund të ecim përpara. Një hap para dy prapa nuk shkohet!

Sot, gati se, kudo në botë është koha e qendrës, (për sa i përket politikave makroekonomike) edhe për nga funksionaliteti edhe për nga pabarazia ekonomike-sociale, as e majtës as e djathtës. Duhet ditur kjo! Duam apo s’duam ne, qofshim të majtë ose të djathtë! Është në pyetje modeli e jo dëshirat, sidomos reformat strukturore përbrenda një cikli olimpik prej katër vitesh: konsolidim financiar, taksa të ulëta, shpenzime publike të ulëta, reforma të përgjithshme në sektorin publik, nxitje e rritje të eksportit etj.

Eliminimi i deficitit strukturor duhet të ndodh sa më parë!

Përndryshe, qeverisja do të jetë disaster e llojit të vetë!

Në fakt, në cilin drejtim jeni nisur? Sinqerisht, çfarë “supe” tentoni të gatuani? Edhe pse shihet, me pak më shumë qepë dhe pak më shumë domate e pa kalori.

Do të gjendet vërtetë ajo mençuri, ajo urtësi, e ai vullnet për të lëvizur drejt synimit të proklamuar, në vend të situatës aktuale, duke qëndruar në një vend!? Shikuar nga këndvështrimi im; asgjë ende nuk është e sigurtë! Çfarëdo drejtimi, rruge, do të zgjidhni, me siguri, të gjithë ata që jetojnë e veprojnë në këtë vend, pa marrë parasysh se kush janë, nga ata me asistencë sociale e deri tek sipërmarrësi, përfundimisht, secili duhet marrë shans për një jetë të pangarkuar e më me dinjitet. Me mundësi të zgjedhjes së fatit të tyre për të qenë ajo që, ata, e dëshirojnë.

Nuk do të isha pajtuar të mbani për një kohë çmime të ulëta artificiale që, më pastaj ato të ngriten në qiell.

Dijeni, aktualisht, kemi një ekonomi në mjerim të skajshëm e të thekshëm. Gjysmën e saj ashtu siç është e s’a është e kemi monocentrike me kapital të koncentruar afër 47% të GDP-së vetëm në kryeqytet, pra rajoni i Shkupit, pjesa tjetër që mban shifrën e 53% të GDP-së e përqendruar në shtatë rajonet tjera. Përafërsisht 1/5 e popullsisë është në listën e më të varfërve, e vendi në listën e tre më të varfërve dhe në të parin për nga pabarazia në Europë. Kushtet janë të tmerrshme, të kuptohemi ende kemi vendbanime deri diku pa drita, pa ujë e me gropa, me mbetje, jashtëqitje e erë të ndyrë kafshësh shtëpiake nëpër rrugë, kufoma të kalbura të kafshëve dhe ushqime të prishura, erëra kutërbuese të ujërave të zeza, papastërti ambienti në përgjithësi me mbeturina të cilat së bashku krijojnë një atmosferë të rëndë ndotjeje, ku qytetarët jetojnë dhe hanë. Në këtë sens ajri i qelbur merr formën e një mjegulline të dukshme që, përgjithësisht, mbulon qiellin.

Katastrofë!

Në anën tjetër, siç e dini, vendi po boshatiset. Nga papunësia! Dhe se, këtu nuk bëhet fjalë jetesa, porse mbijetesa!

Tashmë dihet, taksa progresive nga fillimi i vitit të ardhshëm fillon së zbatuari. Të mos gënjehemi! Mbase do ketë masë mbi rritjen e akcizës së naftës! Aspak racionale! Thënë troç, vjelja indirekte të çdo xhepi e fund xhepi të qytetarëve,… dhe jo vetëm; për 3.5 denarë më shumë, do fillojë çik, më herët se sa paralajmërimet për nisjen e zbatimit të sistemit tatimor progresiv të përgjithshëm nga fillim viti 2019. Pavarësisht kësaj, do të ishte më se morale dikush nga ju t’a thotë, të jetë më transparent, të sqarojë e të informojë më hollësisht se pse në fakt, rritja e akcizës së naftës shkon në shifrën 3.5 denarë, se sa lajmin kush do emërohet ministër i shëndetësisë ose ministër pa portofol. Ndonëse, arsyet janë të qarta, më së tepërmi fiskale, me tendencë të së hyrave më të mëdha në arkë. Ndërsa, për reduktim të varësisë përmes konsumit më të ulët të naftës për arsye ekologjike, siç e thoni,… për këtë, koha do tregojë.

Do të ishte mirë, së pari, të reduktoni numrin apo më së mirë thënë të shfuqizoni gati se të gjitha dikasterët e ministrave pa portofol si dhe gati të gjitha ata drejtori, agjenci e ndërmarrje publike që nuk krijojnë paranë e të ashtuquajtur “humbës”, të cilat janë barë e rëndë e ngarkesë financiare për arkën shtetërore. Sa për ilustrim, dhe asgjë tjetër më tepër; qeveria juaj në përbërje ka, excess të numrit të ministrave pa portofol që, janë kryekëput të panevojshëm. Është më mirë e më e drejtë përmes parasë publike të konsumohen kikirikë, lajthi, derivate, paga e shpenzime të tjera të nduarnduarshme, së koti, apo të revitalizohen rrugë e rrugica në përgjithësi?

Së fundmi, ajo që duhet të ndodh është se, qeveria, duhet të ul shpenzimet e të kursejë e jo të ndodh e kundërta, kursimet të ndodhin nga qytetari. Qytetari s’ka çka të kursejë! Nga çka të kursejë! Na e thuani!

Optimist të kujdesshëm gatuajnë “supë ekonomike” të kujdesshme për të kënaqur të gjithë. Sadopak për të rigjallëruar, duke marrë në konsideratë çdo komponentë shoqërore, në kuadër të rialokimit të të ardhurave nacionale.

Merreni parasysh!

Postime të Ngjajshme