` . Sulmuan gjyqtarin, FSHF kërkon arrestimin e agresorëve, rrezikojnë 3 vite burg - TV-SHENJA

Sulmuan gjyqtarin, FSHF kërkon arrestimin e agresorëve, rrezikojnë 3 vite burg

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar me një qëndrim zyrtar pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit në ndeshjen e Kategorisë së Parë, Shkumbini-Dinamo 1-1. Duke kujtuar ndryshimet e fundit në Kodin Penal, FSHF thekson se dhunuesit në stadiume duhet të dënohen me 3 vite burg.

Reagimi i FSHF-së:

“Federata Shqiptare e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo, në qytetin e Peqinit.

FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë.

 FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambientet sportive.”