` . Sulmohet Konsullata e Kosovës në Danimarkë, Pacolli akuzon huliganët serbë - TV-SHENJA

Sulmohet Konsullata e Kosovës në Danimarkë, Pacolli akuzon huliganët serbë

Ministri në dorëheqje i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se të mërkurën, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar Konsullata e Kosovës në Kopenhagë, Danimarkë, dhe se është dëmtuar stema e shtetit të Kosovës.

Këto vepra ka thënë se janë bërë nga banditë dhe huliganë serbë në Danimarkë.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar Konsullata e Republikës së Kosovës në Kopenhagë, në Mbretërinë e Danimarkës si dhe është dëmtuar Stema e Shtetit të Kosovës nga banditët dhe huliganët serbë në Danimarkë. Ne e dënojmë këtë veprim qyqarë që shkel Konventën e Vjenës dhe sigurinë e ambienteve diplomatike dhe konsullore”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ai ka thënë se Kosova po punon me autoritetet daneze për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë teksa ka shtuar se sulmet e tilla tregojnë “vetëm frustrimin e politikës së ngecur të Serbisë e cila ende nuk do të kuptojë se që 11 vjet në Ballkanin Perëndimor ekziston një shtet i pavarur që quhet Republika e Kosovës”.

“E dënojmë fuqishëm propagandën serbe dhe fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në fund.

Me këtë rast është vandalizuar edhe stema e ambasadës së Shqipërisë në Kopenhagë, objekt ku janë të vendosura të dy misionet diplomatike.