` . Sulmet kibernetike, përpjekje ndërkombëtare për të kapur hakerët - TV SHENJA

Sulmet kibernetike, përpjekje ndërkombëtare për të kapur hakerët

Menaxherët dhe punëtorët e qeverive, organizatave dhe bizneseve, janë rikthyer sot në punë, teksa është rritur frika se pasojat nga sulmi masiv kibernetik mund të përkeqësohen pas fundjavës.

Në Azi, ku efekti i sulmit duket se ka qenë i kufizuar, invesitorët ende janë duke u përballur me kërcënimin nga sulmi i quajtur “WannaCry”.

Sulmi kibernetik, që nisi më 12 maj, ka goditur spitalet, bankat, dyqanet, shkollat dhe agjencitë qeveritare në 150 shtete, duke sulmuar verisionet e vjetra të sistemeve operative të Microsoft.

Sulmi, që besohet të jetë më i madhi i kryer ndonjëherë, deri më tani ka prekur 200,000 viktima, në 100,000 organizata në mbarë botën, ka gjënë agjencia policore e Evropës, Europol.

Një kërkim ndërkombëtar është duke u zhvilluar për të kapur përgjegjësit, ka thënë Europol.

Në Kinë, ekonominë e dytë më të madhe në botë, në sistemet e pagesave dhe shërbimet qeveritare është raportuar për disa ndërprerje. Autoritet kombëtare të kibernetikës, janë cituar të kenë thënë më 15 maj, se sulmi ende është duke u përhapur në vend por është ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme.

Firmat japoneze, përfshirë Hitachi dhe Nissan kanë raportuar se kanë pasur probleme por kanë thënë se operacionet e tyre të biznesit nuk janë prekur seriozisht.

Në mesin e viktimave më të mëdha është kompania amerikane FedEx, ndërtesat e prodhimit të veturave në Evropë, kompania e telekomit në Spanjë ‘Telefonika’, Sistemi Kombëtar i Shërbimeve Shëndetësore në Britani dhe rrjeti i hekurudhave në Gjermani.

Ministria e Brendshme ruse, ka thënë se disa kompjuterë të tyre janë goditur nga sulmi dhe autoritetet kanë thënë se sistemi bankar rus dhe sistemi i hekurudhave, gjithashtu kanë qenë cak i sulmit por nuk raportojnë për probleme të mëdha.

Sulmuesit u kanë thënë përdoruesve të kompjuterëve që të paguajnë 300 deri në 600 dollarë, në monedhën që përdoret në internet, që quhet bitcoine, me qëllim që të hiqnin virusin nga kompjuterët e tyre, pasi virusi kishte pamundësuar përdoruesit që të kishin qasje.

Ekspertët kanë thënë se adresat e lidhura me llogarinë e softuerit WannaCry, tregojnë se sulmuesit kanë marrë 32.500 dollarë në bitcoin. Kjo shifër pritet të rritet, megjithëse shumë ekspertë dhe agjenci qeveritare u kanë bërë thirrje personave të prekur nga sulmi kibernetik që të mos paguajnë sulmuesit.

Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë thënë se verisone të virusit me gjasë do të shfaqen teksa bizneset kanë rifilluar punën e tyre në shumë pjesë të botës.

Presidenti i Microsoft, Brand Smith, ka pranuar se hetimet kanë ardhur në përfundim se “sulmi ishte zhvilluar duke përdorur mjete të ndërtuara nga Agjencia për Siguri Kombëtare e SHBA-së, që ishin publikuar online nga hakerët në muajin prill”.

Ekspertët e sigurisë thonë se kompjuterët e sulmuar, kryesisht janë që nuk kishin bërë përditësimet e fundit të Microsoft.

Ata thonë se shumë organizata nuk kishin përditësuar sistemet e tyre për shkak të kostos dhe disa të tjerë, siç janë spitalet, e kanë pasur të vështirë të bëjnë përditësimet pa i ndërprerë operaiconet.

“Pres që të dëgjoj më shumë për këtë… kur përdoruesit të jenë kthyer nga pushimi i fundjavës në punë, ata mund të bëhen viktima të këtij sulmi”, ka thënë për Reuters Christian Karam, hulumtues për sigurinë në një kompani me bazë në Singapor. /REL/

Postime të Ngjajshme