` . Sulm terrorist në veri të Sirisë, 18 civilë të vrarë - TV-SHENJA

Sulm terrorist në veri të Sirisë, 18 civilë të vrarë

Të paktën 18 civilë janë vrarë nga një sulm terrorist me autobombë në qytetin Al-Bab në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sulmi është kryer përmes një automjeti të ngarkuar me eksplozivë në stacionin e autobusëve në Al-Bab, qytet tashmë i kontrolluar nga opozita ushtarake në të cilin Turqia kishte realizuar operacionin “Mburoja e Eufratit”.

Sulmi po ashtu ka shkaktuar 27 civilë të plagosur, ndërsa thuhet se numri i viktimave mund të rritet.

Shumë automjete janë djegur si pasojë e shpërthimit, kurse dëme të mëdha kanë pësuar edhe ndërtesat përreth.

Në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipet e Mbrojtjes Civile, të cilët bënë përpjekje për të shuar zjarrin që ka shpërthyer.

Ndryshe, organizata terroriste YPG/PKK, e cila është larguar nga rajoni i Afrinit pas operacionit antiterrorist turk “Dega e Ullirit”, vazhdon të mbajë nën okupim rajonin Tel Rifat në veriperëndim të qytetit Al-Bab dhe shpesh sulmon vendbanimet e kontrolluara nga Ushtria Kombëtare Siriane.