` . Sulm ndaj xhamive në Arakan (VIDEO) - TV-SHENJA

Sulm ndaj xhamive në Arakan (VIDEO)

Pas sulmeve të ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve fanatikë në qytetin Buthidaung në Arakan, në median sociale janë publikuar video që kanë dëshmuar për hyrje dhe sulme në xhami dhe urinim në një xhami, raporton Anadolu Agency (AA).

Dy video të xhiruara dhe publikuara dje në median sociale shfaqën gjendjen e dhimbshme pas sulmeve të ushtrisë dhe budistëve fanatikë në dy xhami në rajonin Gudampara në Budhidaung, ku jetojnë shumicë muslimane.

Në videon e parë thuhet se ushtria dhe budistët fanatikë të mërkurën kanë ardhur në Gudampara dhe i kanë vënë zjarrin shtëpive të muslimanëve, ndërsa më pas kanë sulmuar Xhaminë e Madhe në këtë rajon.

Ushtria dhe budistët fanatikë të cilët kanë hyrë në xhami thuhet të jenë sjellë në mënyrë jorespektuese ndaj librave të Kuranit të gjendur në xhami, ndërsa pas plaçkitjes dhe rrëmujës së shkaktuar kanë urinuar në xhami.

Ndërkaq, në videon e dytë shihet gjendja e rrënuar e xhamisë pas sulmit të së mërkurës në xhaminë e fshatit Barijapara në Gudampara.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar afër 300 fshatra.

Rreth 84 për qind nga gjithsej afër dy milionë muslimanë të Arakanit që janë përballur me sulme sistematike dhe spastrim etnik në Mianmar që nga vitet e 70-ta, janë strehuar në vendet fqinje.

Postime të Ngjajshme