` . Suedia dënon premtimin zgjedhor të Netanyahut - TV-SHENJA

Suedia dënon premtimin zgjedhor të Netanyahut

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, ka dënuar premtimin parazgjedhor të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për “aneksimin e Luginës së Jordanit dhe veriut të Detit të Vdekur”, transmeton AA.

“Kjo është një deklaratë fatkeqe”, tha Linde për televizionin shtetëror SVT pas marrjes së detyrës si kryediplomate e re e Suedisë dje, duke iu referuar deklaratës së Netanyahu-t për aneksimin e territoreve të pushtuara.

“Edhe Bashkimi Evropian, edhe bashkësia ndërkombëtare thonë se kjo është kundër të drejtës ndërkombëtare. Parakusht duhet të jetë zgjidhja dyshtetërore”, shtoi Linde.

Ndryshe, Netanyahu dje në një konferencë për media u zotua se do të aneksojë Luginën e Jordanit dhe territoret e tjera të pushtuara të Bregut Perëndimor nëse zgjidhet kryeministër.

“Njoftoj synimin tim për të zbatuar sovranitetin e Izraelit në Luginën e Jordanit dhe Detin e Vdekur, nëse qytetarët izraelitë më zgjedhin mua”, tha ai.