` . Studiuesit: Islamofobia si formë në vete e racizmit (Video) - TV-SHENJA

Studiuesit: Islamofobia si formë në vete e racizmit (Video)

Islamofobia nga shumë studiues tanimë karakterizohet si formë në vete e racizmit. Kjo temë e cila ka qenë temë qendrore në numrin më të ri të revistës “Shenja”, sipas studiuesve rrënjët i ka që në periudhën e postkolonializmit, ndërsa islamofobia më së shumti theksohet tek e djathta politike. Linda Hyökki hulumtuese nga Finlanda në Qendrën për Islamin dhe Çështjet Globale në Universitetin “Sabahattin Zaim” në Stamboll në një intervistë për revistën Shenja flet rreth problemit të islamofobisë në Europë dhe problemet me religjionin dhe ksenofobinë në përgjithësi.

Linda Hyökki, hulumtuese në Qendrën për Islamin dhe Çështjet Globale në Stamboll
“Unë e konsideroj islamofobinë si një formë racizmi dhe ky pohim është i mbërthyer në pranimin e sotëm të racës si një kategori shoqërore, jo si një kategori biologjike. Kjo mund të shihet përmes procesit të racializimit, që e kthen një grup etno-fetar, të tillë si myslimanët, në një racë dhe, vijueshëm, në ligjërimin racist antimysliman, ku myslimanët trajtohen si më të ulët karshi jomyslimanëve, kjo për shkak të dallimeve të tyre në një mënyrë të ngjashme, siç racizmi – i bazuar në dallimet biologjike – do t’i trajtonte njerëzit me ngjyrë. Në këtë kuptim, islamofobia është për mua një lloj paradigme e rreme ontologjike, teksa i trajton si të njëjtë të gjithë myslimanët dhe nganjëherë jomyslimanët e perceptuar si myslimanë me të njëjtat karakteristika të brendaqenësishme”

Besnik Sinani, studiues dhe hulumtues shkencor nga Shqipëria, doktorant në studimin e historisë, shoqërive, kulturave dhe religjionit islam në “Frei Universität” të Berlinit në Gjermani, në intervistën e fundit flet edhe për islamofobinë tek shqiptarët. Sipas Sinanit shumë njerëz nuk duan të besojnë për ekzistimin e islamofobisë në Shqipëri dhe Kosovë duke u bazuar në përqindjen e lartë të muslimanëve, por kjo thotë ai nuk është faktor përcaktues në këtë fenomen.

Besnik Sinani, studiues i kulturave dhe religjionit

“Shumica muslimane në Kosovë nuk do të thotë shumëçka kur vetë ekzistenca politike e shtetit varet nga “ndërkombëtarët”, që e shpjegon theksin e shqetësimit të shqiptarëve rreth “imazhit të tyre në botë”. Islamofobia, tek shqiptarët në përgjithësi, ka natyrë identitare dhe ligjërimi islamofob kërkon të jetë gjithëpërfshirës dhe totalitar. Kjo është dhe arsyeja, që – siç vëreni ju – tekstet shkollore janë ndër elementet më dalluese të politikave islamofobe. Kjo është dhe arsyeja e turkofobisë. Sepse, në thelb ky manifestim i islamofobisë mbart ankthin e orientimit identitar. Kjo është arsyeja pse ligjërimi islamofob është aq i mbarsur me leksik gjeografik Lindje/Perëndim”

Por, Kosova sipas studijuesit Besnik Sinani ka edhe karakteristika të tjera. Atje thotë ai ka figura pushtetarësh, që përqafojnë politika islamofobe teksa edhe mund ta agjërojnë Ramazanin. Kjo shton Sinani, nuk është kontradiktore, por tregues i një tjetër lloj intimiteti të islamofobisë kosovare, tregues i një ligjërimi të politikave që janë në thelb dhunuese. Arben Zeqiri /SHENJA/