` . Stoltenberg: Turqia ka shqetësime legjitime të sigurisë - TV-SHENJA

Stoltenberg: Turqia ka shqetësime legjitime të sigurisë

NATO beson se Turqia do të marrë masa proporcionale dhe të matura gjatë operacionit të saj antiterrorist në veri të Sirisë, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, raporton AA.

Duke folur në një konferencë për media pas një takimi në Romë me kryeministrin italian Giuseppe Conte, Stoltenberg tha se Turqia e ka informuar NATO-n në lidhje me operacionin “Burimi i Paqes”.

“Turqia ka shqetësime legjitime të sigurisë. U përball me sulme të tmerrshme terroriste”, theksoi Stoltenberg, duke rikujtuar se vendi në të njëjtën kohë strehon një numër të madh të refugjatëve.

“Besoj se Turqia do të sillet me përmbajtje dhe se aktivitetet e saj do të jenë proporcionale dhe të matura”, tha shefi i NATO-s në lidhje me operacionin antiterrorist në veri të Sirisë.

Ai u shpreh se Turqia duhet të përmbahet nga hapat që do t’i rrisnin stabilitetin dhe tensionet në rajon dhe shtoi se është e nevojshme që të ruhen fitimet e siguruara nga lufta kundër organizatës terroriste DEASH.

Stoltenberg paralajmëroi se të premten do të takohet me presidentin Recep Tayyip Erdoğan në një vizitë zyrtare në Turqi.