` . Stoltenberg dhe Vuçiq zhvillojnë bisedë telefonike – TV-SHENJA

Stoltenberg dhe Vuçiq zhvillojnë bisedë telefonike

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot realizuan një bisedë telefonike, gjatë të cilës u dakorduan se ruajtja e paqes dhe stabilitetit është në interesin më të madh për Serbinë dhe të gjithë rajonin, transmeton AA.

Siç njoftoi Presidenca e Serbisë, Vuçiç ka falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm, Stoltenberg për konstatimin se nuk është koha për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe se “qëllimi i Kosovës për të transformuar forcat e saj të sigurisë në ushtri vjen në një kohë të gabuar”.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që të mbeten në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejt dhe se ushtria serbe të rivendosë kontakte të përditshme me forcat e KFOR-it në Kosovë, me qëllim të shkëmbimit të informacioneve dhe të monitorojë zhvillimet.

Vuçiç njoftoi kreun e NATO-s me problemet me të cilat po përballet Serbia, sidomos populli serb në Kosovë për shkak të “vendimit iracional të Prishtinës për të vendosur taksë prej 100 për qind për mallrat nga Serbia qendrore, në kundërshtim me marrëveshjet e arritura”.

Stoltenberg vlerësoi Vuçiçin për organizimin e shkëlqyer të stërvitjes për ofrimin e ndihmës në situata të jashtëzakonshme, me 900 pjesëmarrës, që ishte stërvitja më e madhe e këtij lloji deri më sot, të mbajtur në tetor në Serbi. Ai tha se e çmon kontributin e Serbisë për paqen dhe stabilitetin në rajon.