` . Stoilov, sportist i vitit, vlerësime për Gonzalesin dhe Lazarovin – TV-SHENJA

Stoilov, sportist i vitit, vlerësime për Gonzalesin dhe Lazarovin

Hendbollisti i Vardarit Stojançe Stoilov fitoi çmimin kryesor si sportisti më i mirë i vitit 2017-të nga ana e Agjencisë për Rini dhe Sport, teksa sportistja e vitit u shpall karateistja Jovana Georgieva. Në këtë kategori ishin të nominuar edhe dy shqiptarët Enis Bardhi dhe Berat Jakupi.

Karateisti Petar Zaborski rezultoi më i miri në kategorinë e meshkujve për sportist më i mirë i ri, ndërsa në kategorinë e femrave këtë çmim e rrëmbeu Simona Simovska.

Trajneri më i miri i vitit padyshim ishte Raul Gonzales i cili bëri historinë me Vardarin në Ligën e Kampionëve evropian në hendboll. Përfaqësuesja më e mirë e femrave u shpall ajo e shpresave të hendbollit, ndërsa në kategorinë e meshkujve ky çmim i takoi përfaqësueses U 21 të hendbollit. Ndërkohë Federata e Karates u shpall më e mira e vitit 2017-të, duke dominuar ndaj të gjitha federatave tjera të cilat ishin të nominuara.

Sportisti më i mirë më aftësi të kufizuara u zgjodh notuesi Andrej Stojanovki, Dejan Gerogievski i takoi epiteti i më të miri për kontribut dhe arritje të veçantë në sportin e taekvondos, ndërsa Kiril Lazarovit i takoi çmimi ”Sportisti me meritë të veçantë”.

Epiteti i klubit më të mirë nga shkollat fillore i takoi ”Strasho Pinxhurit” nga Kavadari, klubi më i mirë nga shkollat e mesme u zgjodh ”Nikolla Karev” nga Strumica, ndërsa tek univeristetet më i miri rezultoi të jetë ”Shën Kirili dhe Metodi” nga Shkupi. Kjo është hera e 63-të me radhë që Agjencia për Rini dhe Sport në bashkëpunim me lidhjen e federatave sportive në Maqedoni organizon manifestim për ndarjen e çmimeve për sportistët më të mirë të vendit. /SHENJA/