` . Stinë protestash në Tiranë - TV-SHENJA

Stinë protestash në Tiranë

Shqipëria u gjend në një udhëkryq të tillë, kur në të njëjtën kohë në Kosovë po diskutohet për çështjen e ndryshimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo situatë e ushqen më së miri një teori konspiracioni, por deri në momentin që nuk ka asnjë fakt, ajo nuk mund të merret në analizë

Shkruan: Urim TUSKU, Tiranë

Në Shqipëri protestat opozitare kanë zënë një vend të rëndësishëm në diskutimet e përditshme, kjo edhe për faktin se një pjesë qytetarësh ende nuk e dinë se përse proteston opozita. Partitë politike në Shqipëri, Partia Demokratike, e drejtuar nga Lulzim Basha, dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e drejtuar nga Monika Kryemadhi, janë organizueset kryesore të protestave në vend. Së bashku me ta janë edhe të ashtuquajturit “parti aleate”, që në përbërje të tyre kanë më shumë individë me përvojë të gjatë në jetën parlamentare dhe politike sesa ndonjë elektorat përfaqësues. Madje, ndonjë parti ka vetëm siglën dhe as nuk i ka parë ndonjëherë dyert e parlamentit, por sërish i është bashkuar opozitës, me shpresën se gjërat mund të ndryshojnë dhe ata mund të marrin diçka nga ky ndryshim.

Fillesat e konfliktit mazhorancë-opozitë kanë nisur kohë më parë, që pas fitores së zgjedhjeve më 2017, ku edhe pse Partia Demokratike, me një marrëveshje të minutave të fundit, i mori qeverisë socialiste një pjesë të kabinetit qeveritar për ta drejtuar ajo vetë, sërish nuk arriti t’i fitonte zgjedhjet. Aty nisi gjithçka: opozita u ndje disi e tradhtuar, pasi nuk arriti ta bindë shumicën e shqiptarëve për ta votuar atë si shumicë qeverisëse.

Opozita në fillim e pranoi rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, por më pas i duhej të gjente një arsye se pse pati një humbje dërrmuese. Përgjigja u gjet: zgjedhjet, sipas opozitës, ishin blerë me paratë e drogës, që – për hir të së vërtetës – në atë kohë lulëzoi si kurrë më parë. Në një retorikë të tillë, gjithçka artikulohej në një drejtim: “Zgjedhjet u blenë më paratë e drogës”!

Deklarata të tilla, për blerje votash, bënin që mazhoranca t’i përgjigjej me cinizëm, duke arritur deri aty sa të ndërtonte edhe barsoleta me akuzat që vinin nga kundërshtarët politikë. Mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama i fitoi e vetme zgjedhjet dhe kjo e bënte atë më të fortë dhe arrogant njëkohësisht, pasi votat që arriti t’i merrte, i krijuan bindjen se qytetarët shqiptarë i besojnë verbërisht vizionit të tij në drejtimin e vendit. Është një lloj megalomanie sjellja e politikanëve në Shqipëri që kanë pushtetin, deri aty sa të shpërfillin çdo gjë që nuk i cenon ata. Të njëjtën sjellje e pati kryeministri Edi Rama, që me të drejtë apo jo, i tillë është portretizuar për një pjesë njerëzish.

Pika e ujit, që e derdhi gotën, do të arrinte në zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm në dhjetorin e vitit 2017, ku kandidaturë ishte vetëm një përfaqësuese e mazhorancës qeverisëse, gjë e cila solli tensione në Kuvend, ndërsa kryetarja e LSI-së (Lëvizja Socialiste për Integrim), Monika Kryemadhi, tentoi të godasë me çizme Kryeministrin. Që nga ky moment, parlamenti shqiptar ka qenë arenë përplasjeje dhe dhune. Duke mos u mjaftuar me këtë, opozita e përshkallëzoi qëndrimin e saj deri në bojkot parlamentar, por edhe ky nuk pati ndonjë efekt të madh.

Qëndrimet në lidhje me vazhdimin e mëtejshëm ishin të ndryshme: kishte zëra për veprime radikale, deri në djegie mandatesh, por sërish prevaloi rruga parlamentare, duke e rikthyer opozitën sërish në parlament, që erdhi pas shkundjes që pësoi qeveria nga protesta e studentëve dhe opozita e përligji rikthimin e saj në ndihmë të studentëve.

Por, opozita sërish nuk ndihej komode. Ajo synonte t’i kapitalizonte aksionet e saj politike, andaj nuk linte rast pa i shfrytëzuar pakënaqësitë qytetare, që për hir të së vërtetës janë të shumta në një vend si Shqipëria. Rastet ishin të pafundme, ndërsa u spikat ai i Unazës së Re, ku kalimi i rrugës pranë banesës së disa banorëve iu prishte shtëpitë atyre dhe shteti nuk ua njihte pronësinë. Ky ishte një problem social, por opozita shkoi në mbështetje të tyre. Ditë pas dite, qëndresa e banorëve për t’i mbrojtur banesat e tyre mori edhe ndihmën e opozitës e, sikur të mos mjaftonte kjo, në media doli lajmi për përfitim në mënyrë të paligjshme të tenderit të firmës fituese, çka ngrinte hije dyshimi për afera korruptive me shifra të mëdha. Kjo u përdor politikisht nga opozita, me qëllim të njollosjes së rëndë të saj, si një qeveri e korruptuar dhe që ka si synim pasurimin e një grushti njerëzish dhe jo të mirën e përgjithshme. Në këtë klimë indinjate të banorëve dhe veprimeve gjithnjë e më radikale të opozitës, situata politike po shkonte gjithnjë e më poshtë, ashtu që vendin e dialogut do ta zinte veprimi i dhunshëm, në parlament ose në rrugë.

Shqipëria u gjend në një udhëkryq të tillë, kur në të njëjtën kohë në Kosovë po diskutohet për çështjen e ndryshimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo situatë e ushqen më së miri një teori konspiracioni, por deri në momentin që nuk ka asnjë fakt, ajo nuk mund të merret në analizë. Një gjë është e sigurt dhe ka ngjashmëri mes Shqipërisë dhe Kosovës: çimentimi i një klase politike të shteruar nga idetë, të majmur nga pasuria dhe të zvjerdhur nga morali për ta drejtuar vendin.

Shkurti i këtij viti, ashtu sikundër ishte paralajmëruar, e gjeti opozitën në rrugë. Në datën 16 shkurt opozita e bashkuar i mblodhi mbështetësit e vet për të protestuar në Tiranë. Përbetimi i tyre për ta rrëzuar Edi Ramën degradoi në një dhunë ndaj institucionit të Kryeministrisë, ku akte të tilla vandale bënë xhiron e botës. Përpjekja për ta rrëzuar Kryeministrin përfundoi me thyerje xhamash dhe shkatërrim fasade të ndërtesës kryeministrore. Veprimet e opozitës i përngjanin një turme shkatërruese. Të paktën, ky ishte perceptimi që mbizotëroi pas atij rrëmeti që mbajti të ngërthyer kryeqytetin. Orët po kalonin dhe opozitës i duhej një veprim radikal, me qëllim që ajo ta justifikonte sjelljen e saj. Deklarata nuk mungoi të artikulohej nga lideri Basha, i cili tha se ishte një rrugë pa kthim: “opozita djeg mandatet e deputetëve”. Shumë zëra qarkullojnë dhe japin versione nga më të ndryshmet për ndërmarrjen e veprimeve të tilla nga opozita, disa, që mund të jenë edhe më të besueshmit, ngrenë dyshime se reforma në drejtësi ka frikësuar shumë opozitare, të tjerë aludojnë për veprime që tentojnë ta hedhin në erë sistemin në vend, si e vetmja mënyrë për ta ulur në tryezë Edi Ramën. Kjo duket si marrje e pushtetit në tavolinë për palën që e kritikon veprimin opozitar.

Edhe pas djegies së mandateve, opozita vazhdon të protestojë, tani edhe më ashpër, deri në agresivitet. Një gjë e tillë u dëshmua në protestën e 16 marsit, ku nuk munguan bombat molotovë, të hedhura nga protestuesit. Policia u është përgjigjur këtyre sulmeve me profesionalizëm, edhe pse ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Protestat janë të shpeshta, aq sa të duket sikur nuk kemi hyrë në stinën e pranverës, por në një stinë protestash.