` . Statuja e Robërisë – TV-SHENJA

Statuja e Robërisë

Pas këtyre zgjedhjeve, partitë e reja të cilat synuan dhe synojnë rrëzimin e BDI-së prej pushtetit, tanimë praktikisht panë se duhet ta ndërrojnë strategjinë e rrëzimit të BDI-së, përndryshe sa të ketë shëndet dhe jetë i pari i BDI-së do të jetë në pushtet kjo parti.

Shkruan: Iljasa Salihu, Kumanovë

Zgjedhjet janë hakmarrja e qytetarit”, thotë Dejvid Xhorxh. Qytetarët, të cilët qoftë përmes gojës së tyre a përmes gojës së analistëve, të cilët para zgjedhjeve flitnin me hakërrimë, pas zgjedhjeve pamë se nuk morën hak ndaj partisë që qëndronte në qeveri si Statujë e Robërisë. Pa u futur në teori të konspiracionit se qytetari tashmë nuk vendos se kush do të fitojë, se ai është thjesht pjesë e një loje që luhet prej të mëdhenjve të cilët gjendet pas perdeve, se ata që fituan në të vërtetë humbën dhe e kundërta, duhet pranuar se në zgjedhjet vendore fitoi sërish BDI-ja, në të vërtetë epërsoi në fitore. Pikërisht ajo që radhazi tani e 16 vjet fiton, por e cila asnjëherë nuk është në gjendje t’i arsyetojë fitoret. Në zgjedhjet e fundit parlamentare BDI-ja u përgjysmua, kurse në zgjedhjet e fundit vendore prej 14 komunave që i kishte fituar në vitin 2013, në vitin 2017 i mori 10 komuna. Shihet që tashmë ka filluar të largohet përpjetë prej pikës së përgjysmimit. Ndërsa në këto zgjedhje humbën ato (partitë e reja, pra Aleanca me Besë) të cilat nuk e lartësuan fitilin e kujdesit kur panë se BDI-ja, LSDM-ja, PDSH-ja dhe ndërmarrjet prodhuese të sajesave e shpifjeve ishin thellësisht kundër koalicionit Aleancë me Besë, koalicion ky tepër i vonshëm, të cilin madje shumë njohës të politikës e komentuan si koalicion që ka në spikamë shpëtimin e lëkurës së BilallKasamit dhe Ziadin Selës, të cilët e humbën garën për të parin e komunave të Strugës dhe atë të Tetovës. Jo vetëm që humbën liderët e këtyre partive, të cilët synuan kreun e komunës, por tani e një muaj asgjë konkrete nuk dëgjohet prej tyre, pra sikur e pranojnë në heshtje humbjen, mirëpo nuk e pranojnë faktin se pas çdo humbje duhet dhënë llogari, ndërsa në të shumtën e rasteve kjo llogari shoqërohet me dorëheqje.

Pas këtyre zgjedhjeve, partitë e reja të cilat synuan dhe synojnë rrëzimin e BDI-së prej pushtetit, tanimë praktikisht e panë se duhet ta ndërrojnë strategjinë e rrëzimit të BDI-së. Përndryshe, sa të ketë shëndet dhe jetë i pari i BDI-së, kjo parti do të jetë në pushtet. Ato gabimisht u përqendruan vetëm në kritika dhe akuza ndaj kësaj partie, duke harruar më seriozisht të merren me qytetarët dhe me argumentimin e platformës së tyre. Prandaj nuk arritën t’i bindin qytetarët se pse pikërisht ato parti ose atë koalicion duhet votuar. Por, për ta mbuluar këtë orvatje, ditë e natë u morën me faktin se pse BDI-në duhet rrëzuar, duke harruar, ndonëse qëllimisht, të merret për bazë fakti se kjo parti ende e shfrytëzon kredinë e luftës dhe kredon e përkrahjes së ndërkombëtarëve. Nuk e morën parasysh faktin se qytetari është i vetëdijshëm për të bëmat mynxyrë të partisë në pushtet, mirëpo nëse nuk është shumë i sigurt për alternativën, qytetari vendos të qëndrojë aty ku ishte më parë, paçka se vetë është i pakënaqur me punët e partisë që ende e përkrah. Të gjithë duhet ta kuptojnë se qytetari çdo lëvizje e llogarit me mbijetesën ekonomike dhe një numër tjetër me përfitimin e mundshëm financiar. Nuk mund t’i ofrosh qytetarit ideal nëse vetë ofruesi gëzon një mirëqenie të lartë ekonomike. Për fat të keq, partitë e reja këtë fakt nuk e kuptuan mirëfilli.

Sidoqoftë, është për t’u habitur me këto rezultate. Gjithë ato ankesa dhe gjitha ato kritika prej qytetarëve, pse jo edhe prej raporteve ndërkombëtare, e sërish del fituese partia që lehtas merr përgjegjësi, por kurrë nuk jep llogari para qytetarëve. Tani ose populli përfundimisht është bërë i partisë ose partitë e reja nuk qenë të afta ta joshin dhe tërheqin qytetarin, fillimisht të paanshëm dhe pastaj atë që dikur mbante anë. Të mos harrojmë se 64 për qind e qytetarëve nuk dolën për të votuar fare, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Unë mendoj se partitë e reja nuk qenë të afta ta joshin dhe tërheqin qytetarin, të paktën dhe fillimisht atë të papërcaktuarin.

Megjithëkëtë, është koha që lëvizjet e reja të këndellën dhe të merren fillimisht me veten. Nuk duhet ta kuptojnë humbjen si fund të botës, por me përpjekje titanike duhet të ofrohen si shtigje shpëtimi. Nëse duan seriozisht që pema e tyre të mbushet me frute, patjetër duhet ta marrin parasysh edhe thënien e Ajnshtajnit: “Çmenduri është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme”. Nuk duhen të lodhen shumë duke treguar se kush është e keqja e shqiptarëve, sepse ajo shihet prej në Hënë, porse kush është shpëtimi i shqiptarëve, duke ofruar kështu platforma të qarta dhe bartës të këtyre platformave, të cilët më parë ishin dëshmuar se janë në gjendje t’u prinë proceseve a betejave të rëndësishme. Përfundimisht duhet ta kuptojnë se qytetari e di se cila është e keqja, por i mungon bindja dhe vetëdija. Ndërkaq, bindja dhe vetëdija nuk krijohen me njohjen e të keqes, por me ofrimin shtegdaljes. Partitë e reja, të cilat shpesh po pështjellohen keq në fushën e parimit dhe të pragmatizmit, është mirë të marrin shembuj prej Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo duke mos ia shikuar vetëm rritjen e votave, por edhe gatishmërinë e flijimit.