` . Stamboll, javën e ardhshme mbahet ekspozita e teknologjisë - TV-SHENJA

Stamboll, javën e ardhshme mbahet ekspozita e teknologjisë

Ngjarja kryesore e teknologjisë së Turqisë, “Smart Future World Expo 2019”, do të fillojë në Stamboll javën e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë zyrtarë të lartë, ekspertë dhe përfaqësues nga bota e biznesit dhe teknologjisë më 30-31 tetor në Qendrën e Kongresit të Stambollit.

I organizuar nën temën e “Lëvizja Digjitale NVM (Ndërmarjet e Vogla dhe të Mesme)”, edicioni i katërt i ngjarjes do të përqendrohet në teknologjitë e ardhshme dhe efektet e tyre në qytete dhe industri.

Ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, dhe ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, pritet të mbajnë fjalime gjatë evenimentit.

Folësit, në rreth 25 seanca, do të diskutojnë disa tema, përfshirë të dhënat e mëdha, transformimin digjital, energjinë, kërkimin dhe zhvillimin, inteligjencën artificiale, blockchain, internetin e gjërave dhe qytetet e zgjuara.

Aktiviteti do të organizohet nën sponsorizimet kryesore të Dhomës së Tregtisë dhe Asociacionit të Eksportuesve të Elektronikës, Elektrikës dhe Shërbimeve.

Ngjarja gjithashtu mbështetet nga Konsullata e Përgjithshme e Suedisë, Ministria Turke e Industrisë dhe Teknologjisë dhe Ministria e Energjisë dhe Burimeve Natyrore.