` . Stagnimi i gjatë demografik dhe faktorët limitues në të kaluarën - TV-SHENJA

Stagnimi i gjatë demografik dhe faktorët limitues në të kaluarën

Gjatë luftës së gjatë për ekzistencë elementare, njerëzit nga çerdhja e tyre e parë janë zgjeruar anembanë planetit tonë, Tokës, por të gjitha njohuritë flasin për një shtrirje karakteristike oazore dhe disperzive.

Shkruan: Hivzi ISLAMI, Prishtinë

Nga paraqitja e paraardhësit të njeriut, të drejtuar në këmbë (homoerectusi), kanë kaluar rreth 1.700.000 vjet dhe të homosapiensit (njeriut si qenie e arsyeshme, e vetëdijshme) rreth 60.000 vjet. Në luftën e tij për ekzistencë, njeriu ka lëvizur në hapësirë, duke e zgjeruar praninë e tij në të gjitha brezat dhe mjediset gjeografike. Si rezultat i përshtatjes së organizmit të tij në këto kontekste komplekse gjeohapësinore, si një proces tepër i mundimshëm dhe afatgjatë, është modifikuar edhe pamja e tij e jashtme, fizike. Ndërkaq, për evolucionin e popullsisë së botës mungojnë njohuri të mjaftueshme, veçanërisht për të kaluarën e largët. Ajo që dihet është fakti se sipas vlerësimit të dijetarëve të ndryshëm dhe, më vonë, të shërbimeve të specializuara të OKB-së, deri në fillim të epokës së re dhe, përgjithësisht, deri në fillim të kohës moderne (zbulimet e mëdha gjeografike) lëvizja e popullsisë në nivel botëror është karakterizuar me rritje të ngadalshme dhe fluktuimin e saj, me dallime të theksuara në pikëpamje hapësinore dhe në periudha të caktuara, të gjata kohore, si rezultat i ndikimit të një varg faktorësh kufizues. Para rreth 40.000 vjetëve para epokës sonë (paleoliti i epërm), sipas vlerësimeve të përgjithshme, të mbështetura mbi gjurmët e vendeve të banuara dhe të veglave të punës, në botë jetonin rreth 500.000 banorë, ndërsa 5.000 vjet më vonë ky numër rritet në rreth 4 milionë njerëz (J. N. Biraben). Kjo gjendje numerike, me fluktuime të konsiderueshme, ku, pos rrethanave të tjera, ndikim të madh ka pasur ndërrimi i klimës, nuk ndryshon deri para 10.000-5.000 vjet para epokës sonë, kur paraqiten vendbanimet e para bujqësore. Kjo është koha e revolucionit neolitik agrar (G. Baudelle).

Vlerësohet se atëbotë shënohet një rritje e mirëqenies së përgjithshme, që mundësonte krijimin e një baze për rritjen e popullsisë. Në këto bashkësi të para bujqësore krijohen edhe teprica të përkohshme të ushqimit (drithërat), që ruheshin si rezerva për situata të rënda ekzistenciale, çfarë ishin p. sh. vitet e thatësisë dhe, rrjedhimisht, vitet e urisë. Bashkësitë dhe veprimtaria neolitike agrare u zgjeruan territorialisht, duke përfshirë (deri 6.000 vjet para epokës së re) Europën juglindore dhe, gjatë pesëmijëvjeçarit, Mesdheun perëndimor dhe hapësirat nëndanubiane, pastaj Afrikën veriore gjatë fazës me lagështi, si dhe viset e Turkistanit deri në Iranin verior dhe fushën e Indit dhe krahinën e Sindit. Disa të dhëna flasin se këto bashkësi, në të njëjtën kohë e ndoshta edhe më herët, do të gjenden edhe në Kinë, qysh 7.000 deri 6.000 vjet para epokës sonë. Intensiteti i mobilitetit (migrimi), nga jeta bredhëse bujqësore deri te jeta e ngulitur (sesile), e cila do të ketë qenë e gjatë, është varur nga tipi i ekonomisë neolitike dhe ndikimi i shumë konteksteve dhe substrateve natyrore dhe kulturore (E. Heršak).

Periudha, e përvijuar midis 8.000 e 10.000 vjet para epokës sonë dhe fillimit të epokës së re (D. J. Durand), njihet edhe si “revolucion neolitik demografik”, që përputhet me periudhën e zëvendësimit të ekonomisë mbledhëse e të gjuetisë dhe të mënyrës endacake të jetës me ekonominë bujqësore dhe jetën e ngulitur (sesile), ku bazën kryesore e përbënin lavërtaria dhe rritja e kafshëve shtëpiake (G. Acsádi; J. Nemskeri). Prej atëherë vlerësohet se bota shënon një përparim demografik, kur numri i popullsisë së saj rritet prej rreth 5 milionë në rreth 300 milionë njerëz në fillim të epokës së re, të shtrirë në një pjesë relativisht të madhe të hapësirës së sotme të banuar (D. J. Durand ; J. N. Biraben), ndërkaq, pas zbulimeve të mëdha gjeografike, në vitin 1650 në rreth 500 milionë njerëz dhe në vitin 1750 në rreth 730 milionë njerëz (A. M. Carr-Saunders; W. Willcox; United Nations). Kjo do të thotë se lëvizjen e popullsisë, sa i përket anës së saj kuantitative, e shquante një ngecje e gjatë, që është një nga veçoritë themelore të evolucionit demografik të botës. Autorët që janë marrë më hollësisht me evolucionin e popullsisë theksojnë se popullsia e botës në dhjetë shekujt e parë të epokës sonë, me fluktuime të dukshme, sillej prej 256 milionë në vitin 14 deri në 280 milionë në vitin 1000 të epokës sonë (C. Clark).

Progresi demografik dhe revolucioni bujqësor

Gjatë luftës së gjatë për ekzistencë elementare njerëzit nga çerdhja e tyre e parë janë zgjeruar anembanë planetit tonë, Tokës, por të gjitha njohuritë flasin për një shtrirje karakteristike oazore dhe disperzive. Para revolucionit neolitik bujqësor (rreth 8.000 vjet para epokës sonë) vlerësohet se numri i njerëzve ishte i vogël dhe pjesa dërmuese e ekumenës së sotme kishte dendësi shumë të rrallë të popullsisë; për evolucionin e popullsisë botërore prej 40.000 vjet p. e. së re deri në fund të shek. XX ka mjaft hulumtime (A. Varagnac; L. Naugier; J. Dupâquier; G. Tapinos). Në fazat e hershme të ekzistimit besohet se njerëzit jetonin të ndarë, ndërsa më vonë do të bashkohen në grupe e kolektive më të mëdha dhe më të organizuara shoqërore. Së pari ishin të grupuar në hapësirat e caktuara, që kishin pozitë të volitshme gjeografike dhe kushte të tjera të përshtatshme natyrore për zhvillimin e jetës (relievi, klima, uji, vegjetacioni, fauna etj.), të cilat do të luanin rol të madh në jetën e ngulitur dhe formimin e vendbanimeve të para.

Pas revolucionit bujqësor, civilizimet e para paraqiten në Egjipt (rreth 6.000 vjet para epokës sonë), Mesopotami (rreth 5.400 vjet), Kinë (3.400 vjet), pastaj në Greqi (rreth 3.000 vjet p. e. së re) etj., të cilat, besohet se për rrethanat e atëhershme ishin dendur të banuara. Luginat e lumenjve (Nili, Indi, Mesopotamia, Hoangho etj.) njihen si vatra të njohura kulturore dhe popullative, ku bujqësia e ngulitur dhe punimi i tokës ishin veçori themelore të ekonomizimit dhe të mënyrës së jetës. Këto janë edhe vatrat e zgjerimit të ekumenës në fazat e mëvonshme të zhvillimit të njerëzimit (M. Reinhard; A. Armengaud). Në kohën antike, në vatrat kulturore dhe popullative, në Kinë, në Egjipt, në Mesopotami, në Perandorinë Romake etj., edhe pse jo të plota, janë bërë disa regjistrime të kategorive të caktuara të popullsisë (ushtarët, robërit, obliguesit e tatimeve etj.), sikundër edhe në Europën mesjetare dhe në Perandorinë Otomane, është regjistruar popullsia, ku njësia themelore statistike ka qenë shtëpia ose oxhaku, ndërsa regjistrimet kadastrale turke (defterët) ofrojnë jo vetëm të dhëna demografike, por mundësojnë edhe rikonstruimin e gjendjes sociale dhe ekonomiko-juridike.

Deri në revolucionin klasik industrial normat e lindshmërisë dhe të vdekshmërisë ishin shumë të larta dhe midis tyre nuk kishte dallime të mëdha. Në disa vite e periudha, madje edhe të gjata, norma e mortalitetit ishte baras me normën e natalitetit, që rezultonte me shtim natyror zero ose edhe negativ, ndërsa jeta mesatare e të porsalindurve supozohej se sillej jo më shumë se 20 vjet. Numri mesatar i fëmijëve të lindur gjallë në një grua ishte i vogël për shkak të jetës së shkurtër të tyre, që nuk arrinin ta përjetonin periudhën e plotë të riprodhimit biologjik, deri në 50 vjet (D. Breznik). “Në epokën tradicionale vdekja ishte në qendër të jetës, sikurse që ishte varri në qendër të fshatit” (J. Fourastié).

Gjithashtu, deri në revolucionin klasik industrial nuk kishte dallime të mëdha në nivelin e natalitetit dhe të mortalitetit midis vendeve sot të zhvilluara dhe vendeve sot në zhvillim dhe të pazhvilluara. Pas kësaj kthese të zhvillimit industrial e social, ato do të rriten shumë. Konsiderohet se në kushtet e moszhvillimit të përgjithshëm normat e natalitetit dhe të mortalitetit silleshin deri në kufijtë e tyre fiziologjikë, midis 50 dhe 80 promilë (United Nations). Mirëpo, sjellja riprodhuese deri në këto norma fiziologjike nuk ka mundur të mbahej për një kohë të gjatë, për arsye të ndryshimeve në strukturën e popullsisë sipas moshës dhe gjinisë; nataliteti fiziologjik është edhe funksion i këtyre strukturave biologjiko-demografike. Si faktorë kryesorë të përparimit të ngadalshëm demografik deri në kohën moderne është, pra, vdekshmëria e lartë si pasojë e sëmundjeve endemike dhe epidemike, që merrnin jetë të shumta, sikurse murtaja, lia, kolera, tifoja, malaria, tuberkulozi, dizenteria etj.; deri në shek. XVII duket se murtaja bënte kërdinë më të madhe në popullatën e të gjitha moshave (M. Livi Bacci ). Pastaj vinin vitet jo të frytshme, thatësitë, vërshimet, uria, luftërat e shpeshta etj. (A. Armengaud). Në shumë mjedise gjeografike dhe bashkësi popullative ishin krijuar edhe legjenda të ndryshme lidhur me jetën dhe vdekjen.

Në rrethana të tilla shkalla e lindshmërisë duhej të ishte patjetër shumë e lartë, kurse njohësit e rrethanave historiko-demografike theksojnë se përveç vdekshmërisë së lartë, në shkallën e latë të lindshmërisë kanë ndikuar edhe faktorët e tjerë si përcjellës iskonikë të pjesës dërmuese të njerëzimit: lufta për ekzistencë jo vetëm deri në revolucionin bujqësor, por edhe gjatë epokës “agrare” kërkonte më tepër fëmijë si krah pune (mbledhës të frutave, gjuetarë e peshkatarë dhe bujq e blegtorë). Periudha e gjatë e civilizimit agraro-blegtoral, e bazuar në mënyrën ekstensive të shfrytëzimit të të mirave natyrore dhe pasigurisë së përgjithshme ekzistenciale, kërkonte familje të tipit të zgjeruar, në të cilën të gjithë anëtarët e saj do të punonin dhe do t’i kontribuonin buxhetit familjar (M. Reinhard).

Gjendja e stagnimit demografik zgjat deri në periudhën e zbulimeve të mëdha gjoegrafike. Derisa nuk ishin sjellë kulturat e reja nga “Bota e Re” (misri dhe patatja) në Europën mesjetare, mortaliteti i lartë ishte në lidhje të ngushtë me urinë, por pas zbulimeve të mëdha gjeografike, me gjithë ngadalësimin në ritmin demografik, si pasojë e mungesës së ushqimit (midis viteve 1600 dhe 1700 në Europë shënohen 34 vite jo të frytshme) dhe sëmundjeve epidemike (J.-N. Biraben), vërehet një rrjedhë e ndjeshme e zgjimit demografik dhe në periudhën prej vitit 1650-1750 popullsia e botës rritet për 44%, ndërsa në periudhën prej 1750-1800 shënohet një zvogëlim relativ (rritja për 25%); për një shekull e gjysmë popullsia e botës rritet vetëm përreth 80% dhe mesatarisht rreth 4,5 promilë në vit.

Lëvizja e popullsisë së botës prej 1650 deri në revolucionin klasik

industrial (1800), sipas vlerësimeve të përgjithshme

Viti  

Në miliona

Dendësia e

popullsisë

Rritja në % Rritja mesatare vjetore

në promilë

1650 505 3,3 1650-1750 44 1650-1750 4,4
1750 728 5,5 1750-1800 25 1750-1800 4,9
1800 907 6,8 1650-1800 80 1650-1800 4,5

Burimi: M. Reinhard-A. Armengaud, Histoire générale de la population mondiale, Domat-Montchrestien, II éd., Paris, 1961; J.-M. Poursin, La population mondiale, Editions du Seuil, Paris, 1976; J.-C. Chesnais, La population du monde de l’Antiquité à 2050, Paris, 1991; United Nations, 1973.

Revolucioni industrial dhe tranzicioni demografik

Sipas vlerësimeve të OKB-së, në vitin 1650 në botë jetonin rreth gjysmë miliardi njerëz, ndërsa në vitin 1800 ky numër gati dyfishohet. Por, raporti midis rajoneve të pazhvilluara dhe atyre të zhvilluara, megjithatë, mbetet i madh (3:1). Pas revolucionit industrial, procesi i tranzicionit demografik u zgjerua shpejt dhe i përfshiu të gjitha vendet sot të zhvilluara, duke iniciuar ndryshime të mëdha në zhvillimin e popullsisë, kështu që në shek. XX dhe sidomos pas Luftës II Botërore, me eliminimin e shumë sëmundjeve endemike dhe epidemike, zgjerimin e mjeteve preventive shëndetësore, përmirësimin e kushteve jetësore të nënave dhe fëmijëve, rritjes së sasisë së ushqimit etj. dhe solidaritetit të njerëzimit (organizatat e OKB-së, si WHO, UNICEF, UNESCO, FAO etj.) në vendet e pazhvilluara u zvogëlua dukshëm mortaliteti, veçanërisht i foshnjave, që në rrethanat e natalitetit të lartë ndikoi në rritjen e shtimit natyror. Ky ishte edhe njëri nga burimet kryesore të rritjes së numrit të popullsisë në këto vende dhe i thellimit të raportit numerik midis tyre dhe vendeve të zhvilluara sot (9:1). Ndërkaq, sipas variantit të mesëm të projeksionit afatgjatë, prej vitit 2025-2150, që sipas hartuesve duket se është më real, popullsia e botës nga më se 7,8 miliardë sa ka sot, sipas parashikimeve mund të shkojë në më shumë se 10 miliardë në vitin 2150, ndërsa pjesa dërmuese e saj do të shtrihet në rajonet dhe vendet sot të pazhvilluara (afër 90%).

Vlerësimet dhe projeksionet e popullsisë së botës dhe rajoneve të saj prej 1650-2150 sipas variantit të mesëm (në miliona)

Viti Bota Rajonet e zhvilluara Rajonet e pazhvilluara
  Numri % Numri % Numri %
1650 507 100,0 106 20,9 401 79,0
1750 791 100,0 201 25,7 590 74,3
1800 978 100,0 248 25,6 730 74,4
1900 1.650 100,0 573 24,7 1.077 65,3
1950 2.516 100,0 752 29,9 1.766 70,1
1990 5.292 100,0 1.089 20,6 4.203 79,4
2000 6.261 100,0 1.143 18,3 5.118 81,7
2050 10.019 100,0 1.243 13,3 8.786 87,7
2100 11.186 100,0 1.202 10,7 9.984 89,5
2150 11.543 100,0 1.191 10,3 10.352 89,7

Burimi: A. M. Carr-Saunders, World Population, Oxford University Press, Fair Laun, 1936; Ë. Ë. Ëillcox, Studies in American Demography, Cornell University Press, Ithaca 1940; United Nations, The Ëorld Population Situation in 1970, Neë York, 1971; United Nations, Long-range Ëorld Population Projections. Tëo Centuries of Population Groëth, 1950-2150, Neë York, 1992.; United Nations, World Population Prospects, The 1994 Revision, Neë York, 1994.

Ndryshime të mëdha demografike dhe shoqërore, në përmasa botërore, rajonale dhe nacionale, siç shihet, ndodhën pas Luftës II Botërore Në vitin 1950 bota kishte afër 2,5 miliardë e gjysmë banorë, ndërsa në vitin 1987 ky numër u dyfishua (5 miliardë); bota sot ka 7,8 miliardë. Në vitin 1950, për shembull, vetëm 4 shtete kishin më shumë se 100 milionë banorë (Kina 556.613, India 358.293, BRSS-ja 178.547 dhe SHBA-ja 152.271), ndërsa në fillim të prillit të vitit 2020 ky numër rritet në 14 vende dhe 6 prej tyre përbëjnë më se gjysmën e popullsisë së botës (Kina, India, SHBA-ja, Indonezia, Pakistani dhe Brazili; vetëm Kina përbën afër 1/5 e popullsisë botërore, ndërsa bashkë me Indinë përbëjnë 36,1% të popullsisë së botës. Këto dy dekadat e fundit rritje të shpejtë demografike kanë shënuar Nigeria, Bangladeshi, Etiopia, Filipinet dhe Egjipti, përfshirë Vietnamin, i cili shpejt do të hyjë në radhën e këtyre 14 vendeve (97.338 milionë).

Vlerësimet dhe projeksionet e popullsisë së botës dhe rajoneve të saj prej 1650-2150

Më 6 janar 2005 Kina arriti në 1.300.000.000 banorë, por pas nxjerrjes së ligjit që hyri në fuqi më 1 janar 2016, çiftëve bashkëshortorë dhe familjeve u lejohet që ta braktisin modelin e një fëmije si dekret i politikës partiako-shtetërore nga koha e Mao Ce dunit dhe të lindin dy fëmijë. Por, që nga themelimi i Kinës si Republikë Popullore në vitin 1949, në vitin 2018 për herë të parë është shënuar rënie e numrit të lindjeve dhe rrjedhimisht e zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të popullsisë për 1.27 milionë njerëz. Ekspertët mendojnë se kjo kthesë e ndryshimit të politikës shtetërore, përmes ligjit, për shumë çifte bashkëshortore nuk është shumë inkurajuese, ngase vjen vonë për ta sfiduar krizën popullative, ndërsa shumë çifte bashkëshortore nuk dëshirojnë më shumë fëmijë për shkak të rritjes së kostos së përgjithshme të jetës dhe pas asaj eksperience të gjatë të sistemit të një fëmije, mbeten në këtë model ose shumë çifte në qytete deklarojnë se nuk dëshirojnë të lindin fare fëmijë.

Efektet e modelit të lindjes së një fëmije, të zbatuar për shumë dekada, sot janë zvogëlimi i kontingjentit të grave në periudhën e riprodhimit (15-49 vjet), zvogëlimi i kontingjentit të popullsisë së aftë për punë, thellimi i procesit të moshënimit demografik dhe rritja e kontingjentit të pensionistëve, që ka si pasojë presionin në fondet sociale, pensionale dhe shëndetësore etj. Numri i personave mbi 60 vjeç nga afër 241 milionë (17% e popullsisë së gjithmbarshme) në vitin 2017 pritet të rritet në rreth 500 milionë njerëz (35% nga popullsia e përgjithshme) në vitin 2050, që nënkupton se Kina me këtë ekspansion ekonomik do të ketë nevojë për fuqi punëtore nga jashtë! Gratë e kohës së fushatës antinataliste thonë se: “Sot jemi si fëmijë pa vëllezër dhe pa motra!”.

 

Vendet me më shumë se 100 milionë banorë në fillim të prillit 2020 (në miliona dhe në përqindje) dhe me dendësi të ndryshme të popullsisë

Vendi Numri % Dendësia Vendi Numri % Dendësia
Kina 1.439.323 18,4 133,4 Bangladeshi 164.689 1,8 9
India 1.380.004 17,7 319,2 Rusia 145.934 2,1 928
SHBA 331.002 4,2 30,7 Meksika 128.932 1,6 66
Indonezia 273.523 3,5 151 Japonia 126.476 1,6 347
Pakistani

Brazili

Nigeria

220.523

212.589

206.139

2,8

2,2

2,6

287

25

226

Etiopia

Filipinet

Egjipti

114.963

109.581

102.334

1,4

1,4

1,3

115

368

103

               

Burimi: Worldometer (www). Elaboration of data by United Nations, Department of Economic and Social Affairs, Population Division. World Population Prospects: The 2019 Revision. (Medium-fertility variant).