` . Srebrenica 2017: Debosnizimi si mirazh - TV SHENJA

Srebrenica 2017: Debosnizimi si mirazh

“Rruga më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë!” (Abraham Lincoln)

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

“Policia e Banja Llukës ka lejuar mbajtjen e mitingut që më 11 korrik 2017 do të organizohet nga grupi nacionalist ‘Të përbetuarit’.” Në prononcimin e përfaqësuesve të këtij grupi thuhej se “11 korriku është më i përshtatshmi për këtë takim, sepse atë ditë është çliruar Srebrenica dhe në këtë mënyrë më së miri shprehet mbështetja ndaj njërit prej heronjve më të mëdhenj të popullit serb”. (AJB, 8 korrik 2017) Ky është konstrukti mental barbar, i transmetuar pa ndryshime për nga e mira, dhe kjo është pasqyra e gjendjes në Ballkanin e shekullit XXI, afër tre dekada pas kalvarit të viteve 1990-të. Krimineli shpallet mesi, kanibali mitizohet, kasapi e psikopati përlëvdohet si ikonë e historisë, gjithë kjo në kongregacion. Vallë krijohet e ardhmja duke u krenuar me krimin, duke irrituar, rrëqethur e pezmatuar fqinjin e masakruar (masovikisht) e të gjenocidizuar?
Viti 2017. Dekada e dytë e shekullit XXI. Ne e shohim kthjelltësish Europën e Mesjetës. Sociologët e konstatojnë Europën negative, Europën e Dytë. Ky është Ballkani, që njihet edhe për terma që ka prodhuar për fjalorët e sociologjisë, politologjisë. Ndër neologjizmat e krijuar nga konteksti ballkanik është edhe ai balkanisation, që nënkupton (shpër)ndarjen e një rajoni ose grupi në pjesë më të vogla dhe armiqësore. Është term gjeopolitik, i përdorur për të shënuar procesin e fragmentimit dhe ndarjes së një rajoni ose shteti në pjesë më të vogla të armiqësuara dhe jobashkëpunuese. Për herë të parë është shfaqur të nesërmen e Luftës së Parë Botërore, në një intervistë me Rutenau-n, kreun e industrisë së madhe gjermane, botuar më 20 dhjetor 1918 në New York Times. Ai me këtë term e nënkuptonte copëzimin e vendeve dhe të shteteve, kurse sot në fjalorin politik dhe kulturor semantika e kësaj fjale është zgjeruar dhe emërton një sërë dukurish të pakëndshme dhe të padëshirueshme: vetëhipnotizimin se etnoset e tjera nuk duhet të kenë të drejta, se çdoherë tjetri është fajtor, “një vetëperceptim i ashpër qytetërimor” (Davutogllu), prirjen e të qenët i gatshëm për të ndezur zjarre, me paranoja dhe urrejtje etnike patologjike, veprimet primitive dhe agresive që e pengojnë europianizimin e mirëfilltë të Ballkanit dhe të ballkanasve. Heywood-i thotë se ballkanizimi nënkupton fragmentimin e krijesës politike në shumë entitete të kundërshtuara mes vete (gjë që shpesh ndodhë në Ballkan). Ndërkaq MariaTodorova shprehet se ballkanizimi, përkundër orientalizmit, që është ligjëratë për opozitën e gjymtuar, është ligjëratë për dykuptimësinë e gjymtuar; nënkupton copëzimin e njësive politike të mëdha e të qëndrueshme, si sinonim i kthimit në gjendje fisnore, të prapambetur, primitive, barbare. Termi në fjalë ndeshet edhe në planifikimin urban amerikan për të shënuar proceset e krijimit të bashkësive të mbyllura (gatedcommunities). (Todorova, 2006: 13-38)
Term tjetër i ngjashëm me të parin, i fokusuar në realitetin boshnjak, por që prek dukuritë e konflikteve pa pardon, deri në zhdukje të tjetrit, është edhe bosnizimi (bosnization). Në fakt, bosnizimi e përshkruan një apokalipsë sociale, shprehur me fjalët e Hobbes-it „luftë e çdokujt kundër çdokujt“; gjendje e përplasjeve gjenocidale mes përkatësive të ndryshme etnike dhe fetare; përpjekje për të zhdukur „tjetrin“ pa kurrfarë kompromisi, terror social, që ka si metaforë ferrin ballkanik, në përgjithësi, dhe atë boshnjak, në veçanti, të fundit të mijëvjeçarit (1992-1995). Është kjo gjendje e shoqërisë së ndarë, me pak gjasa për ta arritur kohezionin social. M. Martinello e përdor këtë term në kontekst më të gjerë dhe flet për një skenar më të rrezikshëm: „bosnizimi i botës“. (Martinello, 2001)
Se fryma e ballkanizimit dhe e bosnizimit janë gjallë tregon edhe paragrafi i parë dhe ajo që pasoi ditëve pas proklamatës. Ditën e përvjetorit të katrahurës më të madhe europiane pas Luftës së Dytë Botërore, kur bëhej marshi i Srebrenicës në shenjë përkujtimi për 8.372 viktimat e gjenocidit serb, në rrjetet sociale, mes tjerash, u publikua një fotografi e një makine mihëse, e një eskavatori nga koha e luftës së Bosnjës, duke mbledhur e shmangur kufomat e boshnjakëve të ekzekutuar, si të ishin gurë a mbeturinë e jo qenie njerëzore, dhe poshtë fotografisë u shfaqën komente nga më makabret: “Kështu e kemi pastruar ndyrësinë muslimane në Srebrenicë!”, “Vetëm le të provokojnë, herën tjetër do të bëhen rrafsh 16.000!”, „Çfarë hunjsh more, pushkët automatike në dorë dhe t’i zbrazim mbi llumin….“, „Tamam (në numër) për t’i plotësuar vendet e zbrazëta në Potoçari“, „Duam ende!“, „Nga Bosnja në Iran do të ketë edhe më tepër të vrarë muslimanë’“… Dhe, sëra e komenteve të natyrës së njëjtë perverse antihumane zgjatej tejendanë, duke shprehur frymën fashizoide që me sa duket ende është gjallë te një pjesë e popullatës ballkanike, gjegjësisht tek ajo që edhe e ka ekzekutuar Potoçarin, Sarajevën, Bijelinën, që ka bërë kërdi në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, që gjithë dherat boshnjake i ka ngjyrë me gjakun e të pafajshmëve.
22 vjet më pas çfarë ka ndryshuar? Si mundet që njerëzit ende të ushqehen me këso urrejtjeje ndaj fqinjit të vet shekullor? Ndërgjegje dhe vetëdije e pashndërruar, e pakatarzuar, e shtangur atje ku ka qenë në vitet 1990-të. Ideologjia gjenocidale, e verifikuar edhe në Tribunalin e Hagës, duhej të bëhej histori për të mos u përsëritur, por ç’e do që boshnjakët këtë e kanë ndjerë ideologji në lëkurën e tyre përmes shtatë gjenocideve që u kanë ndodhur në hapësirat e Bosnjë-Hercegovinës.
Gazetari dhe kolumnisti serb i portalit buka.ba, Dragan Bursaq, lidhur me reagimet në taborin e demosit serb lidhur me marshin e Srebrenicës, përkujton “idiotin, “të çmendurin, zëdhënësin e shumicës së qetë fashizoide, që s’ka vdekur kurrë, që përkundrazi hibernon dhe pret çastin për t’u zgjuar e vampirizuar”, një shembull i realitetit darvinian, që tregon se njeriu është kafshë, edhe atë më e rrezikshmja dhe më gjakpirësja në kozmos. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një grusht nacionalistësh, siç shpesh i quajnë liberalët qytetarë me syze të bashkëlindura rozë, por bëhet fjalë për një brez të tërë, thënë më drejt për breza, që janë edukuar me mitet nacionaliste, me mohimin e gjenocidit, me narrativin e tmerrshëm therës. Bursaq, i cili u kërcënua me vdekje nga ultra-nacionalistët serbë për shkrimin e tij racional, thotë se kjo është thuajse shumica e popullatës, që nuk është ballafaquar me të kaluarën, me të vërtetën, me vetveten, që e ka boldizuar urrejtjen patologjike, krimin e pararendësve të vet dhe që i ka ngritur në gradën e heronjve kombëtarë. “Për Zotin, gjysma e Bosnjës nuk e pranon dhe nuk e mohon gjenocidin!”
Europa ka pësuar një periudhë të rëndë në vitet 1930-të dhe 1940-të, fashizmin dhe nazizmin, por, më pas, duke u shfrytëzuar mekanizmat e ndërmjetësimit dhe pacifikimit mes popujve, u shënua një proces shumë i rëndësishëm, ai i vetëshpëlarjes, i distancimit masovik, i denacifikimit të popullit gjerman, i faljes, nga ana tjetër, dhe i pajtimit dhe hapjes së një faqeje të re të historisë (p.sh. në raportet gjermano-franceze), të një Europe që ecë drejt asaj që quhet EUtopia, që nënkupton një vend të mirë, një vend perfekt, një vend të qeverisë së kufizuar, që lejon kreativitetin njerëzor, ku mirëqenia nuk duhet të shtyhet me forcë, por thjesht ndodhë. (D. Hager)
Ballkani është në rrugën e Europës së Parë ose numëron në vend si kakostopi (vendi më i keq)? Si t’i shpëtojmë narkomanisë nacionale? Vallë, do ta europianizojmë veten apo do ta ballkanizojmë Europën? A jemi në rrugën e drejtë kah deballkanizimi dhe debosnizimi apo këto dukuri që duhet të ndodhin janë na shfaqen vetëm si mirazh, si vegim? Si e kaluara të mos na e gërryejë ardhmërinë? Këto janë disa pyetje që presin përgjigjen tonë si ballkanas. Të ardhmen mund ta parashikojmë nëse punojmë për të, duke i parë dhe pranuar gabimet e së kaluarës, duke u përmirësuar vazhdimisht dhe duke e kuptuar të vërtetën se pranimi i të ndryshmit dhe bashkëjetesa janë receta e mbijetesës.

Postime të Ngjajshme