` . Sprova e shqiptarëve në kohën e kaosit - TV-SHENJA

Sprova e shqiptarëve në kohën e kaosit

Cili do të jetë pozicioni i shqiptarëve dhe a do të dinë të gjenden pas gjitha këtyre diversiteteve që paraqiten brenda BE-së? Cilat do të jenë relacionet mes Bashkimit Evropian dhe Amerikës, pse jo edhe Britanisë së Madhe, Turqisë, Rusisë dhe Kinës, por edhe i shqiptarëve me ta, në këtë realitetet të ri?

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Ditëve dhe muajve të fundit jemi dëshmitarë të tronditjeve të mëdha që ndodhin në Evropë dhe Amerikë. Dy qendra referimi, dy udhëzues për rrugëtimin e shqiptarëve drejt një jetë më të mirë, më dinjitoze, po përjetojnë krizë serioze, që disa analistë e përshkruajnë si kaos. E kur humbet orientimi dhe pikat e referimit, fillon sfida: si të jetohet pa ato? Strategjia, nëse ekziston një e tillë, se orientimi i shqiptarëve pro-evropian dhe pro-NATO nuk ka alternativë, tashmë po vihet në sprovë. Sot para se të thuhen sloganet dhe parullat tanimë të njohura, së pari duhet të jepet përgjigje në pyetjen se në cilën e Evropë janë të orientuar dhe ku po shkojnë shqiptarët: në Evropën e Makronit, e cila para të shfaqet, është në rrezik të zhduket nga jelekverdhët, që nuk dihet se kush i udhëheqë e jo më kah do ta shpien këtë kontinent, apo në Evropën e zonjës Merkel, që është shtylla e kësaj organizate, por e cila së shpejti i jep fund karrierës politike? Apo, mos synojnë Europën e trashëgueses së saj, që ende nuk e ka shpalosur vizionin e saj për këtë bashkësi shtetesh? Apo, mos ndoshta në atë të Orbanit, që e mban si azilant Gruevskin, por me shumë vështirësi e mban nën kontroll popullin e saj, që i ka pushtuar rrugët? Me qëllim që t’i mbetet konsekuent premtimit se nuk do të pranojë azilkërkues, ai i ngarkon qytetarët me 400 orë shtesë punë pas orarit, që mund t’u paguhet edhe pas tre vjetëve, vetëm e vetëm të mos pranojë fuqi të re punëtore prej jashtë. Pastaj, në cilin bllok brenda Unionit do të aderojnë shqiptarët, në “Bashkimin Evropian Ortodoks”, “Bashkimin Evropian Amerikan” apo në “Bashkimin Evropian Gjerman”, që sipas disa analistëve duket se ashtu do të grupohen shtetet e kësaj organizate në të ardhmen?

Gjeografikisht, shqiptarët duhet të janë në bllokun ortodoks, por ata shkojnë për punë e kërkojnë azil në Gjermani. Apo, ndoshta do t’u bashkëngjiten protestave gjithë-evropiane e regjionale, që e dinë se diçka nuk bën, nuk funksionon, por fatkeqësisht ende nuk e dinë se si mund të bëhet më mirë. Me një fjalë, Evropa, por edhe regjioni sot, ballafaqohet me shumë të pakënaqur, por me pak apo aspak opsione për të dalë prej kësaj situate. Megjithatë,lëvizjet që janë në vijim nuk duhet nënçmuar – janë përpjekje për “një Evropë të re”. A do të jetë një foshnje që para se të lindë do të vdesë, do të jetë një shurdhmemece për hallet tona apo do të jetë një shpëtimtare e krizës së liberalizmit që shpërndahet gjithandej jo vetëm në kontinentin më të vjetër, por edhe në atë të riun, në Amerikë, kjo mbetet ta shohim.

Kur jemi tek Amerika partnerin tonë strategjik, menjëherë shtrohet pyetja tjetër se me cilën Amerikë jemi ne? Me Amerikën e Trampit apo atë të administratës së tij, sepse edhe atje janë ndarë në dysh? Administrata, si gjithë administratat, është e ngurtë, konservatore, ngadalë e ndërron mënyrën e punës, qëndrimet dhe standardet, por të krijon ndjenjën e sigurisë dhe të jep mundësi për t’i parashikuar hapat e veprimit në të ardhmen, ndërsa, nga ana tjetër, politika, në këtë rast e Trampit, është ajo që u jep dinamikë proceseve, shpesh edhe vetëm nga bindjet dhe intuita, pa kalkulime të gjata dhe të mërzitshme burokratike. Ky president i shtetit amerikan shquhet me një qasje krejt të re në politikë. Ai mundohet ta bartë në menaxhimin publik, në politikë, përvojën e vet të një biznesmeni që ka funksionuar në tregun e lirë, i cili rregullohet prej vetvetes, nga një dorë e zezë, mbi parimin ofertës dhe kërkesës. Për të qenë korrekt, jo se nuk ka pasur përpjekje që përvojat e sektorit privat të implementohen në atë publik nga studiuesit e administratës publike në Amerikë, por kësaj radhe shkohet një hap më tej – bëhet përpjekje që politika të funksionojë me “rregullat” e sektorit privat, ku fitimi, interesi, është në vend të parë, para vlerave, si: liria, demokracia, barazia dhe drejtësia. Kur Tramp si kandidat për president shteti deklaroi: “Amerika në vend të parë!” ose “Unë nuk do të bëj koalicione në bazë të vlerave të përbashkëta, por në bazë të interesave të përbashkëta!”, disa e panë si shaka, disa si naivitet e disa budallallëk politik, por ja që kjo logjikë tanimë funksionon jo si incident ose gafë, siç perceptohej në fillim nga një president që nuk ka përvojë politike, por është bërë mënyrë e funksionimit dhe krijon praktikë, bile brenda partisë së tij përkapet edhe si ideologji e repolitike. Veprimet e tilla ngritën shqetësim në gjitha shtetet e botës, bile edhe në vetë Amerikën. Nëse nuk kuptohet si duhet, kjo mund të ketë pasoja të paparapara për shumë vende, e veçanërisht për shqiptarët, që fatin e vet e kanë lidhur me këtë shtet.

Në një shkrim më herët kisha shkruar se Trampi ishte i pari që synon t’ia bëjë me dije botës se koha e “botës së bardhë” është në perëndim, nëse madje nuk ka mbaruar, dhe se realiteti duhet parë me sy të hapur. Të tjerët, një pjesë e dinë por nuk duan ta pranojnë, kurse ata më konservatorët nuk duan ta besojnë dhe, në vend se të përpiqen ta kuptojnë këtë realitetit të ri, preferojnë të ëndërrojnë. Se si duket kjo luftë e koncepteve të ndryshme, më së miri shihet nga debati që sot zhvillohet ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit pas dorëheqjes së Majk Pens-it, Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-ve. Një numër gjeneralësh bartës të lavdisë për Amerikën hegjemoniste në përmasa botërore, me plot ordene e lëvdata, tani duhet të pranojnë të kthehen dhe t’u bashkëngjiten 20.4 milionë veteranëve ose diku 7% të popullatës madhore të këtij vendi, për të shpenzuar qindra miliarda dollarë prej shtetit, ku duhet të bëjnë jetë të mërzitshme nëpër kazermat vendore. Sigurisht se kjo nuk i gëzon. Por, jo vetëm ata: një armatë e tërë njerëzisht të angazhuar në administratë, diplomaci e logjistikë ushtarake, që qarkullonin triliona dollarë, duhet të kërkojnë angazhime të reja dhe rikualifikime. Kjo është koha kur Amerika globaliste, hegjemone, që shpërndante vlera, të cilat i shpalli për universale, tash kthehet në izocionaliste, partikulariste, për ta vendosur interesin e vet mbi çdo vlerë dhe interes global. Në këtë reformë gjigante ndodhin ndryshime si në strategjitë e taktikat ushtarake, njashtu edhe në sferën e diplomacisë, shërbimeve sekrete, por edhe të industrisë dhe bizneseve që ishin në funksion të realizimit të politikave të gjertanishme. Ka dhe do të ketë rezistencë, obstruksione e fërkime, por kthim prapa nuk ka. Kjo duhet të ndodhë me ose pa Tramp-in. Ose, siç do të shkruajë analisti bullgar Ivan Krastev: “Amerika kur më nuk do të jetë si ka qenë, një pikë referimi i demokracisë liberale, mbrojtëse dhe shpëtimtare e Evropës edhe nëse një ditë Trampi ik prej pushtetit. Ajo tani dhe në të ardhmen ka një rival tjetër, Kinën”.

Këto ndryshime dramatike, që ndodhin atje dhe në Evropë, kosovarët i përjetuan në lëkurë të vet. Njëra përvojë ishte shumë e bukur, e këndshme, u përshëndet, e falënderuan dhe e përgëzuan, kur Trampi ose njerëzit e autorizuar prej tij, e përkrahën transformimin e FSK-së në ushtri. Qëndrimi i tij dhe i shteteve që iu bashkëngjitën më vonë, si Britania dhe Turqia, ishte fascinues për shqiptarët, aq më tepër kur Sekretari Gjeneral i NATO-s, që është i autorizuar të flasë në emër të kësaj organizate, e kundërshtoi ashpër këtë ide. Një eksperiencë të tillë nuk e përjetuan me evropianët. Përkundrazi! Kjo lidhje shtetesh sot sillet vërdallë në vorbullën e saj, me qytetarët në rrugë, me rënien e elitave politike ekzistuese dhe ngritjen e lëvizjeve populiste, para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në pranverën e ardhshëm. Në këto rrethana ata nuk gjetën fuqi që popullit më pro-evropian, siç janë kosovarët, t’u japin mundësi të lëvizin pa viza. Ky hezitim i irritoi kosovarët, bile edhe i pezmatoi, veçanërisht me zonjën Mogerini dhe komisarin Han. Ndoshta edhe kanë të drejtë! Burokratët evropianë, në vend se të angazhohen për heqjen e vizave ata tërë energjinë e harxhojnë duke bërë presionin që t’i hiqen taksat Serbisë, që ia vendosi qeveria Haradinaj në shenjë revolti pas dështimit për anëtarësim në Interpol. Sido që të jetë, karota amerikane u gëlltit, por pas saj vjen shkopi. Pa mbaruar festat arriti porosia. Nëse i hiqet oblanda diplomatike letrës së Presidentit Tramp, ajo do të thotë: “Ju pres këtu në Shtëpinë e Bardhë, para këmbëve të mia ta nënshkruani marrëveshjen me Serbinë”. Nuk është me rëndësi si do ta quani, “ndarje të Kosovës”, “këmbim të territoresh” ose “korrigjim kufijsh”. Ajo, sipas tij, duhet të jetë gati brenda disa javësh, eventualisht pas disa muajve. Me një fjalë, “unë nuk kam interes t’ju mbroj juve edhe më tutje për arsyet e përmendura më lart, por edhe për shumë tjera më praktike”. Fundja, morali i praktikimit të kësaj politike të re u pa shumë qartë me vendimin e fundit, që lidhet me tërheqjen e trupave nga Siria, por edhe nga Afganistani. Arsyetimi ishte shumë decid: “nuk kam llogari të mbaj ushtarë që kushtojnë disa miliarda dollarë në një vend nga i cili si kundërshpërblim nuk marr asgjë”, që i bie se për rezervat nëntokësore të karburanteve nuk kam më nevojë, pasi vetëm që të shiten rezervat që i posedon Amerika, nevojiten afër 10 vjet. Nuk është për t’u habitur nëse një vendim i tillë, i papritur, për tërheqjen e trupave mund të ndodhë edhe në rastin e Kosovës, nëse këta të fundit në afatin e caktuar kohor nuk reflektojnë. Çka mund të konkludojmë?

Shqiptarët dhe të tjerët duhet të kuptojnë një gjë: Amerika dhe Evropa ose “bota e bardhë”, që disa i shohin sikur janë në gjendje kaotike, kanë hall më të madh, e ajo është Kina. Ky shtet lere që është bërë vendi me BPV më të madhe në botë, por ka avancuar aq shumë në teknologjitë e larta dhe inteligjencën artificiale, saqë seriozisht e rrezikon rendin global, që për momentin dominohet nga Perëndimi. Prandaj Trump-i do të deklarojë se në Lindjen e Mesme tani e tutje le të luftojnë ata që kanë rrezik dhe interes për atë vend. Unë “qëllimit ia arrita”, e “munda teorizimin”, edhe pse shumë ekspertë nuk pajtohen me këtë konstatim, përfshirë ministrin e tij të Mbrojtjes, Matis, që për këtë qëndrim të tij u detyrua të japë dorëheqje.

Në fund duhet dhënë përgjigje pyetjes që e kam shumë bezdi: cili do të jetë pozicioni i shqiptarëve dhe a do të dinë të gjenden pas gjithë këtyre diversiteteve, që paraqiten brenda BE-së? Cilat do të jenë relacionet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Amerikës, pse jo Britanisë së Madhe, Turqisë, Rusisë dhe Kinës, por edhe i shqiptarëve me ta, në këtë realitetet të ri? Bezdia nuk vjen ngase nuk më pëlqen të debatoj për këtë çështje, por ngase shumë herë e kam shtruar dhe paralajmëruar, por nuk kamë marrë ndonjë kundërpërgjigje ose reagim serioz. Për gati 8 vjet kam pasur 91 shkrime mujore në e revistën Shenja, ku së paku një e katërta e tyre kanë qenë të lidhura me këtë ose tema të ngjashme. Përmes tyre jam munduar të ngre shqetësime, të paralajmëroj, disa herë edhe të sugjeroj dhe alarmoj se do të vijë dita kur duhet të përcaktohemi se çfarë pozicioni do të marrim në kohën e globalizimit, në një kohë të post-historisë, post-demokracisë, post të vërtetës, pa qendra rëndimi dhe tregues orientimi, si pasoj e së cilës zhvillohen këto procese. Kuptohet, jo gjithmonë kam pasur të drejtë ose kamë bërë profeci të sakta. Por, ama, këtë moment dhe këto rrethana së paku dhjetë deri më pesëmbëdhjetë herë i kamë ngritur si çështje që duhet të debatohen. Sot nuk më mbetet gjë, veçse edhe një herë të konstatoj se shqiptarët dhe të tjerët në regjion duhet të mësojnë të jetojnë me një botë pa pika orientimi dhe pa qendra rëndimi. Kjo është koha e menaxhimit me kaosin, kur më tepër vlejnë ligjet e natyrës sesa ato shoqërore. Në këso situata, instinkti i mbijetesës, intuita janë ato që gjejnë më tepër hapësirë sesa planet strategjike dhe orientimet e forta politike. Po, kjo është koha kaosit dhe jo e kozmosit. Sprova e shqiptarëve për këtë botë të re sapo ka filluar.