` . Sportistët me fitime më të mëdha në vitin 2018 - TV-SHENJA

Sportistët me fitime më të mëdha në vitin 2018

Bota e sportit, e cila çdo ditë e më shumë industrializohet, vazhdon të prodhojë miliarderë të rinj, shkruan Anadolu Agency (AA).

Sipas një hulumtimi të përgatitur nga ana e revistës Forbes, e cila ka llogaritur pagat, të ardhurat nga sponsorët dhe bonuset e sportistëve nga qershori i vitit 2017 deri në qershor të vitit 2018, bokseri Floyd Mayweather ka qenë sportisti me fitimet më të mëdha këtë vit.

Mayweather ka hyrë në mesin e miliarderëve në botën e sportit pasi brenda një viti ka fituar 285 milionë dollarë, përfshirë 275 milionë nga ndeshja me irlandezin Conor McGregor dhe dhjetë milionë dollarë nga sponsorët.

Të ardhurat totale të bokserit të pamposhtur gjatë karreierës së tij arritën në 1.07 miliardë dollarë.

– Messi dhe Roanldo në treshen e parë

Pas Mayweather, si sportistë me më së shumti fitime në vitin 2018 janë radhitur dy yjet e futbollit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Argjentinasi Messi ka zënë vendin e dytë me 111 milionë dollarë fitime, edhe atë 84 milionë nga pagat dhe bonuset dhe 27 milionë nga marrëveshjet me sponsorët.

Ndërkaq, ylli portugez Ronaldo këtë vit është radhitur i treti në listë me 108 milionë dollarë të ardhura, 61 milionë nga pagat dhe bonuset dhe 47 milionë nga sponsorët.

– Tre futbollistë në mesin e dhjetë të parëve

Tre futbollistë në vitin 2018 kanë arritur të radhiten në mesin dhjetë sportistëve me fitime më të mëdha.

Krahas Messit dhe Ronaldos, në dhjetëshen e parë është futur edhe futbollisti brazilian Neymar.

Neymar është radhitur i pesti me 90 milionë dollarë të ardhura, përfshirë 73 milionë nga pagat dhe bonuset dhe 17 milionë nga sponsorët.

Krahas tre futbollistëve, në dhjetëshen e parë gjenden edhe dy emra nga basketbolli dhe dy nga futbolli amerikan.

Sortisti Vendi Sporti Fitimet (dollarë)
1 Floyd Mayweather SHBA Boks 285 milionë
2 Lionel Messi Argjentinë Futboll 111 milionë
3 Cristiano Ronaldo Portugali Futboll 108 milionë
4 Conor McGregor Irlandë Arte marciale të përziera 99 milionë
5 Neymar Brazil Futboll 90 milionë
6 LeBron James SHBA Basketboll 85,5 milionë
7 Roger Federer Zvicër Tenis 77,2 milionë
8 Stephen Curry SHBA Basketboll 76,9 milionë
9 Matt Ryan SHBA Futboll amerikan 67,3 milionë
10 Matthew Stafford SHBA Futboll amerikan 59,5 milionë

– 40 basketbollistë dhe vetëm 9 futbollistë në njëqindëshin e parë

Lista e revistës Forbes ka tërhequr vëmendjen me 40 emra nga sporti i basketbollit në mesin e 100 të parëve, përfshirë basketbollistë nga liga amerikane NBA.

Emrat si LeBron James nga Angeles Lakers me 85,5 milionë dollarë të ardhura, Stephen Curry dhe Kevin Durant nga Golden State Warriors, me 76,9 milionë dollarë, gjegjësisht 57,3 milionë, Russell Westbrook nga Oklahoma City Thunder me 47,6 milionë dollarë dhe James Harden nga Houston Rockets me 46,4 milionë dollarë, janë radhitur në pozita të larta në listë.

Në listë gjenden 18 emra nga futbolli amerikan, 14 nga bejsbolli, nëntë nga futbolli, pesë nga golfi dhe sportet marciale, katër nga tenisi, tre nga sportet motorike dhe nga një nga atletika dhe kriketi.

– Miliarderët e botës së sportit

Pas Michael Jordan, Tiger Woods, Arnold Palmer, Jack Nicklaus dhe Michael Schumacher, Mayweather u bë sportisti i gjashtë me pasuri një ose më tepër miliardë dollarë.

Në listën e sportistëve miliarderë kryeson basketbollisti legjendar amerikan Jordan, i cili me 1,85 miliardë dollarë është sportisti me fitime më të mëdha i të gjitha kohërave. Në karrierën 15-vjeçare në NBA, gjatë të cilës ngriti gjashtë trofe të kampionit, Jordan ka fituar vetëm 93 milionë dollarë dhe pjesa tjetër e të ardhurave ka buruar tërësisht nga marrëveshjet afariste dhe me sponsorët.

Ndërkaq, golfisti amerikan Tiger Woods, i cili ka fituar 14 kampionate të mëdha në karrierë, radhitet i dyti me 1,7 miliardë dollarë.

Po ashtu, golfistët e tjerë amerikan, Arnold Palmer, i cili ndërroi jetë në vitin 2016, dhe Jack Nicklaus, pasojnë me 1,4 dhe 1,2 miliardë dollarë.

Me 1 miliardë dollarë të ardhura, në mesin e sportistëve miliarderëve gjendet edhe ish-piloti gjerman i Formula 1, Michael Schumacher, shtatë herë kampion, i cili në vitin 2013 pësoi paralizë në pjesën më të madhe të trupit pas një aksidenti gjatë skijimit në Alpet Franceze.

Lista e 20 sportistëve me fitime më të mëdha në jetën e tyre, në të cilën gjenden 13 sportistë amerikanë, është si në vijim:

Sportisti Vendi Sporti Të ardhura (dollarë)
1 Michael Jordan SHBA Basketboll 1,85 miliardë
2 Tiger Woods SHBA Golf 1,7 miliardë
3 Arnold Palmer SHBA Golf 1,4 miliardë
4 Jack Nicklaus SHBA Golf 1,2 miliardë
5 Floyd Mayweather SHBA Boks 1,07 miliardë
6 Michael Schumacher Gjermani Sporte motorike 1 miliardë
7 Phil Mickelson SHBA Golf 815 milionë
8 Kobe Bryant SHBA Basketboll 800 milionë
9 David Beckham Britani Futboll 800 milionë
10 Shaquille O’Neal SHBA Basketboll 735 milionë
11 LeBron James SHBA Basketboll 730 milionë
12 Cristiano Ronaldo Portugali Futboll 725 milionë
13 Greg Norman Australi Golf 705 milionë
14 Mike Tyson SHBA Boks 700 milionë
15 Roger Federer Zvicër Tenis 675 milionë
16 Lionel Messi Argjentinë Futboll 600 milionë
17 Alex Rodriguez SHBA Bejsboll 575 milionë
18 Jeff Gordon SHBA Sporte motorike 525 milionë
19 Oscar De La Hoya SHBA Boks 520 milionë
20 Manny Pacquiao Filipine Boks 510 milionë