` . Spanjës i mjafton barazimi në Suedi, Zvicra e dënuar të fitojë me Irlandën - TV-SHENJA

Spanjës i mjafton barazimi në Suedi, Zvicra e dënuar të fitojë me Irlandën

Tjetër mbrëmje e pasur me ndeshjet kualifikuese të Euro 2020.
Spanja është emri i madh i radhës, që pritet ta sigurojë matematikisht kualifikimin, teksa do të luajë në orën 20:45, transfertë me Suedinë, sfidë kjo e vlefshme për Grupin F. “La Roja” u befasua në minutat shtesë nga King i Norvegjisë në takimin paraardhës (1-1), duke e shtyrë për pak kohë festën e kualifikimit.

Në “Friends Arena” të Stokholmit përfaqësueses iberike i mjafton edhe barazimi për kualifikimin, për shkak të përplasjes së drejtpërdrejt mes Rumanisë dhe Suedisë (dy skuadrat ndjekëse) në raundin e ardhshëm. Po në këtë grup Rumania pret Norvegjinë, ndërsa Ishujt Faroe Maltën.

Pasi humbi minimalisht me Danimarkën, me gol të Poulsenit, Zvicra nuk ka rrugë tjetër veçse të fitojë me Irlandën në Gjenevë (20:45), nëse dëshiron të mbajë të hapura llogaritë për në Europian. Grupin D e kryesojnë Irlanda dhe Danimarka me nga 12 pikë, ndjek Zvicra me 8 pikë, por përfaqësuesja helvete, përveç faktit që e pret Irlandën, ka edhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar. Edhe kjo ndeshje do të transmetohet nga SuperSport. Takimi tjetër i këtij grupi është Gjibraltar-Gjeorgji.

Italia, me 7 fitore në po kaq ndeshje, e ka siguruar tashmë kualifikimin në Euro 2020, kështu që sfida me Lichtensteinin do t’i shërbejë trajnerit Roberto Mancini për t’u dhënë mundësinë e aktivizimit lojtarë të rinj apo atyre që kanë patur më pak minuta në këmbë deri në këtë pikë të eliminatoreve. Edhe takimi i të kaltërve do të transmetohet nga SuperSport.

Në Grupin J ka një garë të fortë mes tri skuadrave për vendin e tretë, Finlandës (12 pikë), Armenisë (10) pikë dhe Bosnjë Hercegovinës (10). Finlanda ka shansin të krijojë shkëputjen ndaj Armenisë, që e pret në “Veritas Stadion” të qytetit Turku, në orën 18:00, ndërsa Bosnjë Hercegovina ka relativisht një transfertë të vështirë në Greqi. /SS/