` . Sot për nesër - TV-SHENJA

Sot për nesër

Nëse goditesh, në nofull, në brinjë, në fytyrë, në kraharor a në mjekër dhe ia del të ringrihesh dhe të vazhdosh sakrificën në ringun e jetës, atëherë je në rrugën e duhur të përlindjes shpirtërore

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Përlindja shpirtërore është kusht i patjetërsueshëm për ringjalljen e vlerave dhe parimeve që do të na e japin statusin qenie njerëzore. Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me fizionominë fizike. Edhe pse njeriut fizionomia e tij i duket më e bukur se çdo fizionomi tjetër, duhet të jemi syçelë, që të mos e humbim udhën në këtë shteg, që nxjerr në rrëpirën ku e kemi të vështirë të qëndrojmë burrërisht, për të ecur drejt përlindjes shpirtërore.

Njeriu është i ngutur për nga natyra. Ngutja nxitet dhe ekspozohet veçanërisht kur njeriu shpreson ose ëndërron të arrijë diku ose të zotërojë diçka të caktuar. Ngutja në të tilla raste i duket më se me vend, pasi që në mes tij dhe asaj që synon qëndron dëshira e ethshme për të qenë atje. Përmes vëzhgimit të hollë të vetes dhe jashtë vetes, shohim se kemi plot herë dhe plot syresh që në veprimtarinë jetësore veprojmë dhe veprojnë sipas frymës, sot për nesër.

Përlindja shpirtërore nuk mundet me qenë sot për nesër. Kemi plot gjurmë, të cilat tregojnë se kushdo që eci me sot për nesër në rrugën e përlindjes shpirtërore, shpejt u davarit si mjegull nën rrezet e diellit që s’mundi të duronte. Entuziazmi i ethshëm i fillimrrugës jepte shenjë për një të ardhme të madhe. Por, ndodhja e së ardhmes e zhbëri gjykimin e jashtëm dhe të atypëratyshëm për këta syresh. Nga ngritja në piedestal për këmbënguljen e treguar në rrugën e përlindjes shpirtërore, shpejt mbeti veç pluhuri i realitetit, që ktheu në fosil gjurmët e tyre, si dëshmi e thyerjes se piedestaleve që ngrenë qeniet njerëzore ndaj njëri-tjetrit.

Jo më kot është thënë se nuk ka kush t’i shpëtojë gjykatësit Kohë. Vetëm rrjedha e saj e pastron çdokënd nga maskat me të cilat lundron në kanionet e kohës fizike. Nëse nuk do të ishte kështu, kurrë nuk do të arrinim të njihnim ata të cilët e kishin përnjëmend përlindjen shpirtërore, nga ata të cilët morën zjarr si kashta dhe shpejt prej tyre mbeti veç hiri i zi dhe era e djegur e piedestalit pa jetë. Natyrisht që është për të ardhur keq që syresh të përfundojnë në këtë lloj gjendje, por nuk është në fuqinë e askujt të ndalë të tilla ngjarje. Ajo që ka për të ndodhur do të ndodhë, por përderisa ne nuk e njohim të ardhmen e ndodhive, kemi detyrë të tregohemi të vëmendshëm ndaj përlindjes së flashkët.

Qenia njerëzore ka nevojë për kohë. Prandaj dhe i është dhënë kjo kohë e mjaftueshme, për të mos thënë pse nuk pata kohë për të medituar dhe ecur në rrugën e përlindjes shpirtërore. Njeriu gjithmonë e justifikon vetveten, por jo në këtë rast. Nuk i është dhënë kjo mundësi; mundësia për t’ia hedhur papërgjegjshmërisë me pretendimin se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’u përlindur shpirtërisht. Për aq sa njeriu nuk e merr seriozisht përlindjen e vet shpirtërore, nuk do të ketë realisht premisë për ndryshime pozitive në jetën e vet, në familjen e vet, në shoqërinë që i përket.

Rendja pas sot për nesër sjell konsum të energjive për një kohë të shkurtër, sepse besohet tek një vrull që do të sjellë ndryshim të thellë dhe gjithmbarshëm të shoqërisë. Mirëpo, këta syresh nuk e kanë kuptuar ende se nuk mund të ketë as triumf tërësor të së mirës, as triumf tërësor të së keqes. Përplasja mes tyre është rregulli themelor mbi të cilin përvijohet jeta mbi këtë botë. E nuk mundet fuqia e askujt, sado pasuri e pushtet të ketë, ta zhbëjë këtë rregull të pashkruar në ndonjë kushtetutë ose kod ligjor njerëzor. Konsumi i shpejtë i energjive sjell lodhje. Kush nuk i reziston kësaj lodhje, e quan të humbur kohën që ka shpenzuar në përlindje shpirtërore dhe, për rrjedhojë, e braktis, duke u lëshuar më pas në vorbullën, së cilës i përkiste qysh nga hershmëria.

Në rrugën e përlindjes shpirtërore duhet përpjekje dhe sakrificë, që e kërkojnë kohën e tyre për të dhënë frytet që i ëndërron dhe shpreson. Përgjatë kësaj kohe të duhet të mësosh se në cilat gjurmë duhet të shkelësh e në cilat gjurmë jo. Ndonjëherë e mëson prej të tjerëve. Por, jo pak herë e mëson prej pësimeve. Dhe, ky i fundit është mësimi më i vlefshëm. Nëse goditesh, në nofull, në brinjë, në fytyrë, në kraharor a në mjekër dhe ia del të ringrihesh dhe të vazhdosh sakrificën në ringun e jetës, atëherë je në rrugën e duhur të përlindjes shpirtërore. Thelbi qëndron tek këmbëngulja e ripërtëritjes së përlindjes. Nuk heq dorë nga sakrifica i dashuruari thellësisht.

Të kujtojmë se hebrenjve që dolën prej Egjiptit iu deshën të endeshin 40 vjet nëpër shkretëtirë, pa të drejtë hyrje në atë çfarë u ishte premtuar. Arsyeja? Nuk patën durim dhe këmbëngulje për ta ripërtërirë përlindjen shpirtërore. Duke vepruar sot për nesër, treguan se ende ishin peng i së kaluarës dhe nuk ishin të çliruar plotësisht nga ndikimet negative prej shoqërisë ku kishin jetuar prej shumë kohësh. U desh pastrimi i gjithë atij brezi, që mbarte ndikimet negative dhe ardhja e një brezi të ri me tjetër frymë, si pasojë e përlindjes shpirtërore, që të mund ta preknin realitetin e një premtimi që paraardhësit e tyre nuk e gëzuan, për shkak se nuk u treguan të duruar dhe nuk ishin të pjekur sa duhet për ta gëzuar atë premtim.

Nuk mundet të ketë ecje në kahun e së mirës, pa përlindje shpirtërore më së pari. Përlindja kërkon prej nesh durim, përpjekje, zhvillim të diturive, ngritje shpirtërore, rigjetje të vlerave të humbura, dashurim të thellë të së vërtetës dhe, mbi të gjitha, sinqeritet. Nëse shkojmë kësaj udhe, atëherë kur ne ta kemi arritur pjekurinë që kërkon kjo çështje thelbësore, do t’i vjelim edhe frytet, të cilat kurrnjëherë nuk kanë për të qenë sot për nesër.