` . Solskjaer me Unitedin, me test të vështirë kundër Tottenhamit - TV-SHENJA

Solskjaer me Unitedin, me test të vështirë kundër Tottenhamit

Trajneri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, do ta ketë testin më të vështirë që kur e mori detyrën e trajnerit, në vend të Jose Mourinhos.

“Djajtë” do të luajnë kundër Tottenhamit të trajnerit Mauricio Pochettino, për të cilin besohet se mund të jetë zëvendësues i Solskjaerit.

Tottenhami në vendin e tretë në Premier League, e pret në Wembley të dielën në orën 17:30, vendin e gjashtë Unitedin, e që ka 10 pikë më shumë, transmeton KTV.

Që kur Mourinho u shkarkua më 18 dhjetor, Solskjaer u vu në krye të detyrës deri në fund të sezonit, dhe deri tani, e ka udhëhequr skuadrën në katër fitore rresht në ligë, si dhe në triumfin kundër Readingut në rundin e tretë të Kupës FA.

Dhe pikërisht me formën e mirë, norvegjezi me të besuarit e tij, mund ta befasojë Tottenhamin në shtëpinë e vet.

“Gjelat” e mposhtën Unitedin e Mourinhos 3:0 në “Old Trafford” në gusht të vitit të kaluar, dhe klubi londinez i ka fituar të tria ndeshjet e fundit në shtëpi kundër “Djajve të Kuq”.

Nuk do të jetë e lehtë për vizitorët, pasi nikoqiri është në formë tejet të mirë dhe është në kërkim të fitores së shtatë nga tetë të fundit në kampionat.

Te skuadra e Pochettinos nuk do të jenë të gatshëm tre futbollistë, Eric Dier, Victor Wanyama, kurse në dyshim për t’u paraqitur mbetet Lucas Moura.

Te Manchester United kthehet Pogba në formacion, por Marcos Rojo dhe Chris Smalling do të jenë jashtë ekipit. Nuk dihet ende për Alexis Sanchezin nëse do të arrijë të jetë i qindpërqindtë për këtë duel, e Eric Bailly është i suspenduar.

Tottenham Hotspur synon të bëhet ekipi i parë që prej Evertonit në vitin 1987 që fiton katër herë në shtëpi kundër Manchester Unitedit.

United nga ana tjetër, nuk ka rekord për t’u lavdëruar në ndeshjet e ligës në udhëtimet në Londër, pasi ka fituar vetëm katër nga 17 duelet e fundit në kryeqytet.

Të shtunën, Arsenali e hap xhiron e 22-të në orën 13:30, pasi luan në udhëtim te West Ham Unitedi. Lideri Liverpooli i shkon Brightonit në ndeshjen nga ora 16:00, e në orën 18:30 Chelsea do të jetë nikoqir i Newcastle Unitedit.

Këtë javë, e mbyll kampioni në fuqi Manchester City, që luan të hënën në Etihad kundër Wolverhamptonit.