` . Soft Power – TV-SHENJA

Soft Power

Shkruan: Ervin HATIBI, Tiranë

I vetmi që ia kishtembërritur të trupëzojë fizikisht Shqipërinë tonë të cunguar, krahasuar me premtimet e paplotësueshme dot të kryetarëve të tjerë rregullisht shtatlartë, Viktor Emanueli i Tretë, Mbret i Italisë, Shqipërisë, Perandor i Etiopisë, vetëm një metër e gjysmë i gjatë, arriti t’i shpëtojë atentatit në përfundim të vizitës së tij të shkurtër auguste në Tiranën e pushtuar, në pranverën e vitit 1941, teksa ndante me kryeministrin kuisling, Shefqet bej Vërlaci, sediljen e një automobili të hapur për entuziazmin popullor dykrahësh rrugës për aeroport.

Pam! Pam! Pam! Pam! Katër plumba pistolete italiane Beretta, dy devijuar përdhe, i treti në parafangon e majtë, tjetri në gomën e parë majtas të automobilit, sipas një raporti. Pam! Edhe një i pestë, sipas një raporti tjetër, edhe ky shmangur nga synimi prej një roje që u hodh mbi krahun e armatosur të atentorit, djaloshit nëntëmbëdhjetëvjeçar, Vasil Laçi, të cilin gjatë arrestimit gati e vranë në dru, për ta ekzekutuar me varje në litar vetëm pas dhjetë ditësh.

Vështrojeni mirë portretin e fundit të Vasilit, me shenjat e torturës, pak para se të ekzekutohej: ky shkrim i kushtohet kujt i duket se sheh veten tani në pasqyrë.

Konti Galeazzo Ciano, dhëndër i Duçes, kurator kryesor i projektit imperialist italian në Shqipëri dhe një lloj guvernatori informal i saj,do t’i kushtonte këtë hyrje në ditarin e tij ngjarjes:

“17 maj: Një incident gjatë largimit të mbretit nga Tirana u kthye në blanën që cenoi pak kuadrin e arrirë të vizitës. Një nëntëmbëdhjetvjeçar, një farë Mihailoff, me origjinë greko-maqedonase, qëlloi disa herë gjatë kalimit të veturës mbretërore. Duket se është fjala për një gjysmë të çekuilibruar, i cili me këtë gjest kishte dashur të manifestojë indinjatën e vet për mosmarrjen në konsideratë, si poet, nga autoritetet lokale. E panevojshme të thuhet se vjershat e tij nuk vlejnë më shumë se ato pak lira që, në fakt, kishte marrë disa herë si ndihmë. Mbreti ruajti qetësinë dhe nuk i dha fort rëndësi ngjarjes. Duket, bile, se i kishte thënë Vërlacit, ulur krah tij: ‘Qëlloka fort keq ai djalë’.”

(Një rreshtim pak a shumë i njëjtë me paragrafin në ditarin të kontit, vetëm se më i thatë, i motiveve dhe rrethanave të depolitizuara të ngjarjes u botua dhe në faqet e shtypit kolaboracionist në vend, pas një heshtjeje shurdhuese disaditore.)

I ati i mbretit Viktor Emanuel, Umberto i Parë, kishte gjetur vdekjen po nga plumbi i një subjekti të vet, dyzet vite më parë, pjesë e një mode atentatesh kryesisht anarkiste, që për epokën kishte prekur një dorë të mirë kolegësh, e ndoshta dhe kushërinjsh, që nga car Aleksandri i parë i Rusisë, Gjergji i Parë i Greqisë, Karlosi i Parë i Portugalisë e me radhë deri tek një president francez e amerikan ose të tjerë që i kishin shpëtuar për mrekulli zjarrit, si kaizeri gjerman, fjala vjen, apo mbreti i Spanjës, Belgjikës. Në vijim të statistikës, në terren, sulmi ndaj jetës së një mbreti në tokat me shqiptarë nuk ishte i pari, të paktën që nga Beteja e Kosovës, 1389, kur Murati i Parë Hydavendigar u ther, sipas një varianti në shatorin e tij, sipas tjetrit variant majë kalit, gjithnjë pas beteje, nga një kalorës serb i quajtur Millosh Obiliç apo Kopiliç ose, për shqiptarizuesit e ditëve të vona, Milush apo Mirush Kopili, me provë pronësimi mbiemrin që përfaqëson saktë metaforën e kontrabandimit prej fjalorit drejt territorit e anasjelltas. Vizitat e tjera mbretërore, në kohë lufte a paqeje, nuk kanë përfunduar më kaq keq, por, nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se mësimet e hidhura tashmë nuk ishin nxënë. Sipas historianit Richard Hodges, në librin “Butrinti i përjetshëm” për mbarëvajtjen e vizitës së perandorit sovjetik Nikita Hrushov në Butrin, maj1959, mikpritësit kaluan çdo parashikim biopolitik në masa mbrojtëse: “U dogjën kosheret e bletëve aty rrotull, në mënyrë që të mos pickonin udhëheqësin sovjetik, ndërsa gjarpërinjtë u shfarosën me barna të përgatitur enkas”.

Klasifikuar në mossukses me atentatin kundër Viktor Emanuelit të Tretë, do të gjejmë në kronikat osmane një tentativë po të rangut perandorak ndaj jetës së Bajazitit të Dytë, gjatë një fushate luftarake, viti 898 hixhri (1492/3) në rrethinat e Manastirit, ku një “ i mallkuar vetëflijues, i veshur me gunë, me vathë në vesh (…) duke thënë se unë jam Mehdiu, hodhi menjëherë gunën dhe me shpatë të zhveshur u derdh mbi padishahun”. Atentatori mesianik me piercing (askush më pak, në pretendim, se Mehdiu i pritur i Ditëve të Fundit) përfundoi i vrarë aty për aty, goditur me një “topuz të helmatisur” prej një ushtaraku të lartë, pa arritur ta prekë dot sulltanin, na thotë historiani Oruçbin Adil në “Tevarih ali osman”; dhe pikërisht tek statusi prej fanatiku vetëvrasës të çekuilibruar ekzibicionist i atentatorit gjejmë të pasqyrohet dhe cilësimi i Vasil Laçit si poet i lajthitur, meqë kush ngre dorë kundër mbretit është patjetër i dalë mendsh, kufishkelës fetar, si Mehdiu i Rremë i Manastirit, ose kufishkelës kombëtar, si një farë Mihailoff, me origjinë greko-maqedonase, pse një shqiptar i vërtetë nuk do të qëllonte kundër mbretit të tij, kurrë. Me Mihailoff jemi në ujëra të njohura konspiracioniste tipike për mjedisin shqiptar gjer më sot, ku devijimet gjithfarë, sidomos provokimi i Fuqive të Mëdha, u mvishen pagesave ose origjinave kopile greko-sllave (Fuqi të Vogla). Edhe sot, emri mbretëror (nga greqishtja) i Vasilit i druhet përmendjes, qoftë dhe neutrale, pse mund tëjetërsohet pa dashje në metaforën përcëlluese që e përbën; dhe, po qe për atentatorë, shqiptarët do të preferojnë më shumë të përdorin vend e pa vend, si kërcënim ndaj hierarkëve partiakë vendas, emrin “performativ” të Avni Rustemit, që vrau një shqiptar, meqë fajtorët në një popull të vogël, aq të vogël sa pushteti është përherë jashtë, duhen kërkuar përherë brenda.

Fatmirësisht, mbetje nga koha e diktaturës komuniste, një basoreliev nga skulptori Thoma Thomai ende kremton përditë në Rrugën e Durrësit në kryeqytet aktin e heroit, të cilin e shohim në profil, ndërprerë gati bust, me shpatulla e mollëza të fuqishme, balluken tërhequr para nga një lëvizje e vrullshme, gojën e hapur në një thirrje, dhe me pistoletën në dorë, përmbi një luzmë helmetash të pafytyra, ndoshta bosh, e bajonetash. Goja e hapur e atentatorit ka frenuar si në shqiptimin e një A-je të madhe shtypi (ndoshta fundi i fjalës Shqipëria– si tek “Rroftë Shqipëria!” teatrale) dhe efekti që bën goja e hapur në thirrje paralel me tytën e pistoletës sikur dublon me tingull të pandërprerë  krismën dhe materializon kështu disi dhe të shtënën e papërfaqësueshme dot lehtë në skulpturë. Vendosur plotësisht në një sfond helmetash ushtarake, figura e heroit përftohet nga kontrasti midis mishit dhe metalit, fytyrës dhe materialit, jetës e vdekjes, njëshit dhe shumës deri dhe shpirtit e shtetit – sado që gjithë këto përplasje relativizohen nga vegla vrastare metalike në dorën e atentatorit. Nën skenë është radhitur ky tekst:

Atentati i djaloshit shqiptar që qëlloi Viktor Emanuelin e III ishte fillimi i një kryengritjeje të madhe që po pregatitej (sic).

Keqardhje për mospërmendjen e emrit të djaloshit, harresë përballë kujtesës së emrit të mbretit, por efekti i kërkuar me anonimatin “djaloshi shqiptar” është përfaqësimi i gjithë një brezi e populli që po ngrinte krye kundër pushtimit. Shkronjat dhe figurat bëhen, në një rrafsh tjetër, pjesë e rëndësishme e përplasjeve në këtë vepër: emri i shkruar i mbretit të pafiguruar i rri përballë portretit të heroit pa emër; mbreti përfaqësohet nga mizëria gati ornamentale e helmetave të ushtrisë së tij, vendosur një mbi një në efektin e luspave të një zvarraniku mitik, një dragoi a Leviatani, të cilit në fakt po i drejtohet dhe arma, jo një plaku shtatpak; mu ashtu si dhe dora që po mban armën nuk është e Vasil Laçit, po e kryengritjes popullore.

Megjithatë, ballukja mbetet e heroit, personale. Autori e ka propozuar balluken hedhur në erë jo thjesht si artific dinamike të befasisë së atentatit apo si detaj privat, romantik, lokalizues të moshës a modës së kohës, por gati si armë: floku ngjitet nga qafa e deri mbi ballë duke imituar formën e pistoletës dhe zgjatet po mbi të njëjtën shënjestër si ajo. Helmetat metonimike grumbulluar çrregull një mbi një, si për assemblage, ngjajnë me koka të rruara të sëmurësh më shumë se rekrutësh, mbi të cilat, simbol jete e rebelimi, kontraston shtjella e pakastruar e flokut, gati e pavarur nga personazhi, zgjatesë atavike animale, më e fortë se arma e arsyeja, ajo duket se vret më fort, ajo i ka zbrazur helmetat, një për një.

Meraku i realizmit socialist shqiptar me balluken heroike mashkullore sigurisht nuk përfundon në këtë vepër, bile as nuk fillon me realizmin socialist, dhe mund të citojmë dhjetëra shembuj veprash të njohura deri si rivalizojnë (lart e më lart) flamujt e revolucionit, po do mjaftohemi me një ilustrim emblematik, nga më ekstremët, po në të njëjtën nëngjini: me basorelievin e Vojo Kushit në Kodër të Kuqe, me guerrilasin e famshëm me pseudonimin kuptimdhënës Tarzani, që ka kërcyer mbi tank me bombë në dorë; por edhe më bombastike është ballukja hedhur e dalë tej, literalisht jashtë kornizës së veprës, si një shenjë e dëshpëruar subversioni brenda konformizmit, dëshirë për të çarë përtej katrorit të ngushtë të realizmit socialist, gjithë duke e justifikuar kapërcimin me etosin e miratuar samsonian e bajronian të heroit, përbrendësuar kaherë.

Dhe duhet ta pafajësojmë pak trikologjinë baroke tek autorët tanë të figurativit, në kërkim të pamundur, ndoshta sublimues të lirisë personale, jo thjesht të krijimit artistik, në një Shqipëri të disiplinuar egër nën kanone spartane, që shkuan deri sa të instalonin postblloqe gërshërësh dhe për mjekrat e flokët e vizitorëve të huaj në aeroporte. Me justifikim të mëtejshëm, po aq, harlisjes së krifës, të paktën ndër heronjtë antifashistë, i do kërkuar origjina sigurisht edhe në një pasqyrim realist të modave qytetare të krehjes gjatë viteve të luftës. Artisti i Popullit Sali Shijaku, autor i kompozimit të famshëm“Heroi i Popullit Vojo Kushi”, tregon përshtypjet mbi tablonë të nënës së tij, e cila Vojon e kish njohur gjatë viteve të luftës. “Nëna ime, kur shikonte pikturën, qante. Më thoshte se e kisha bërë tamam, me ata flokët që i binin si bisht dhelpre mbi ballë.”

Në filmin “Plumba perandorit” (M. Shanaj: 198O) kushtuar Vasil Laçit, skena parambyllëse me ekzekutimin në litar të heroit e formulon familjare dëshirën e tij të fundit para vdekjes: Më jepni një krëhër! E vërtetueshme ose jo historikisht në rastin e Vasilit, fjalia nga filmi ka mbetur edhe sot e kësaj dite e freskët në humorin qytetas si batutë dhe duket të ketë qenë pjesë e ndonjë lloj kodifikimi të pritjes burrërore të vdekjes, meqë u atribuohet edhe të tjera figurave të njohura para ekzekutimit, si akt i fundit luftarak madhështimi para armikut. Në fakt i vogli dhe i shtypuri gjenden 24 orë rresht përditë para një skuadre të padukshme pushkatimi, që aktivizohet sa herë kërkon të kapërcesh pragun drejt dinjitetit e emancipimit – Më jepni një krëhër,e lexon dot apo jo, është motoja e gdhendur në qemerin mbi prag.

Djaloshi nëntëmbëdhjetë vjeçar, poet i vërtetë përtej talljes së propagandës fashiste, e ka marrë në sy vdekjen që sa ka vendosur të godasë mbretin e huaj, në emër të vendit të vet të poshtëruar, dhe mu aty e ka ndjerë si gjithë fjalori me gjithë vargjet, vetiu, ka rënë e është thjeshtuar e përmbledhur në vetëm një varg a batutë ironike nga folklori dhe ka parë aty për aty sesi shpata i është zvogëluar në duar. E ka ditur mirë se forca e vetme që kanë të vegjlit kur u ngrenë krye të mëdhenjve, të dobëtit që hidhen kundër të fortëve, është thjesht bukuria. Si duket dhe nga basorelievi në Rrugë të Durrësit, me atë copë krëhër, që në fillim, i është afruar mbretit, me atë krëhër me të cilin shtrin flokët në fund të filmit, duke zgjatur jetë edhe ndonjë minutë më shumë, duke transportuar me krëhër bukuri përtej vdekjes, meqë dihet se floku nuk vdes kurrë.

Siç tregon një dëshmitar okular i ekzekutimit, pas leximit të vendimit, atentatori (…) kishte thirrur: ‘Poshtë Mbreti! Poshtë Duçja! Poshtë Fashizmi! Rroftë Shqipëria e Madhe e lirë!’

Dënimi me vdekje u ekzekutua me varje në litar. Sipas konstatimit të mjekut, atij i doli shpirti 19 minuta pas varjes.

Kërkimet e deritanishme nuk kanë dhënë asnjë të dhënë se, atentatori ishte eksponent i një grupimi politik ose i një organizate të fshehtë (…) ndonëse atentatori ishte nën ndikimin e pakënaqësisë së përgjithshme të shqiptarëve kundër italianëve. Italianët bënë mirë që nuk i dhanë kësaj çështje ndonjë rëndësi të veçantët ë jashtme dhe që po ashtu nuk bënë akuza kundër shqiptarëve. Kësisoj, ata nuk lejuan që atentatori të shndërrohej në një martir.”

(Konsullata e Përgjithshme Gjermane Tiranë, 27 maj 1941, Nr. 425/Pol. 6, SEKRET)