` . Slloveni Skomina do të referojë në finalen e Ligës së Kampionëve - TV-SHENJA

Slloveni Skomina do të referojë në finalen e Ligës së Kampionëve

Slloveni Damir Skomina (42) do të referojë ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve në futboll mes Tottenhamit dhe Liverpoolit e cila do të luhet më 1 qershor në stadiumin “Metropolitano” në Madrid, raporton AA.

Ky është vendimi që ka marrë komisioni i referëve të UEFA-s. Skomina është një refer ndërkombëtar me licencë të FIFA-s që nga viti 2002.

Kjo për Skomina-n do të jetë finalja e parë e Ligës së Kampionëve në të cilën do të jetë referi kryesor i ndeshjes. Bëhet fjalë për një refer me përvojë, sepse më herët ka ndarë drejtësinë në finalen e Ligës Evropa mes Ajaxit dhe Manchester Unitedit në vitin 2017 si dhe në ndeshjen e Super Kupës së UEFA-s mes Chelsea-t dhe Atletico Madridit në vitin 2012.

Ai është paraqitur edhe në rolin e arbitrit të katërt në ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve të UEFA-s në vitin 2013 në mes të Borussia Dortmund dhe Bayern.

Në këtë sezon të garave të UEFA-s ka referuar katër ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe dy të Liga Evropa.

Në ndeshjen finale në Madrid, Skomina do të ndihmohet nga bashkatdhetarët e tij Jure Praprotnik dhe Robert Vukan.

Arbitri i katërt do të jetë Antonio Mateu Lahoz nga Spanja.

Rolin e referit në dhomën e VAR-it, UEFA ia ndau Danny Makkelieut nga Holanda, i cili do të ndihmohet nga Pol van Boekel (Holandë), Felix Wayer dhe Mark Borsch (të dy nga Gjermania).