` . Skandali i vezëve me insekticide prek edhe tregun danez - TV-SHENJA

Skandali i vezëve me insekticide prek edhe tregun danez

Kriza e vezëve të kontaminuara me insekticidin fipronil që ka prekur disa vende evropiane, është përhapur edhe në Danimarkë, raporton AA.

Agjencia e Ushqimit e Danimarkës ka thënë se rreth 20 tonë vezë të kontaminuara me insekticid kanë hyrë në tregun e Danimarkës.

Sipas agjencisë, vezët janë me origjinë nga Holanda, ndërsa ato i ka importuar kompania Danaeg Products nga një kompani në Belgjikë.

Pasi insekticidi fipronili është zbuluar në vezët që janë shitur në kafene, restorante dhe kompani hotelierike në të gjithë vendin, importuesi Danaeg Products i është drejtuar Agjencisë për Ushqim.

Në deklaratën e agjencisë po ashtu thuhet se kompania do të kontaktojë klientët dhe t’i ftojë ata të mos i konsumojnë vezët dhe t’i asgjësojnë ata. Siç theksohet, sasia e fipronilit e zbuluar në vezë nuk rrezikon shëndetin e njeriut.

Vezët e kontaminuara me insekticide për herë të parë në Danimarkë ishin shfaqur në një kompani buke.

Fipronili është insekticid që përdoret për të vrarë kandrrat në sektorin e pulave, megjithatë Bashkimi Evropian (BE) ka ndaluar përdorimin e tij në kafshët që rriten për konsum njerëzor, siç janë pulat.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se fipronili është “substancë e dëmshme e nivelit të mesëm”, që nëse futet në organizëm në sasi të mëdha mund të dëmtojë veshkat, mëlçinë dhe gjëndrat tiroide.

Në përputhje me standardet evropiane, vezët që përmbajnë 0,005 miligram fipronil duhet të tërhiqen nga tregu. BE-ja konsideron se sasia e fipronilit mbi 0.72 miligram mund të jetë shumë e dëmshme për shëndetin e njeriut.

Postime të Ngjajshme