` . Skandali i Stoilovit për gjuhën shqipe, i turpshëm dhe anti-sportiv (Video) - TV-SHENJA

Skandali i Stoilovit për gjuhën shqipe, i turpshëm dhe anti-sportiv (Video)

Ceremonia e ndarjes së çmimëve për sportistët më të mirë të vitit 2018 në Maqedoni nga Agjencioni për Rini dhe Sport u përfshi në një skandal që bëri hendbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë Stojançe Stoilov. Ai lëshoi manifestimin i revoltuar nga përdorimi  i gjuhës shqipe në këtë ceremoni. Ngjarja ndodhi në fillim të eventit, kur dy çmimet e para iu ndanë sporteve nga shkollat fillore dhe të mesme nga Çairi dhe Tetova, me përfaqësuesin e shkollës së mesme ekonomike Bujar Ibraimi i cili  të pranishmëve iu drejtua në gjuhën shqipe. Në manifestimin ku ndodhi skandali ishte i pranishëm edhe kryeministri, Zoran Zaev. Gjesti i Stoilovit ngriti shumë reagime në opinion dhe mori shumë kritika. Sipas hendbollistit të klubit Rinia, Basri Latifi, reagimi i tillë i Stoilovit është mjerim, por ka edhe një prapavijë tjetër.

Basri Latifi, hendbollist
“Stojançe Stoilov, një lojtar i paskrupullt i pa matur dhe i ndikuar shumë politikisht. Çka mund të presish nga ky lloj i tipit të prapambetur që bëhet kinse i pengon gjuha shqipe, ndërsa ne të gjithë e dijmë se e ka nga frustracioni të cilin nuk e shpallën si lojtar të vitit. E lëshon tubimin kinse i revoltuar dhe e bën problem politik, duke na bërë të ditur se ai është i ndikuar politikisht dhe thellë i mbushur me nacionalizëm. Mjerim dhe keqardhje kur e kupton se nacionalizmi i Shekullit XIX  ende ka ngelur te ata”.

Ndërkaq drejtori i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë, Vladimir Temelkovski thotë se veprimi i tij është i turpshëm .

Vladimir Temelkovski, drejtor i FBM-së
“Në sport nuk ka vend për politik, diskriminim racor, gjinor apo nacionalizëm. Por si duket disa sportist kanë harruar moton më të rëndësishme dhe më të shtrenjtë të sportit, se në sport nuk ka racë, fe apo kombësi. Në sport të gjithë janë të barabartë dhe fitojnë gjithmonë ata që më shumë përkushtohen, ndërsa ata që më herët dorëzohen dhe paraqesin urrejtje, nuk është vendi i tyre në sport. Turp edhe gradë shumë e ulët nga ish fituesi i çmimit më të mirë të vitit dhe fyerje e madhe për të gjithë fituesit dhe sportistët e pranishëm. Le ta nderojë çmimin që ARSM ia dha atij vitin e kaluar, për të cilin votuan maqedonasit, shqiptarët, romët, vllahët e të tjerët dhe krenarinë ta ruajë për në terren, ndërsa me kësi lloj intriga dhe me manipulime të vogla do të mbledh pikë dhe vëmendje në shtigje të shkurta”

Kujtojmë se sportistët më të mirë të vitit 2018 nga Agjencioni për Rini dhe Sport u shpallën Emill Pavllov dhe Sara Ristovska. Aziz Sahiti /SHENJA/