` . Skandali i munguar i përgjimeve - TV-SHENJA

Skandali i munguar i përgjimeve

Asgjë s’është më e vështirë se sa arti i manovrës. Manovra është ajo që rrugën e gabuar e të gjatë e shndërron në rrugën e duhur e më të shkurtër. (Sun Tzu, ”Arti i Luftës”)

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Publikimi i përgjimeve të eksponentëve kryesorë të PDK-së në Kosovë ofroi për publikun e gjerë një shembull tipik se si mund të kapet shteti nga bizneset kriminale të organizuara politikisht. Afera e cila u quajt ”Pronto” prej mediave sensacionaliste ka bërë të qartë se si janë emëruar gjyqtarë, prokurorë e drejtorë policie, si janë emëruar anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, por edhe si janë ndikuar provimet e pranimit në punë, madje edhe aplikimet për praktikant në institucionet publike. Një shtet i kapur kësisoji nuk mund të marrë frymë, aq më pak një shtet i brishtë e i vogël në kapacitete, siç është Kosova.

Po të lexoje mediat e po të bazoheshe në vërshimin e reagimeve të bëra në rrjetet sociale, ta merrte mendja se qeveria po shkonte drejt rënies e se njerëzit, kësaj radhe spontanisht, do të dilnin më në fund shesheve për ta rrëzuar këtë elitë të korruptuar. Por, kjo nuk ndodhi. Protesta pati, por ato qenë të kufizuara në Prishtinë, me pjesëmarrjen e një rrethi të vogël liberalësh dëshirëmirë, të cilët protestuan me mënyrat e tyre, me aeroplanë letre, me letra higjienike e të tilla mjete tipike për këtë lloj protestuesish.

Më shumë se një vit më parë, në Maqedoni po ashtu nisi të publikohej një seri përgjimesh të pushtetarëve, publikime të cilat u quajtën ”Bombat e Zaevit”, kjo sipas emrit të kryetarit të partisë opozitare maqedonase (LSDM), Zoran Zaev. Ai nisi t’i publikonte këto përgjime një nga një, duke shpresuar se përmbajtja e tyre do ta shpërthente mllefin publik dhe do ta rrëzonte prej pushteti Gruevskin. Besimi te kjo fuqi shpërthyese e publikimit të përgjimeve ua vuri atyre edhe eponimin jo shumë të stilizuar ”Bomba”.

Publikimi i ”Bombave të Zaevit” vuri në pah në mënyrë direkte dhe pa asnjë filtër diskriminimin etnik mbi të cilin ngrihet struktura e pushtetit shtetëror në Maqedoni. Ministrja e Brendshme, dora vetë, u dëgjua duke folur për spastrim të shqiptarëve, ndërkohë që prej zyrtarësh të tjerë dëgjoheshin etiketime e plane për t’i mbajtur nën kontroll ata që janë “qytetarët e mohuar” të Maqedonisë. Po ashtu prej ”Bombave” u vu në dukje se si partia shqiptare në pushtet, BDI-ja, së bashku me opozitën e vjetër, PDSH-në, nuk i përfaqësojnë më interesat e shqiptarëve, por përmes marrëdhënieve korruptive kanë rënë tërësisht nën kontrollin e VMRO-së të Nikolla Gruevskit.

Megjithatë, publikimi i këtyre fakteve nuk mbërriti të rrezikojë me të vërtetë Gruevskin. Organizimet qytetare sërish u kufizuan në një rreth të ngushtë liberalësh dëshirëmirë, që si mjet zgjodhën të gjuajnë me ngjyra të ndryshme ndërtesat e qeverisë. Vetes i ngjitën emrin ”Revolucioni i larmë”, edhe pse më shumë dallohej ”larmia” (e ngjyrave) sesa ndonjë lloj ”revolucioni” çfarëdo.

Derisa në Maqedoni e në Kosovë publikoheshin aferat ”Pronto” dhe ”Bombat”, botën e përfshiu publikimi i një megaskandali të përmasave globale, që mori emrin mediatik ”Letrat Panameze”. Liderë të vendeve të ndryshme, kryeministra e presidentë, opozitarë e pushtetarë, shumëkujt i doli emri në skandalin e publikimit të të dhënave të një kompanie ligjore në Panama, që ofronte këshillim për pastrim parash në vendin amerikano-qendror që funksionon si parajsë fiskale.

Pavarësisht skandalizimit mediatik që prodhuan ”Letrat Panameze”, ato s’prodhuan gjë tjetër veçse një flakë në kashtë. Me përjashtim të Islandës, demografia e vogël dhe karakteri ishullor i së cilës lejon një komunitarizëm të ndryshëm prej vendeve të tjera, nuk pati ndonjë dorëheqje, madje as ndonjë kërkesë serioze popullore për dorëheqje të personave të përfshirë në atë megaskandal. Vetë megaskandali që u tha se do të trondiste përgjithnjë anën e errët të financave, u shua e u harrua, duke mos e merituar jo vetëm parashtesën mega, por edhe emërtimin skandal.

Për të ngritur një paralele – i njëjtë është edhe efekti shumëvjeçar i prodhuar nga publikimet në Uikilliks. Ndoshta shërben për dikë që të vërtetojë atë që gjithnjë është ditur, që shtetet e pushtetet janë brutale, edhe pse pretendojnë të udhëhiqen prej parimeve universalisht humaniste, që janë hileqare e autokratike edhe pse pretendojnë të jenë të drejta e demokratike, që nuk udhëhiqen prej moralit, edhe pse jo rrallë mbajnë qëndrime moralizuese – ama asgjë e përdorshme politikisht, asgjë angazhuese për masat nuk është prodhuar prej këtyre publikimeve që janë prej vitesh në vazhdim e sipër. Ama është prodhuar vazhdimisht material për mediat sensacionale, që duan të prodhojnë habi të vazhdueshme me publikimin e herëpashershëm të së njëjtës gjë, por është prodhuar edhe zhgënjim, kaq shumë zhgënjim për intelektualët liberalë dëshirëmirë, që duket se besonin vërtet në parimet e në modelet e propaganduara të demokracisë e drejtësisë së palëvizshme në botën e marrëdhënieve cinike të kapitalit e të pushtetit. Të zhgënjyer, këta intelektualë me qëllime parajsore, janë gati të heqin dorë prej ”politikës bushtër”, duke denoncuar popujt se ”kanë qeveritë që meritojnë”, meqenëse popujt nuk u përgjigjen thirrjeve të sinqerta të liberalëve për të dalë në protesta me aeroplanë letre.

Në të tillë situatë është lehtë të bëhesh cinik, por kjo nuk i vlen as analizës, as ndërhyrjes politike që do të ishte e domosdoshme në periudhën historike kur pushteti nuk i tutet më askujt, edhe kur tregon anën e vet më të errët. Pse nuk ngrihen, pra, popujt kundër formës së pushtetit të tillë, hipokrit e kusar, antidemokratik?

Sigurisht, popujt nuk janë aq të ditur sa shpirtrat e bukur të intelektualëve liberalë. Por, popujt, sipas një formulimi klasik, ndjejnë shumë më shumë se ta. Në fakt, efektin e krimeve të publikuara në aferat e sipërpërmendura më shumë e ndjejnë mbi shpinë popujt (dhe me popuj kam parasysh klasat e nënçmuara e të papërfaqësuara të shoqërisë, që janë ato më të gjerat). Populli i Kosovës është ai që më së shumti e ndjen shtypjen e një shteti të kapur prej mafias së PDK-së, që ka prodhuar varfëri, çnjerëzim, padrejtësi e pafuqi për të gjithë. Populli (shqiptar) i Maqedonisë është ai që më së shumti e ndjen racizmin institucional ose hegjemonik-kulturor, ndërkohë që edhe populli maqedonas e ndjen mbi shpinë peshën e një regjimi oligarkësh brutalë. Ashtu si popujt e botës, që e ndjejnë në këtë kohë krizash globale peshën e një elite të korruptuar, që shpërlan duart, fytyrën edhe xhepat në parajsat fiskale.

Në novelën “Murtaja” Alber Kamy (Albert Camus) përshkruan absurditetin e reagimeve dhe përjetimeve të banorëve të qytetit algjerian, Oranit, gjatë shpërthimit të një epidemie të murtajës. Libri është interesant, sepse reagimet e personazheve të ndryshëm, të mjekëve, të pacientëve, të zyrtarëve, të tregtarëve etj. përbëjnë pikëvështrime interesante edhe për një analizë sociologjike të reagimeve të sotme ndaj kësaj sëmundjeje, që po shfaqet haptazi në post-shoqërinë neoliberale. Murtaja në librin e Kamysë fillon me shpërthimin e kanalizimeve dhe me daljen e minjve prej gjirizeve. Por, reagimet nuk janë të menjëhershme; ato në fakt janë të zbehta, thuajse s’ekzistojnë hiç. Pse gjithë ky pasivitet?

Mos vallë banorët e Oranit e dinë se shpërthimi i kanalizimeve dhe dalja e minjve prej gjirizeve s’janë veçse simptoma të pashmangshme, që herët a vonë i ndodhin secilit sistem të kanalizimeve, kur tejkalohet kapaciteti i tij e kur nevojiten ndërhyrje strukturore për ta ndryshuar rrënjësisht atë, në përshtatje me ndryshimet demografike e urbane të qytetit?

Prej këtu mund të dalim në një shpjegim potencial për rastet e sipërpërmendura. Po, popujt e ndjejnë se kanalizimi në të cilin pushteti ka fshehur anët e tij të errëta, ka shpërthyer. Tashmë racizmi, brutaliteti kriminalo-mafioz, nepotizmi, anshmëria në drejtësi, cenimi i vazhdueshëm e i paramenduar i demokracisë, të gjitha këto ndodhin gjysmë-hapur. Por, zgjidhja nuk është assesi që të sulmohet haptësia e këtyre fenomeneve simptomatike. Popujt (të cilët nuk dinë, por ndjejnë) e kuptojnë se nuk ka ndryshim të madh mes racizmit haptazi dhe racizmit fshehurazi, mes vjedhjes haptazi e fshehurazi, mes nepotizmit haptazi e fshehurazi etj. Mbyllja e perspektivave të tyre është e sigurt me këtë lloj kanalizimi pushtetor, qoftë ai ende i pashpërthyer, qoftë dhe i plasur. Vetëm sqimëhollit i pengon era e keqe e jashtëqitjeve (ndër të cilat gjenden edhe jashtëqitjet e vetë atyre).

Ndërhyrja politike, në këtë rast, do të duhej të ishte paralel me ndërhyrjen e një urbanisti radikal – duhet ndërruar tërësisht sistemi i kanalizimeve, në shërbim të qytetit, që të mos mbetet qyteti i varur prej tyre.

Pa u ndryshuar strukturalisht kanalizimi pushtetor-politik, pra pa u kapur në rrënjë problemi strukturor që i shkakton shpërthimet e kanalizimeve e murtajat në fjalë, popujt nuk janë gati të ngrihen.

Të luftuarit e korrupsionit është një prej temave më të preferuara të liberalëve. Megjithatë, popujt e shohin se korrupsioni është sot kudo, prezent në secilin vend, në komunizëm e kapitalizëm, në mesjetë e në postmodernizëm, andaj nuk u duket popujve me vend të luftojnë diçka që ka të bëjë me kufizimin fizik e shpirtëror të njeriut. Por, situata përballë e korrupsionit është e ndryshme në vendet ku popujt kanë mbërritur të ndërtojnë një sovranitet relativ, që i bën ata të fuqishëm përballë pushteteve, në vendet ku është ndërtuar një drejtësi e cila synon zvogëlimin e pabarazive, në vendet ku, me pak fjalë, kanalizimet i shërbejnë qytetit e jo anasjelltas. Por, popujt vetë nuk dinë t’i shtjellojnë këto çështje në perspektivë politike. E këtu do të duhej ndihma e intelektualit që di. Ama, ai si premisë, do të duhet t’ia nisë të ndjejë bashkë me popullin, që të mund ta çojë atë deri tek dija. Të tillë intelektualë organikë, a prodhon dot klasa liberale e shpirtrave të bukur? Sigurisht që prodhon. Ama, duhet një forcë e madhe të shkëputesh nga rehatia relative e vetvetes liberale e të ndjesh bashkë me popullin. Një forcë më e madhe se sa ajo që kërkohet për të gjuajtur aeroplanë prej letre ose për të lyer me ngjyra fasadat e institucioneve. Kur të gjendet ajo forcë, atëherë nis ballafaqimi e më pas angazhimi. Të tillë forcë kemi parë pas të gjitha organizimeve dhe lëvizjeve protestuese në vitet e fundit në botë ose edhe pas Lëvizjes VETËVENDOSJE! si shembull unik në Ballkan.

Se, nëse do të mjaftonin protestat simbolike për t’i rrëzuar këta pushtetarë brutalë e kriminalë, të cilët i kemi parë haptazi tek afera ”Pronto”, tek ”Bombat” ose tek ”Letrat Panameze”, atëherë nuk paskan qenë vërtet të këqij ata pushtetarë. E nëse ata janë vërtet të këqij, atëherë ballafaqimi me ta nuk mund të jetë ndryshe, përpos i ashpër e josimbolik. Në këto ballafaqime, që ta kesh popullin me vete, duhet t’i tregosh së pari se je në gjendje të prodhosh taktikë e manovër, strategji e program, thuajse si në luftë. Jo më kot protestat domethënëse, anembanë botës, po i ngjajnë gjithnjë e më shumë luftës. Jo më kot policët bashkëkohorë janë gjithnjë e më të armatosur, ndërkohë që ushtarët janë gjithnjë e më të paarmatosur (sepse po zëvendësohen me dronë). Nëse pushteti është ky, që kemi parë t’i shpërthejnë kanalizimet anembanë, atëherë është e pashmangshme që ky pushtet ta definojë si armik më parë popullin e vet sesa ndonjë shtet tjetër.

Postime të Ngjajshme