` . Siria pas vendimit të tërheqjes së SHBA-së - TV-SHENJA

Siria pas vendimit të tërheqjes së SHBA-së

Tërheqja e plotë e forcave amerikane nga Siria, gjithashtu, do t’i shërbente Iranit për t’i vënë nën kontroll territoret që kontrollohen nga SHBA-të, si dhe t’i konsolidojë lidhjet tokësore me aleatët e tij, posaçërisht me Hizbullahun libanez, dhe, rrjedhimisht, t’i hapë rrugë vazhdimit të mbajtjes së pranisë së konsiderueshme ushtarake dhe të inteligjencës në Siri

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Vendimi i presidenti amerikan Donald Trump për tërheqjen e forcave të armatosura nga Siria erdhi në një periudhë kohore kur SHBA-të e reduktojnë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Që në prill të vitit 2018 presidenti Trump, përmes fushatës “get out of Syria”, paralajmëroi tërheqjen. Kritikët e politikës së jashtme e quajtën këtë lëvizje të Trumpit dhuratë “e krishtlindjeve për armiqtë tanë”. Në fakt, edhe paraardhësi i presidentit Trump, ish presidenti Obama, në çështjen siriane ndiqte strategjinë e tillë të veprimit, e cila do të duhej mbështetur në partnerët lokalë, të përdorej forca ajrore kur ishte e nevojshme mbrojtja e interesave amerikane, si dhe sa më parë të bëhej kthimi i trupave në shtëpi! Me këtë rast, Richard Hass, presidenti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, njëherazi edhe zyrtar i lartë gjatë presidencës së Bushit (i riu), pohoi se: “Në këtë çështje – ndoshta vetëm në këtë – ka vazhdimësi ndërmjet Obamës dhe Trump-it”. Ekziston mundësia që ky vendim të jetë si rrjedhojë e hipotezës që SHBA-të nuk kanë nevojë për prani fizike në një arenë ku ndikimi i tyre  (SHBA-së) është minimal!? Ndërkaq John Mearsheimer, emër i njohur i botës akademike dhe teoricien amerikan, duke shtjelluar luftën civile siriane dhe qëndrimin e SHBA-së ndaj saj, konstaton që Siria nuk përbën një kërcënim serioz për atdheun amerikan, madje edhe për forcat amerikane të vendosura në Gjirin Persik. Përmes kësaj, ai aludon në faktin që në Siri nuk rrezikohen interesat nacionale dhe siguria amerikane, pra premisat bazë të real-politikës!

S’do mend se përfituesit më të mëdhenj nga tërheqja amerikane do të ishin Rusia, Irani dhe regjimi sirian. Tërheqja e plotë e forcave amerikane nga beteja siriane për Rusinë nënkupton që rusët do të vendosin për të ardhmen dhe qeverinë në Siri, pa pasur nevojë për kontributin e vendeve perëndimore (lexo: SHBA-ve). Vendimin e Trump-it presidenti rus Putin e duartrokiti me ç’rast deklaroi: “…Unë jam dakord me të” (NewYorkTimes). Pa praninë e trupave amerikane Moska zyrtare sheh mundësinë për të zgjeruar ndikimin e saj në terrenin sirian dhe luajtjen e rolit arbitrar në këtë luftë.

Tërheqja e plotë e forcave amerikane nga Siria, gjithashtu, do t’i shërbente Iranit për t’i vënë nën kontroll territoret që kontrollohen nga SHBA-të, si dhe t’i konsolidojë lidhjet tokësore me aleatët e tij, posaçërisht me Hizbullahun libanez, dhe, rrjedhimisht, t’i hapë rrugë vazhdimit të mbajtjes së pranisë së konsiderueshme ushtarake dhe të inteligjencës në Siri.

Prania iraniane dhe formacioneve të ndryshme ushtarake që janë të lidhura me të, bëjnë që shqetësues, por të njëjtën kohë edhe humbës kryesor nga tërheqja amerikane, të jetë shteti izraelit. Marrë në përgjithësi, reduktimin e praninë amerikane në Lindjen e Mesme, në njërën anë dhe reduktimin e ambicieve iraniane në anën tjetër, Izraeli është i interesuar që t’i shohë në kontekst të kërcënimeve për sigurinë e tij kombëtare.

Shikuar nga perspektiva izraelite, prania ushtarake e Iranit në Siri, së bashku me Hizbullahun në Liban, përbëjnë një brez ose front të fuqishëm ushtarak kundër Izraelit. Duke pasur parasysh faktin që  SHBA-të nuk e shohin Sirinë si kritike për interesat e tyre, ashtu edhe siç vë në dukje Michael Herzog-u – gjeneral dhe ish udhëheqës për planifikim strategjik pranë IDF-it – vjen në shprehje parimi izraelit i vetëmbrojtjes, ndërsa si pasojë edhe përshkallëzimi i luftimeve ndërmjet forcave izraelite dhe atyre iraniane në Siri, madje edhe në rajon!

Çështja e cila shtrohet pas tërheqjes amerikane është se vallë kush do ta mbulojë vakumin e krijuar!?

Ndër humbësit në rajon, pas tërheqjes së forcave amerikane, padyshim se janë njësitë dhe formacionet ushtarake kurde: SDF, PYD dhe YPG. Këto formacione, bashkë me trupat amerikane, janë të pranishme në pjesët lindore të Eufratit ose, thënë më mirë, në një të tretën e territorit sirian! Gjatë viteve të fundit prioriteti kryesor i Turqisë në betejën siriane është pikërisht luftimi i këtyre grupeve dhe eliminimi i çfarëdolloj rreziku që vjen nga këta aktorë. Tani, kur establishmenti turk bën përgatitjen për ndërhyrjen ushtarake në lindje të Eufratit, synimi është që të ndërhyhet në pjesët veriore të kësaj zone! Por, për ta realizuar një objektiv të tillë, për Ankaranë zyrtare është i pamundur moskoordinimi me SHBA-të e, sidomos, me Rusinë. Kohëve të fundit në qarqet politike dhe mediatike përmendet “Marrëveshja e Adanës” e arritur dikur ndërmjet Turqisë dhe Sirisë.

Ndërkaq në samitin trelateral, që u mbajt muajin e kaluar në Soçi ndërmjet Rusisë, Turqisë dhe Iranit, në pikën 7 të deklaratës së përbashkët, në të cilët flitet për situatën në pjesët verilindore të Sirisë, palët ranë dakord që t’i bashkërendojnë aktivitetet e tyre, madje edhe marrëveshjet ekzistuese (ndërshtetërore – shën. i ynë). E marrëveshja që i referohet kjo deklaratë është pikërisht marrëveshja e lartpërmendur.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, e cila u arrit në tetor të vitit 1998, Turqia dhe Siria duhej t’i ulnin tensionet, ndërsa Damasku duhej ta njihte PKK-në si organizatë terroriste. Në të njëjtën kohë Siria detyrohej të parandalojë çdo operacion – të grupeve terroriste – kundër Turqisë nga territori sirian, kurse marrëveshja i jepte të drejtën Turqisë për të ndërhyrë në territorin sirian në rast se Siria nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ky dokument. Marrëveshja, pra, nënkuptonte që të dyja palët (turke dhe ajo siriane) të bashkëveprojnë në luftën kundër terrorizmin. Mirëpo, funksionimi i saj kërkon që ajo (lexo: marrëveshja) të realizohet përmes komunikimit zyrtar!

Këtë marrëveshje fillimisht e përmendi presidenti rus Putin në muajin janar gjatë vizitës së presidentit Erdogan në Moskë, ndërsa shefi i diplomacisë turke, Mevlud Çaushoglu, e cilësoi atë si pozitive.

Aktivizimi i marrëveshjes në fjalë ndërmjet Turqisë e Sirisë, duket se është prioritet i lartë për presidentin Putin. Përmes saj Rusia do të arrinte që: 1) ta parandalojë krijimin e një Zone të Sigurisë nga SHBA-te dhe Turqia, në të cilën Rusia nuk do të kishte asnjë rol; 2) t’i përafrojë marrëdhëniet ndërmjet SDF-së – Forcave Demokratike Siriane – (elementit kurd në Siri) me regjimin; dhe 3) t’i përafronte marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Sirisë, pasi që të dyja vendet krijimin e një entiteti kurd në veri të Sirisë e shohin si kërcenim për integritetin territorial.

Rivendosja e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Turqisë e Sirisë nënkupton legjitimimin e regjimit të Asadit, gjë që për Turqinë do të ishte e papranueshme. Por, një komunikim i tillë me Damaskun, Turqia do ta realizonte përmes palës së tretë, në këtë rast përmes Rusisë, ose “komunikim të nivelit më të ulët”, siç iu referua Erdogani marrëdhënieve me Sirinë. (Aljezeera). Pavarësisht epilogut të marrëveshjes së Adanës, ajo do të ishte një pike kthese në marrëdhëniet e Turqisë me Sirinë!