` . Siri, 6 civilë të vrarë nga sulmet e Rusisë dhe regjimit të Asadit në Ildib - TV-SHENJA

Siri, 6 civilë të vrarë nga sulmet e Rusisë dhe regjimit të Asadit në Ildib

Të paktën gjashtë civilë kanë humbur jetën dhe dhjetë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore të Rusisë dhe regjimit të Bashar al-Asadit në Idlib, zonën veri-perëndimore të Sirisë që më herët është shpallur zonë e mbrojtur nga aktet e agresionit, raporton AA.

Sipas observatorit ajror opozitar, avionët e Rusisë dhe regjimit sirian kanë sulmuar rrethin Serakib dhe disa fshatra në provincën e Idlibit.

Ndërkaq, agjencia lokale e mbrojtjes civile, e njohur si “Helmetat e Bardha”, tha se tre civilë kanë humbur jetën nga sulmi ajror i Rusisë në fshatin Kafar Sijnah, kurse nga një civil ka pësuar si pasojë e bombardimeve të regjimit në rrethin Serakib dhe fshatrat Brzabor dhe Maarrathirme.

Siç raportohet, ekzistojnë shqetësime se numri i viktimave mund të rritet.

Ndryshe, Turqia dhe Rusia ranë dakord në shtatorin e vitit të kaluar për ta shpallur Idlibin një zonë të deeskalimit ku shprehimisht aktet e agresionit janë të ndaluara.

Regjimi sirian dhe aleatët e tij, megjithatë, kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit, duke ndërmarrë sulme të shpeshta brenda zonës.

Që nga fillimi i tetorit, rreth 62 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e sulmeve të ndërmarra nga ushtarët e regjimit, grupet terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusia.

Ndërkaq, mbi 1.300 civilë kanë humbur jetën nga sulmet në Idlib që nga arritja e marrëveshjes midis Turqisë dhe Rusisë.