` . Sintaksa e legjitimitetit demokratik të pushtetit - TV-SHENJA

Sintaksa e legjitimitetit demokratik të pushtetit

Ballkani, në tërësi, dhe hapësirat shqiptare, në veçanti, dukshëm janë larg praktikave të mira të demokracisë bashkëkohore. Nuk ndjehet dora e shtetit të së drejtës, bile as në variantin e asaj dore të padukshme të Adam Smith-it, që sipas tij rregullon tregun.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Demokracia, pushteti, legjitimiteti. Si nocione teorike, por edhe si shprehje që mbizotërojnë jetën politike e shoqërore, aq sa janë të pashmangshme e të pandashme mes vete, po aq rrezatojnë një lloj prirje për t’u keqpërdorur në realitet. Demokracia ka nevojë për pushtet, ndërsa ky i fundit, për legjitimitet. Funksionimi normal i kësaj kronologjie shkakton stabilitet politik dhe parandalon krizat e thella socio-politike.

Demokracia bashkëkohore

Demokracia ka qenë dhe mbetet një ideal. Por, cilësia e saj nuk ngulfatet vetëm në përmasën e një abstraksioni: ajo paraqet një model qeverisjeje gjithashtu. Kuptimi i fjalëpërfjalshëm i demokracisë është sundim i popullit. Bazuar në postulatin se sovraniteti i takon kombit/popullit, demokracia është regjim politik i legjitimuar nga vullneti popullor.

Në djepin e demokracisë, pra në Greqinë Antike, demokracia nuk e kishte perceptimin e sotshëm. Funksionimi i demokracisë atëbotë ishte i zhveshur nga parimet që në epokën tonë ajo i bart mbi supet e saj. Dikur, demokracia konceptohej si standard numrash. Kush e kishte shumicën për vendimmarrje, ai shndërrohej në sovran. Me këtë premisë u shkruan e u ndërruan kushtetutat dhe ligjet në shumë vende, madje u ngritën edhe diktatura të tmerrshme. Shumë autokratë (mjafton të kujtojmë protagonistët kryesorë të Luftës së Dytë Botërore) kanë prekur majat e pushtetit nëpërmes votës fillestare, e më pas, kur e shtrinin mirë e mirë dyzenin, nuk gjendej votë që t’i zbriste nga aty. Në të gjitha rastet, ata thirreshin në legjitimimin popullor.

Me avancimin e ideve liberale dhe përhapjen e frymës së konstitucionalizmit, demokracia sot kuptohet si një amalgamë e disa parimeve themelore të pashkoqitura që formojnë mozaikun demokraci. Në konceptet moderne mbi demokracinë, apriori parashihet ekzistimi i zgjedhjeve periodike të lira, të cilat ofrojnë hapësirë të barabartë për të gjithë ata që synojnë ardhjen në pushtet me votë.

Kriter tjetër është mundësia e pjesëmarrjes aktive e qytetarëve në jetën politike. Tashmë nuk mund të honepset një profil i qytetarit, zëri i të cilit dëgjohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore. Nëpërmjet mjeteve të presionit që kanë votuesit, tanimë flitet për një ndryshim të paradigmës së demokracisë klasike. Shto këtu edhe ekzistimin e gjyqësisë kushtetuese, demokracia moderne është ajo që e kalkulon kontrollin e udhëheqësve nga të udhëhequrit.

Në demokraci mblidhet shuma e vullnetit individual të qytetarëve dhe shndërrohet në shumicë, e cila e fiton të drejtën legjitime për të qeverisur. Meqë është e pamundshme që vendimet në secilën sferë të jenë të mirëpritura absolutisht për të gjithë, opsion i vetëm mbetet që ato të jenë të pranueshme për shumicën e qytetarëve. Në këtë mënyrë, demokracia nuk mund të paramendohet e zhveshur nga parimi i shumicës në qeverisje.

Përkundër asaj që shumica udhëheq, konceptet bashkëkohore të demokracisë parashohin ekzistimin e opozitës, pra zërit kritikues ndaj pushtetit. Kësisoj, me një anë paraqitet shumica si garantuese e stabilitetit, ndërsa – në anën tjetër – qëndron opozita si baraspeshë politike dhe kontroll mbi punën e qeverisjes në fuqi. Kjo gjë e imponon skenën politike me shumë parti.

Një princip sine qua non për demokracinë moderne është garantimi i pluralizmit. Dhënia dhe përplasja e ideve dhe mendimeve në mënyrë të lirë është ndër premisat elementare të demokracisë. Në një shoqëri natyrshëm lindin qëndrime të ndryshme dhe nëse ajo shoqëri do ta ndërtojë dhe legjitimojë pushtetin, prezumohet se qysh në zanafillën e saj (abinitio) e merr në konsideratë shumësinë (pluralizmin) e ideve. Nga këtu del se shteti rri në pozitë neutrale karshi ideve, besimeve a doktrinave. Por, kjo nuk parakupton një pluralizëm të pakufizuar në mjete dhe veprime. Fare e kuptueshme është që shteti të mos lejojë rrezikimin e ekzistencës së vet. Prandaj, operacionet që kanë për qëllim cenimin dhe zhbërjen e rendit kushtetues shtetëror ose rrezikimin e sigurisë së qytetarëve nëpërmjet metodave të dhunshme, nuk mund të përfshihen në të drejtën e shprehjes së lirë në një shoqëri pluraliste dhe ato hasin në kundërshtimin dhe shtypjen nga ana e forcave të rendit. Lidhur me këtë mund të flitet edhe për përpjekjet e lëvizjeve antidemokratike, të cilat – duke i shfrytëzuar rrugët e sistemit demokratik – synojnë ta marrin pushtetin dhe më pas ta rrënojnë demokracinë. Në disa shtete vihen edhe ndalesa për organizimin kolektiv të individëve me ide të tilla. Në literaturë, praktikat e tilla njihen si demokraci militante (militant democracy). Thelbi i këtij nocioni është ky: demokracia nuk mund t’i ushqejë mendimet që do ta rrezikonin ekzistencën e saj dhe armiqve të lirisë nuk duhet t’u ofrojë liri. Këtij lloji të demokracisë i kundërvihen liberalët, të cilët pohojnë se gjersa nuk përdoret dhuna, çdokush e gëzon të drejtën të mendojë dhe të organizohet lirshëm, qoftë edhe nëse objektivat i ka antidemokratike.

Regjimet demokratike janë të pashkëputura nga parimi i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore. Përderisa populli është sovrani, që legjitimon institucionet, këto të fundit duhet të jenë në shërbim të popullit dhe interesave legjitime të tij. Përkitazi me këtë, edhe respektimi i të drejtave të pakicave e rezervon hapësirën e vet në një shtet demokratik bashkëkohor.

Kufizimi i pushtetit është parim kardinal i demokracisë. Aty ku gjendet një pushtet i pakufizuar, s’bëhet fjalë për lirinë dhe legjitimitetin demokratik, sepse është utopike të mendohet se në Mileniumin e Tretë njerëzit me vullnet të lirë do t’ia pranonin qendërzimin e vendimmarrjes dhe të kontrollit absolut një individi ose grupi të caktuar. Për këtë arsye, parimi i ndarjes së pushteteve përbën trungun e palëkundshëm të sistemit demokratik.

Zhvillimet në historinë politike botërore kanë dëftuar se edhe përmes dorës së shumicës janë ndërtuar sisteme moniste e oligarkike. Duke parë se demokracia nuk mund të perceptohet vetëm si një regjim ku shumica vendos, është zhvilluar edhe koncepti mbi epërsinë e së drejtës. Me t’u realizuar epërsia e së drejtës, paraqitet shteti i së drejtës, i cili edhe vetë i nënshtrohet së drejtës, është i lidhur për të drejtën dhe të gjitha veprimet e veta i koordinon sipas rregullave juridike dhe sanksioneve në rast të shkeljes së tyre. Në këtë segment, demokracia bashkëkohore është sikur mishi me thoin me parimin e epërsisë të së drejtës, meqenëse kjo është garancia fondamentale e dinjitetit të njeriut karshi autoritarizmit potencial të pushtetit politik.

Legjitimimi i pushtetit politik

Legjitimiteti është kuptimësimi sipëror i pushtetit politik. Duke qenë raison d’etre për pushtetin (potestas), legjitimiteti e luan rolin e garantuesit të tij po ashtu. Të gjitha aktet e pushtetit politik, përfshirë legjislacionin, vendimet a sjelljet, bëhen të pranueshme për shoqërinë kur të jenë mishëruara me legjitimitetin. Për këtë arsye, rrugët që shpijnë në diskutimet për shtetin, pushtetin, sovranitetin a politikën, doemos kryqëzohen me legjitimitetin. Si nocion, legjitimiteti e ka kuptimin e supozimit se pushteti politik është i fituar duke u bazuar në një të drejtë dhe arsyetim dhe ai përdoret në mënyrë të duhur e të drejtë.

Pushteti politik duhet të jetë në harmoni me shoqërinë. Nëse nuk realizohet ky pakt, pushteti në fjalë mbetet sinonim për despotizmin. Prandaj, kudo qoftë, një preokupim themelor i pushtetit politik mbetet kërkimi i miratimit individual (qytetar) dhe kolektiv (shoqëror).

Legjitimiteti është në pajtueshmëri me parimet e pranueshme në një shoqëri. Këtu bëjnë pjesë: e drejta zakonore, vlerat kulturore, tradita, doket, besimet, praktikat politike, me një fjalë  rregullat e pashkruara në një mjedis. Në vendet me demokraci të zhvilluar, vend primar zënë kushtetutat, si dokumente me rregulla të shkruara.

Pushteti politik ngërthen në vete një varg elementesh të pandashme. Legjitimiteti, dhuna, autoriteti, bindja, rendi, struktura politike dhe ajo sociale – që të gjitha – përbëjnë tërësinë e tij. Pushteti është një mjet i pajisur nga shoqëria me kompetencën e vendimmarrjes në emër të saj dhe atë të ushtrimit të forcës legjitime për të mbajtur nën kontroll rendin publik.

Forca si nocion paraqet një gjendje faktike. Ndërkaq, pushteti pohon një fenomen normativ. Në kuadër të pushtetit, ekziston një raport epror-vartës, urdhërim-zbatim, gjithnjë bazuar në parime dhe dispozita të caktuara. Përderisa forca mbështetet në një epërsi, si rrjedhojë e pabarazisë fizike ose çfarëdo pabarazie tjetër dhe ka një limit deri kur mund të qëndrojë si e tillë, pushteti gjithsesi mëton ta ruajë vazhdimësinë, e cila nënkupton edhe legjitimitetin e tij. Pra, legjitimiteti është një proces dinamik që kushtëzohet me vazhdimësinë.

Jo se pushteti politik nuk krijohet dot pa legjitimitet, sepse edhe mund të shfaqet i tillë në një moment të caktuar, porse në këtë mënyrë nuk arrin dot ta jetësojë stabilitetin. Andaj, pushteti ka nevojë që të jetë i pranueshëm si forcë e formuar mbi një kauzalitet të pabarazisë. Pikërisht,legjitimiteti mundëson që forca të shndërrohet në pushtet.

Vetë shteti është një pushtet që disponon me autoritetin. Autoriteti është e drejta për të ushtruar një pushtet, forcë detyruese për t’iu bindur dikujt a diçkaje, tagër i vendosjes në emër të njerëzve. Së këndejmi, nuk mund të anashkalohet aprovimi i shoqërisë për pranimin e autoritetit shtetëror dhe kjo e nxjerr në pah dukurinë që po e quajmë legjitimitet. Së këndejmi, autoriteti paraqet pushtetin e legjitimuar. Të mendojmë kështu: organet shtetërore ushtrojnë funksionin e tyre bazuar në Kushtetutë dhe akte të tjera me karakter juridik. Në këtë mënyrë ato do ta konservojnë legjitimitetin. Por, nga rrjedh legjitimiteti i burimeve normative të lartpërmendura të pushtetit? Padiskutueshëm, nga populli. Do të thotë, populli e miraton drejtpërdrejtë ose tërthorazi (përmes përfaqësuesve të vet) jushtetutën dhe aktet e tjera juridike dhe kësisoj legjitimohen organet e shtetit që ushtrojnë pushtet politik.

S’ka si të konsiderohet legjitim një pushtet që nuk mbështillet me petkun e miratimit social. Kërkimi i legjitimitetit vetëm te forca dëshmon për një sundim diktatorial ose autokratik, i cili moto nismëtare të punës e ka dhunën dhe trysninë. Shëmbëlltyra e regjimeve totalitare të shek. XX, si ai fashist, nazist dhe komunist, tregojnë qartazi se kombinimi i legjitimitetit absolutist me legjitimitetin karizmatik të liderit, mund të prodhojë situata të rënda, në të cilat persekutimet bëhen mjet i rëndomtë i pushtetit.

Çështja e legjitimitetit është lineare: nga përzgjedhja individuale shndërrohet në akordancë shoqërore dhe nga kjo, në pushtet politik.

Çdo pushtet, pikësëpari, është në kërkim të legjitimitetit të brendshëm (vendor). Kur të jetë i sigurt se e zotëron legjitimitetin e qytetarëve, ai orientohet edhe në shtrirjen e ndikimit në arenën ndërkombëtare.

Në glob nuk ekziston një vend demokratik që të jetë homogjen në përbërjen e popullsisë. Epoka e globalizmit, që nxiti zhvillimin e teknologjisë, migrimet, mundësitë e shkollimit jashtë vendit, hapjen e ekonomisë së tregut etj., e pikturoi botën me një kolorit kulturash e civilizimesh, që mund të gjenden njëkohësisht në të njëjtin vend. Kjo solli me vete edhe dukurinë që Samuel Huntington-i do ta quante “përplasje e qytetërimeve”, por edhe nxori në pah domosdonë e dialogut ndërmjet njerëzve me identitet të ndryshëm, që përbëjnë të njëjtën shoqëri.

Rrënjëzimi i kulturës së dialogut të zhvilluar në përputhje me rregullat, pa pretenduar epërsi urdhëruese të ndonjërës qasje, është udhë e përshtatshme për krijimin e legjitimitetit. Ta zëmë, nëse vendoset të nxirret një ligj dhe procesi ligjvënës organizohet asisoj, që gjithçka bëhet në mënyrë transparente dhe qytetarët mund të përfshihen për t’i shprehur mendimet e tyre, ligji në fjalë do të ketë legjitimitet të qëndrueshëm. Në të kundërtën, kur aktet e pushtetit nxirren pa pjesëmarrjen e qytetarëve në asnjë etapë të procesit, atëherë lind edhe problemi i legjitimitetit. Këtu duhet vënë theksin në diferencën mes legalitetit, që nënkupton veprimin në suaza të ligjit, dhe legjitimitetit, që ngërthen vullnetin e qytetarëve. Një pushtet politik që është legal, pra i mbështetur në normativin pozitiv, jo domosdo mund të jetë edhe legjitim në kontekst socio-politik.

Që kur zë fill, pushteti mund të jetë i brumosur me legjitimim popullor, por me kalimin e kohës mund ta humbasë këtë cilësi. Kjo ndodh ose duke i nëpërkëmbur rregullat e qeverisjes ose me ndërrimin e botëkuptimit të legjitimitetit në një shoqëri. E për aq sa nuk shfaqet ndonjë kryengritje ose kundërshtim serioz ndaj klasës udhëheqëse politike, supozohet që pushteti politik posedon legjitimitet.

Legjitimiteti, si koncept, gjithmonë bart një dozë të elementeve ideologjike, prandaj nuk mund të ketë një përkufizim universal e të pranuar nga mbarë bota. Shkalla e lartë e abstraksionit te ky nocion mund të thjeshtohet vetëm kur ai fillon të çanësohet në një kohë dhe vend të caktuar, ku shoqëria krijon një pushtet legjitim.

Klasifikimi i legjitimitetit sipas Max Weber-it

Mendimtari Weber avokon pikëpamjen se pushteti politik ndërtohet mbi tri lloje legjitimiteti.

Së pari, pushteti politik legjitimohet nga traditat e formuara në historinë e gjatë të një populli dhe të pëlqyeshme nga ai popull sot e kësaj dite. Ky cilësohet si legjitimitet tradicional.

Së dyti, një pushtet legjitimohet falë një lideri që udhëheq. Besimi i pakontestueshëm qytetar ndaj një qeveritari e legjitimon edhe pushtetin e ushtruar të tij. Domethënë, flitet për një legjitimitet karizmatik, që u përmend më sipër. Duhet theksuar se legjitimiteti i tillë është subjektiv dhe i kufizuar në kohë, për aq sa lideri është aktiv në politikë.

Së treti, legjitimiteti i një pushteti përmbushet me respektimin e normave juridike që janë në shërbim të interesave të përgjithshme. Për sa kohë që pushteti politik shpërfaq besnikëri ndaj kushtetutës dhe ligjeve, do të jetë i pajisur me legjitimitet. Ky koncept është më i përhapuri në periudhën moderne.

Pushteti politik dhe teoritë e “kontratës shoqërore”

Qasja se fillet e shtetit gjenden në një marrëveshje (kontratë) të njerëzve për ta krijuar shtetin gjendet qysh tek Platoni, por pretendimi i fuqishëm i saj haset që nga shek. XVI, në mesin e juristëve e filozofëve në numër të konsiderueshëm (Locke, Spinoza, Hobbes, Grotius, Rousseau, Kant, Puffendorf, etj.). Me gjithë dallimet sekondare, që të gjithë ishin unanimë sa i përket idesë se shteti ishte produkt i mendjes dhe i vullnetit njerëzor. Kjo nënkupton se me qëllim të bashkëjetesës dhe garantimit të sigurisë dhe të lirive, njerëzit kanë vendosur ta themelojnë shtetin në korniza të një kontrate shoqërore. Sipas hipotezës së këtyre teoricienëve, dikur moti njerëzit paskëshin jetuar në një gjendje natyrale (status naturae), domethënë pa rregulla dhe autoritet publik.

Gjithashtu edhe çështja e pushtetit politik ka qenë në fokus të këtyre mendimtarëve. Nga pretendimet e tyre, kryesisht, dalin tri burime të legjitimitetit në formë parimesh ose qëllimesh: siguria, barazia, liria. Nisur nga këtu, pushteti politik modern përfton legjitimitetin e vet duke u bazuar në njërën nga këto. Teoritë e tilla më së tepërmi i kanë avancuar Thomas Hobbes, John Locke dhe Jean-Jacques Rousseau.

Në pikëpamjen e Hobbes-it, parësore kishte qenë nevoja për siguri. Njerëzit e krijuan shtetin që ai të jetë garantues i jetës dhe të mirave të tyre. Detyra kryesore e shtetit ishte siguria dhe kjo mund ta justifikonte edhe një qeverisje absolutiste. Prandaj, në teorinë e tij, vetë siguria ishte sinonim për legjitimitetin. Pushteti është legjitim për sa kohë e garanton sigurinë.

Këndvështrimi i Rousseau-së ishte më i ndryshëm. Sipas tij, shteti është krijuar si nevojë për t’i shuar pabarazitë si rrjedhojë e shfaqjes së pronës private. Legjitimiteti i shtetit mund të bazohet vetëm në shoqëri dhe pushteti politik njëjtësohet me vullnetin e përgjithshëm (volontégénérale) që përfaqëson tërë shoqërinë. Historia ka qenë dëshmitare se mendimet e tilla kanë shërbyer si frymëzim për ndërtimin e pushteteve politike komuniste e kolektiviste në shek. XIX.

Ndërkaq Locke, si epiqendër të legjitimitetit të pushtetit politik e konsideron lirinë. Në thjerrëzën e tij, pushteti politik nuk mund ta ushtrojë funksionin e dhënë atij jashtë qëllimeve të përcaktuara. Kështu, nëse shteti, si strukturë e krijuar për të garantuar liritë, i tejkalon kompetencat dhe nuk e kryen detyrën themelore (mbrojtjen e lirive dhe të drejtave), popullit i lind e drejta për rezistencë. Asnjë e drejtë dhe autorizim nuk mund të përdoret në emër të pushtetit politik po qe se nuk buron nga liritë dhe të drejtat natyrore. Siç vërehet, koncepti teorik i Locke-ut është liberal.

Vegjetimi i demokracisë

Të konkretizojmë diskursin në realitetin që na rrethon! Ballkani, në tërësi, dhe hapësirat shqiptare, në veçanti, dukshëm janë larg praktikave të mira të demokracisë bashkëkohore. Nuk ndjehet dora e shtetit të së drejtës, bile as në variantin e asaj dore të padukshme të Adam Smith-it, që sipas tij rregullon tregun.

Le të nisemi nga një problematikë ilustruese në Kosovë: mangësia e organizimit të referendumeve. Kosovarët janë privuar nga kjo e drejtë demokratike edhe në raste me rëndësi fondamentale, sikur ai i miratimit të Kushtetutës së vitit 2008 ose edhe për çështje të ndryshme ligjore, gjë që flet vetiu për një çalim të funksionimit të sistemit demokratik. Ndërkaq, dihet se referendumi është instrument bazik i demokracisë së drejtpërdrejtë (në praktikat e sotme – demokracisë gjysmë të drejtpërdrejtë). Me anë të tij populli ushtron pushtet legjislativ, pra përdor një tipar të sovranit.

Ndonëse e proklamuar si e hartuar me standarde bashkëkohore demokratike dhe e garanton referendumin si mjet të ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh se nuk mund të organizohet referendum për çështjet që kanë të bëjnë me të ashtuquajturin “Legjislacion me Interes Vital”, i cili rregullohet në nenin 81. Sipas këtij neni, nuk mund të iniciohet referendum për: (1) ligjet të cilat ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare; (2) ligjet të cilat zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me Kushtetutë; (3) ligjet për përdorimin e gjuhëve; (4) ligjet për zgjedhjet lokale; (5) ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonave të veçanta të mbrojtura; 6) ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare; (7) ligjet për arsimin; (8) ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë simbolet e komuniteteve dhe për festat publike.

Referendumi është mjet i realizimit të demokracisë dhe në vende me përmasa si Kosova mund të ishte mjaft efikas dhe efektiv edhe për zhvillimin e kulturës politike e gjithashtu për fuqizimin e përkatësisë së shtetasit, që do të rezultonte me avancim të demokracisë dhe legjitimim të ligjvënies si veprim i pushtetit. Kjo vazhdon të mbetet një zbrazëti e theksueshme e rendit kushtetues kosovar.

A do të thotë kjo se zbatimi i referendum si instrument demokratik i zgjidh të gjitha problemet? Jo, assesi. Madje, referendumet edhe mund të shndërrohen në mjete përligjëse të autoriteteve karizmatike. Pasi arrijnë kontrollin e pushtetit qeverisës, veçanërisht liderët autoritarë dinë të bëjnë manovra, si puna e referendumeve të kontrolluara, roli i të cilave është që të sigurojnë legjitimitet popullor për ambiciet politike të tyre. Në teori, këso votime njihen si plebishite. Në aspekt formal nuk dallojnë prej referendumeve, bile edhe juridikisht nuk thirren si plebishit. Por, në esencë, ato organizohen në kushte jo të barabarta garuese të ideve, shquhen për trysni të autoritetit të pushtetit dhe për propagandë të kontrolluar, rëndom për votën pro. Në këtë kontekst, plebishitet shndërrohen në mekanizëm përligjës të pushteteve autoritare e totalitare. Shembulli i Napoleon Bonapartës është mjaft indikativ. Ai kishte porositur në një këshill ekspertësh hartimin e një kushtetute sipas preferencave të tij dhe po atë tekst ia kishte paraqitur popullit për miratim. Mirëpo, njëkohësisht nuk kishte lejuar që të zhvilloheshin diskutime e polemika publike rreth tij. Në këtë gjendje, ajo kushtetutë kishte marrë “aprovimin” popullor më 1799 dhe Napoleoni kishte jetësuar qëllimin. Ngjashëm kishte vepruar edhe junta ushtarake në Turqi, e cila pasi kishte realizuar puç më 1980, kishte përgatitur një draft-kushtetutë dhe – duke ndaluar propagandën kundër propozimit – juridikisht kishte arritur “ta fitonte” bekimin e qytetarëve votues, duke e vënë në fuqi Kushtetutën e vitit 1982.

Shembuj të tillë flasin se, për të pasur një proces të shëndoshë të referendumit, parakusht është qenësia e kulturës demokratike të avancuar. Përndryshe, edhe referendumi mund të kthehet në një farsë që t’i merr sytë. Shteti dhe shoqëria e Kosovës duhen ta kenë parasysh këtë aspekt.

Çështje të ndërlikuara rastisen edhe në Republikën e Shqipërisë. Megjithëse me traditë shekullore të shtetit, Shqipëria nuk ndalet së vëni në pikëpyetje konsolidimin e kërkuar për mbarëvajtjen e rregullt të jetës shtetërore. Rasti i organizimit të zgjedhjeve lokale në qershor të vitit 2019 në një atmosferë politike plotësisht të papërshtatshme për të shkuar në kutitë e votimit, e zbehu dukshëm legjitimitetin demokratik të pushtetit. Përplasjet mes krerëve të organeve shtetërore (Presidencës dhe Kryeministrisë), një Kuvend pjesërisht funksional, një Gjykatë Kushtetuese pothuaj e shtangur dhe hallet e tjera që karakterizojnë qeverisjen, bëjnë që Shqipëria të ketë nevojë për një këndellje kapitale.

Siç u tha më parë, zgjedhjet janë faktor përcaktues i një sistemi demokratik. Po qe se ato nuk zhvillohen në mënyrë transparente, të lirë e të barabartë në një garë konkurruese, atëherë produkt i tyre nuk do të jetë stabiliteti politik.

Për më shumë, zgjedhjet nuk janë vetëm proces që përcakton mazhorancën për të ardhur në pushtet. Ato janë garanci e një mori kategorish të lirive dhe të drejtave të njeriut. Për shembull, a do të mund të pohohej se sigurohet liria e shprehjes dhe liria e asociimit në një vend ku nuk është e lejuar të marrë pjesë asnjë subjekt politik, përveç atij që është në pushtet? Skena të tilla kanë parë vetë shqiptarët për një gjysmëshekulli në regjimin enverist. Andaj, megjithëse në këto zgjedhje nuk kishte ndalesa për mospjesëmarrje të opozitës, duhet bërë çmos që të mos përsëriten gabimet e dikurshme, qoftë edhe duke mos krijuar një përshtypje të tillë, sepse pushteti nuk i takon pronësisë së asnjë subjekti politik. Konkurrenca është arsye ontologjike për zgjedhjet. Pa të, zgjedhjet marrin trajtën e një monologu të padëshirueshëm, por të detyrueshëm për audiencën. E kjo nuk është shprehi demokratike.

Kultura demokratike tek shqiptarët sikur po vegjeton. Ajo nuk e jep refleksionin se dëshiron të gjallërohet, të transformohet, të reformohet e të ketë konsekuencë në zhvillim. Kjo po e çon në një inflacion termin demokraci dhe po i fuqizon tutje oligarkët që e kontrollojnë skenën politike.

Edukimi mbi demokracinë

Demokracia nuk është sistem i patëmeta. Nuk ka pse t’i atribuohet ndonjë tipar shenjtërie. Megjithëkëtë, demokracia është kulturë më vete. Kjo kulturë do pjekuri dhe nuk arrihet sa çel e mbyll sytë. Lypet edukim i mirëfilltë i brezave të rinj mbi konceptet e demokracisë. Përgjegjësia mbi këtë u përket edhe institucioneve arsimore, edhe partive politike, edhe organizatave joqeveritare që merren me çështjet e natyrës publike, por edhe intelektualëve.

Në një sistem demokratik optimal, qytetarët do të mund të kërkojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre dhe ta arrijnë vetëdijen se pushteti është produkt i legjitimitetit të tyre dhe jo anasjelltas.

Thënë shkurt, pa zgjedhje të lira dhe pa garantimin e lirive dhe të drejtave themelore, demokracia moderne nuk e legjitimon asnjë pushtet politik. Fundja, në rrethana të tilla, përse qytetari do të duhej të legjitimonte pushtetin politik?