` . Si duhet ta mbushni baterinë që e përdorni për herë të parë – TV-SHENJA

Si duhet ta mbushni baterinë që e përdorni për herë të parë

Me siguri se ju ka rastisur të blini një celular të ri dhe dikush t’ju thotë se para se ta përdorni për herë të parë, është e rekomandueshme ta mbushni baterinë gjatë tërë natës apo për më shumë se gjashtë orë.

Megjithatë, ky është një mit që duhet thyer, pasi që celularët e sotëm nuk kanë nevojë të mbushen për orë të tëra para përdorimit të parë, përveç nëse bateria e tyre në fillim është 2-3 për qind – pra, në këtë rast rekomandohet ta mbushni deri në 100% dhe pastaj ta përdorni, transmeton Telegrafi.

Rekomandimet se bateria e celularit duhet të mbushet për orë të tëra janë nga koha kur në përdorim ishin bateritë ‘NiMH’, të cilat kishin kërkesa të caktuara sa i përkiste cikleve të mbushjes/shkarkimit, por ato rekomandime nuk vlejnë në bateritë e sotme Lithium.

Vlen të ceket një fakt interesant i kompanisë ‘Apple’ – Steve Jobs e kishte vërejtur një zhgënjim tejet të madh te konsumatorët, të cilët e blinin një pajisje të re të mahnitshme, por që u duhej të pritnin disa orë për ta mbushur baterinë para se ta përdornin.

Prandaj, Apple qysh nga atëherë i mbushë bateritë e pajisjeve të veta në fabrikë, duke u mundësuar konsumatorëve ta përdorin pajisjen në momentin që e blenë.