` . Si duhet shkruar historinë? – TV-SHENJA

Si duhet shkruar historinë?

Më e rëndësishme është ta kuptojmë se kur lexojmë historinë duhet të dimë atë që e thotë Kroçe, se: “Historia përbëhet në shikimin e së kaluarës me sytë e të sotshmes edhe atë nën dritën e problemeve të saja…”

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Jetojmë në kohën e ndryshimeve të mëdha sa ideologjike aq gjeopolitike e të orientimeve strategjike. Me qëllim të një pozicionimi sa më të mirë para vendimeve të mëdha, që duhet të merren, çdo ditë e më tepër, shtrohet pyetja nëse kemi një histori që na ndihmon në vendimmarrjen politike ose ajo duhet ndryshuar që të mos paraqitet pengesë në përcaktimin tonë. Së këndejmi hapet dilema se a kemi histori të mirëfilltë, joideologjike, të shkruar nga vet ne, apo ajo është përplot shtrembërime, ngase na e kanë shkruar të tjerët. Debati vazhdon në drejtim të asaj se a duhet atë ta rishkruajmë apo ta riinterpretojmë për kontekstin e kohës?

Që të japim përgjigje në këto pyetje duhet të sqarohen disa koncepte fundamentale. Pikësë pari, çka është historia? A është një shkencë që na mëson për të sotmen dhe të ardhme, siç pretendojnë disa, apo është vetëm një imagjinatë e jonë për disa ngjarje që kanë ndodhë në një distancë të largët para nesh, bazuar në fakte parciale, jo të plota dhe diskutabile? Si i lexojmë kuptojmë dhe interpretojmë atë, nga kjo distancë kohor? Pastaj, nëse një dokument historik i regjistruar përmes disa shenjave, që e quajmë alfabet, a është e tëra që e ka dëgjuar, kuptuar e përjetuar dikur një njeri i strukur në qoshe si dëshmitar i një ngjarjeje? Cili ka qenë kuptimi i tij për botën në kohën kur ka jetuar, e cili është kuptimi ynë sot, që të mund ta përdorim atë si fakt, argument, për të shpjeguar të tanishmen për më tepër për ta paraparë të ardhmen? A mund të shprehet gjithë ajo që është menduar e regjistruar në tru përmes atyre pak simboleve e shkronjave, qoftë si informatë, qoftë si përjetim? Si e ka konceptuar atë truri i historianit dhe sa mund të futemi ne, përmes empatisë, në pozitën e autorit, për ta ndjerë të njëjtin përjetim, që të mund të kuptojmë veprimin e një individi ose të një shoqëri të tërë të asaj kohe?

Dyshimet për saktësinë e kësaj shkence nuk janë prej sot. Ato kanë ekzistuar dhe do të vazhdojnë të mbeten. Përskaj gjithë këtyre dilemave, kur gjendemi para situatave të caktuara na ndodhë të themi: “Këtë historia e ka përdëftuar”. Sa kemi të drejtë në këtë konstatim, bile edhe kur sociologët me një terminologji pak më profesionale, një fenomen të tillë e përkufizojnë si “ligji i zhvillimit historik”, kjo është çështje debati. Karl Popper-i, në librin e tij, “The Poverty of Historicism”, shpjegon se proceset shoqërore janë shumë më komplekse për të nxjerrë një ligj universal për shoqërinë sikurse ligjet e fizikës. Sipas tij: “.. fizikanët operojnë me një përgjithësim të përgjithshëm induktiv, kurse sociologët mund të operojnë vetëm me ndihmën e një imagjinatë të simpatisë”.

I gjendur në këtë udhëkryq, si i humbur e pa rrugëdalje, fillova të shfletojë disa libra që i kisha pranë. Në tavolinë mu gjendën urtësitë kineze, përkthyer në maqedonisht si “Изреченија – со Големото учење и учење на средишноста” dhe „Книга на Записите” të Konfuçios. Më ra në sy një thënie që mendohet se daton nga koha e mbretit Shun: “Nëse sundimi (qeverisja) do të jetë e mirë apo e keqe, kjo në esencë varet nga nëpunësit (administratorët) e ndryshëm. Për këtë qëllim, pozitat nëpunësve (administratorëve) nuk duhet t’u jepen atyre ndaj të cilëve jeni të prirë, por vetëm atyre që kanë një aftësi të caktuar”. (Книга на завети, faqe 53, 2016, Makijavej, Shkup). Kjo urtësi dhe shumë të tjera të ngjashme me të, ngritur në nivelin e një thënie fetare, do të kenë ndikuar për ngritjen e një civilizimi shumëshekullor.

Pastaj nga historia e lashtë bëra një kërcim në të tanishmen. Çka është e përbashkëta e asaj kohe me të sotme? Sot kemi një “civilizim” me kulturë evropiane që e pretendojmë, kurse misionarët e tyre, që vijnë në mënyrë permanente, na përsërisin: nëse duam të arrimë një nivel zhvillimi si ata, duhet të kemi “një administratë profesionale dhe jo një administratë partiake”.

Këto dy situata në distanca të largëta kohore dhe gjeografike mund të na shpien lehtë deri te doktrina sociologjike për “ligjin e zhvillimit historik” të njerëzimit. Por, Popper-i vazhdon të këmbëngulë se parashikimet, dhe tendencat për të nxjerrë konstatime të tilla të shpejta janë tejet të rrezikshme për shkencat shoqërore, pasi për një situatë të krijuar në një moment të caktuar historik kanë ndikuar një mori faktorësh. Ai potencon se vetë “historicistët” janë plotësisht të vetëdijshëm se në zhvillimin e një shoqërie ndikojnë më tepër faktorë, siç janë: dëshirat dhe bindjet, ëndrrat dhe arsyeja, dituria dhe frika, interesi dhe energjia, si dhe shumë parakushte tjera. A mjaftojnë këto argumente për të nxjerrë konstatimin se nga historia nuk mund të nxjerrim përfundime të sakta? Gjithsesi se jo. Më e rëndësishme është ta kuptojmë se kur lexojmë historinë duhet të dimë atë që e thotë Kroçe, se: “Historia përbëhet në shikimin e së kaluarës me sytë e të sotshmes edhe atë nën dritën e problemeve të saja….”. Për të shpjeguar në mënyrë më plastike Edward Haller Carr, në librin e tij, “What is History?” (përkthimi maqedonisht), shpjegon se sa e vështirë ishte që një historian i shekullit të nëntëmbëdhjetë, i edukuar se duhet të vdesë për shtetin dhe kombin, “të futet” në gjendjen e vetëdijes së atyre që e bënë luftën tridhjetë vjeçare (1618-1648) në emër të protestantizmit ose katolicizmit, në të cilën e humbën jetën mbi tetë milionë njerëz.

Në vazhdën e këtij konstatimi mund të imagjinojmë se si i sheh ngjarjet një njeri i rëndomtë, shqiptar, i edukuar në idenë e shtetit kombëtar, me mitin e Skënderbeut, kur e lexon historinë e luftës së tij kundër turqve osmanë, të mbushur përplot me ide perëndimore dhe të integrimit evropian. Nga kjo histori dhe nga mësimi që e marrim prej saj na rezulton se gardianë të Perëndimit janë shqiptarët, se “dielli i shqiptarëve lind në Perëndim” (Viti i Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së tij dhe motoja e festimeve të 110-vjetorit të alfabetit), andaj edhe orientimi perëndimorë nuk ka alternativë. Por, çka nëse para se të ar rijmë në Perëndim, Lindja pothuajse ka ardhur te ne? Për këtë nuk kemi histori që na mëson.

Nëse nuk e marrim parasysh thënien e më sipërme të Carr-it, në gjykimin tonë nuk ka vend fare për mendjen e turkut osman, që ka qenë përplot bindje se na e sjellë shpëtimin nëpërmjet Islamit edhe me luftë, e as të atyre që janë angazhuar për rrënimin e feudalizmin për të na sjellë industrializimin dhe kapitalizmin në emër të modernizmit, duke i lidhur fëmijët me zinxhirë për makinat, madje as të komunistit që e arsyeton revolucionin për ta rrënuar klasën borgjeze me qëllim që ta sjellë barazinë përmes klasës punëtore. Bile, nuk e kuptojmë sa duhet as liberalin, që demonstronte rrugëve të qyteteve të Perëndimit, shumë herë edhe dhunshëm, për ta rrënuar komunizmin në emër të demokracisë dhe lirisë individuale. Këto ngjarje mund të jenë vetëm rrëfime, që shënohen në memorien tonë si fakt historik, por nuk ka përjetim, nuk na e krijojnë ndjenjën e aktorëve të asaj kohe, nuk e imagjinojmë dot vullnetin e tyre si forcë shtytëse, e as kemi mirëkuptim për sakrificën që bënë ata për tërë këtë histori.

Neve sot, po si ata dikur, jemi të bindur se demokracia liberale dhe ekonomia e tregut do të na sjellë mirëqenien dhe gjitha gjykimet për të kaluarën i bëjmë nën hijen e kësaj bindje. Por, harrojmë se më vonë mund të na akuzojmë se kemi bërë pabarazinë më të madhe ndër popujt dhe njerëzit që ndonjëherë i ka parë bota. Këtë e them për shkak se në kohën kur dominon bindja se demokracia liberale dhe ekonomia e tregut i tejkaluan të gjitha sistemet e tjera paraprake dhe janë triumfuese të historisë, vetëm 1% e popullatës në vendet më demokratike e kontrollon rreth 50% të gjithë pasurisë botërore, kurse 10% është afër 90% e pasurisë botërore.

Për të kuptuar këtë fenomen, një argument shtesë mund të jenë fjalët e Marksit, cituar nga E. H. Carr: “.. mos harroni, se dikush e ka edukuar edhe edukatorin; ose, thënë në zhargonin e ri, edhe truri i aty që e lanë trurin e dikujt, paraprakisht është larë”. Kjo do të thotë se kur sot mundohemi t’i edukojmë të rinjtë tanë se duhet të angazhohen, bile edhe të sakrifikohen për demokracinë liberale dhe ekonominë e tregut dhe për orientimin tonë pro-perëndimor, së paku për një moment duhet të mendojmë se mos  ndoshta edhe truri ynë është i larë si i atyre që e bënë historinë paraprake. Apo, të jemi të vetëdijshëm se historiani para se të fillojë ta shkruajë historinë, edhe ai është prodhim i historisë (E. H. Carr, (2001) përkthimi maqedonisht, fq. 46).

Çfarë duhet bërë që të mos i bëjmë gabimet e atyre para nesh, kur e lexojmë e, veçanërisht, kur e shkruajmë historinë? Pikësëpari duhet të jemi të ndërgjegjshëm se jetojmë në kohën kur dominon bindja e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, pjesë e së cilës jemi edhe ne. Ky fakt na ballafaqon me një rrezik shumë të madh, që historinë të mos e kuptojmë drejt, veçanërisht që ta shkruajmë shtrembët. Carr-i, që shtron pyetjen, “Çka është historia?”, e citon librin e H. Butterfield “The Whig Interpretation for History”, ku ai ka thënë: “Studimi i të kaluarës me një sy drejtuar, si të thuash, në të sotmen, është burimi i gjitha mëkateve dhe sofistikimeve të historisë… Ajo është esenca e gjithë asaj që quhet me fjalën “johistori”. (193: fq. 11, 31-32, përkthimi maqedonisht, fq. 49).

Pas gjithë kësaj që e shtruam më sipër, është koha të pyesim se a duhet ta rishkruajmë historinë tonë, ta lexojmë atë drejt, apo edhe fare të mos e përdorim për ta mësuar të sotmen dhe për të na ndihmuar të parashohim të ardhmen. Kam përshtypjen se çfarëdo që të bëjmë, do të gabojmë. Nëse e rishkruajmë, nuk jam i sigurt se nuk do t’i bëjmë gabimet e të parëve. Nëse duhet ta lexojmë drejt, si t’i edukojmë lexuesit që të dinë çka është historia, më saktë, filozofia e historisë. Të mos kesh fare histori ose të shpallesh popull ahistorik, në kohën kur ende bëhet histori, është po aq rrezik sa t’i priten pemës rrënjët në vapë të verës. Ta shkruash një histori të gabuar dhe ta përdorësh atë për orientim strategjik në momentet kyçe të “historisë” është sikur ta urdhërosh të dike të futet në mal të pashkelur ku duhet të luftojë me bishat e egra. Megjithatë diçka duhet bërë.

Por, prapë, si ta shkruajmë një histori dhe të mos e bëjmë gabimin e atyre para neve dhe, më së paku, të na orientojë keq? Përgjigja mund të jetë se historinë duhet ta shkruajë një njeri “kokëbosh”. Duket absurde, bile abstrakte, që në praktikë nuk realizohet. Po, është utopi, por e nevojshme për një teoretizim elementar. Si do të dukej ky njeri kokëbosh, që do ta shkruajë historinë drejt dhe pa ndikime, që të mos na orientojë gabimisht në momente kyçe? Ngjashëm si një kompjuter, bosh, pa kurrfarë të dhëna paraprake të regjistruara, por që ka një memorie pakufi të madhe dhe një sistem operativ të fuqishëm për përpunimin e fakteve në bazë të një algoritmi që nuk do ta njohë përkatësinë kombëtare, fetare, ideologjike, pa përkatësi klasore e racore, që nënkupton se nuk do të kishte pasur kurrfarë simpatie ose antipatie për periudha të caktuara kohore. Nëse do të furnizohej me fakte historike nga të gjitha burimet, pa interpretime, pasi t’i ketë përpunuar dhe analizuar, ai do të sillte disa konkluzione.

A do të kishte qenë ajo histori? Nuk jam i sigurt. Besoj se do të kishte prodhuar një rezultat abstrakt nga e kaluarë, të pakuptimtë për mendjen tonë të sotme të një njeriu antropologjik. Ai nuk do të kishte mund t’i përmbajë përjetimet, idealet, ëndrrat dhe ndjenjat e aktorëve të historisë dhe të shoqërisë së kohërave paraprake, madje më së paku do të kishte pasur mirëkuptim për këto tonat. Nëse kjo nuk mund të bëhet realitet, atëherë historia ngelet ajo që është. Mbetet shikim i së kaluarës nga prizma e së tashmes prej njerëzve që kanë simpati për një komb, religjion, kulturë, civilizim ose vlerë “universale”, që janë krejt relative dhe prodhime historike. Por, për një njeri jo-antropologjik, që pritet të vijë së shpejti, një robot njeri, mund të jetë edhe i kuptueshëm edhe i përdorshëm. Deri atëherë mbetet pyetja se kush duhet ta shkruajë historinë?